Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në apartamente standarde të periudhës komuniste, të ndara mes sistemit të njohur 2+1 apo 1+1. Kjo gjuhë shenjash është e njohur për të gjithë. Me gjithë dëshirën dhe fantazinë për të jetuar në lagje të qeta, si te “Shtëpiake të dëshpëruara”, apo në apartamente moderne, si te “Melrose Place”, realiteti shqiptar na ka hedhur në apartamentet standarde, ku ambientet kryesore janë një dhomë ose dy dhoma gjumi dhe një kuzhinë që funksionon si dhomë gatimi, dhomë ndenjjeje dhe dhomë ngrënieje. Por a është e mundur që apartamente të tilla t’i shndërrosh në hapësira moderne dhe komode? Sigurisht! Nëse këshilloheni me skuadrën e duhur të arkitektëve, kjo gjë është e mundur, madje në një kohë rekord.
Brenda katër ditësh, skuadra e arkitektëve të emisionit “Nga e para”, që po transmetohet në Vizion Plus, pranuan të ndanin me revistën “Anabel” eksperiencën në ridizenjimin e një apartamenti të vogël dhe disa këshilla praktike për të arreduar një shtëpi të tillë. “Shtëpia e parë që morëm përsipër për të ridizenjuar, i takonte një familjeje intelektualësh që përbëhej nga katër vetë: prindërit dhe dy fëmijët”, tregon Blerti Kroi, kryearkitekti i skuadrës “Nga a para”. Morëm përsipër familjen e zotit Shanaj, i cili gjithë jetën ia ka përkushtuar studimeve dhe, si shpërblim, nga jeta mori vetëm pasuri intelektuale, por jo materiale. Këtë gjë e tregonte qartë edhe shtëpia e tij. Gjendja jo e mirë ekonomike tregohej në çdo cep të shtëpisë: që nga linoleumi i vjetër që mbulonte dyshemenë, poshtë të cilit ishte krijuar një lagështi që të mbyste sapo hyje në apartament, dhe deri te suvaja e mureve, që ishte gati të binte me një të prekur të lehtë të gishtërinjve.
“Duke parë gjendjen ekonomike të kësaj familjeje, ramë dakord që t’i kushtonim rëndësi përdorimit të elementeve ekonomike, – thotë kryearkitekti i emisionit “Nga e para”. – Për këtë arsye, megjithëse kemi përdorur tre lloje ndriçimesh, për realizimin e tij, janë përdorur llamba ekonomike. Ndriçimi është një nga elementet kryesore në dizenjimin e brendshëm të një apartamenti, sepse nxjerr në pah vlerën e objekteve. Nëse një objekt nuk është i ndriçuar mirë, atëherë e humbet vlerën. Për këtë arsye, ne përdorëm një ndriçim të fshehtë, për të krijuar një ambient intim, një ndriçim qendror, i cili është më i fortë, dhe një ndriçim highlight, i cili fokusohet mbi një objekt të caktuar që duam të nxjerrim në pah”. Materialet ekonomike, por rezistente, janë përdorur edhe për pjesën e dyshemesë ku është përdorur parket laminat. “Ky lloj parketi u zgjodh për efekt kohe. Mund ta vendosësh shumë shpejt, është shumë rezistent, praktik dhe tepër ekonomik. Për më tepër, të jep ndjesinë e parketit dhe krijon një lloj ngrohtësie”, shton Blerti.
DHOMA E NDENJJES
Dhoma e ndenjjes u ridizenjua nga e para dhe mori një fytyrë të re e moderne. Kjo pjesë u bashkua vizualisht me kuzhinën. Kuzhina mori pamjen e një ambienti të plotë, pasi u hodh poshtë muri ndarës i aneksit ekzistues dhe i depos. Në këtë mënyrë, duke i bashkuar, përftuam një ambient të madh, që nuk ndahet me mure ndarës nga dhoma e ndenjjes, por ndahet vizualisht nëpërmjet përdorimit të ngjyrave të tjera dhe pajisjeve elektroshtëpiake karakteristike të ambientit të gatimit. Në dhomën e ndenjjes janë përdorur ngjyra të lehta mes grisë dhe kafes.
“Ngjyrat e hapura janë ideale për t’i dhënë jetë volumit, – këshillon kryearkitekti. – Një kujdes i madh i duhet kushtuar edhe arredimit. Për të krijuar sa më shumë hapësirë në apartamente jo fort të bollshëm, është shumë e rëndësishme zgjedhja e mobilieve dhe sistemimi i tyre. Ne zgjodhëm një divan në formë L-je, të cilin e vendosëm pas mureve. Të njëjtën gjë bëmë edhe me mobiliet e tjera. Duke i afruar pranë mureve, krijuam një qendër të lirshme dhe hapësirë për korridoret e kalimit”.
DHOMA E GJUMIT E ÇIFTIT
Në dhomën e gjumit e prindërve janë përdorur ngjyra të lehta. Ajo ka karakter modern dhe kjo duket në përdorimin e mobilieve. Linjat e tyre janë të drejta dhe të pastra. “Një nga elementet kryesore është një gardërobë-kabinë. U inkorporua brenda dy faqeve të murit, duke e çliruar dhomën nga rrëmuja vizuale që krijojnë rrobat e lëna jashtë dollapit”. Është përdorur ngjyra e bardhë dhe pjesët e murit janë në një të gjelbër të barit. “Është zgjedhur ngjyra e gjelbër, sepse anon në tonet klasike dhe i jep pak moshë kësaj dhome. Këtu është bërë një kombinim mes arredimit modern, që mbizotëron në të gjithë shtëpinë, por duke respektuar moshën jo fort të re të çiftit.
DHOMA E GJUMIT E VAJZËS
U realizuan tri dhoma gjumi, të cilat u ridizenjuan sipas karakterit të të zotëve. “Dhoma e vajzës ishte shumë e vogël. Vetëm në 7 metra katrorë, arritëm të inkorporonim një dollap dhe një shtrat, të cilët përbëjnë mobiliet kryesore të dhomës. Për të krijuar ndjesinë e hapësirës, vendosëm një pasqyrë të madhe mbi shtrat”, thotë Blerti. Arredimi i dhomës i përket linjës neoklasike. Elementet neoklasike duken në detaje të vogla, por të dukshme, siç janë për shembull krevati i punuar me hekur të rrahur, i kombinuar me një tavolinë me këmbë klasike dhe me pasqyrën me kornizë klasike.
DHOMA E GJUMIT E DJALIT
“Djali është i apasionuar pas elektronikës. Për t’i dhënë fizionominë e saj edhe dhomës së tij, menduam që këtë gjë ta realizonim nëpërmjet disa elementeve. Si fillim përdorëm një ndriçim hightech. Krevati është ndriçuar nga poshtë, duke krijuar idenë e një anijeje kozmike. Meqenëse pasioni i tij i dytë i madh janë filmat, ne i vendosëm në dhomë edhe një projektor të vogël. Për të krijuar idenë e një dhome mashkullore, përdorëm ngjyrat bardhezi te perdet. Çfarë e bën edhe më shumë mashkullore dhomën, është një detaj interesant i vendosur në formë slogani në perde, ku shkruhet “Sex, Love and Rock n’roll”.
KORRIDORI
Nuk e ka humbur funksionalitetin që ka zakonisht në çdo familje shqiptare. Në të është vendosur një dollap i madh këpucësh, i cili krijoi hapësirë, sepse pastroi vizualisht rrëmujën e krijuar nga këpucët. Gjithashtu, është vendosur një portmanto me një funksion mjaft praktik. Për të prezantuar karakterin e kësaj familjeje, në korridor është ndërtuar një bibliotekë e vogël plot me libra, e cila tregon qartë sapo hyn në derë nivelin intelektual të të zotëve të shtëpisë.
DEKORI
Si aksesorë janë përdorur lulet natyrale. Ato janë zgjedhur të tilla, që me pak kujdes, të jetojnë gjatë. Të tilla janë lulet njëngjyrëshe të gjelbra ose kaktuset. Si elemente të tjerë zbukurues, janë edhe disa tablo me hieroglife, të cilat theksojnë karakterin modern të arredimit.