Metropolitan > Cover Story

Alketa & Vera, kimia që prodhon sukses

Në zyrën e tyre në një nga ndërtesat e reja të TV Klan-it, vetëm qetësi nuk ka! Njerëz që hyjnë e dalin, telefona që nuk pushojnë... Kanë nisur përgatitjet për fazën e Vilave të Jurisë dhe Vera është duke planifikuar një udhëtim me ekipin në Venecia për disa xhirime të kësaj faze. Së bashku me Alketën, do të shkojnë edhe në Romë për të takuar Simona Venturën e më pas do të vazhdojnë udhëtimin në Wembley të Londrës, të ftuar në finalen e “X Factorit” britanik. Fotografia: Geljant Kaleci

Nga Dalina Buzi ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

Në zyrën e tyre në një nga ndërtesat e reja të TV Klan-it, vetëm qetësi nuk ka! Njerëz që hyjnë e dalin, telefona që nuk pushojnë... Kanë nisur përgatitjet për fazën e Vilave të Jurisë dhe Vera është duke planifikuar një udhëtim me ekipin në Venecia për disa xhirime të kësaj faze. Së bashku me Alketën, do të shkojnë edhe në Romë për të takuar Simona Venturën e më pas do të vazhdojnë udhëtimin në Wembley të Londrës, të ftuar në finalen e “X Factorit” britanik. Gjatë gjithë këtij udhëtimi, Alketa do të shoqërohet nga djali i saj Lioneli, që ende s’i ka mbushur 1 vjeç. Tashmë është mësuar ta marrë me vete, e ka marrë në çdo audicion. Lioneli i ka dhënë fat Alketës që kur e kishte në bark. Nëntë muajshe shtatzënë, ajo mbylli marrëveshjen me “Fremantle Media” dhe arriti të fitonte patentën e “X Factor-it” duke lënë pas dy televizione të mëdha shqiptare, që garonin për të njëjtin show. Për herë të parë, në titrat e programit, emri i saj renditet përkrah Verës si producente. Çfarë të mrekullon më shumë nga e gjithë ajo skenë në atë zyrë të vogël në një nga ndërtesat e reja të TV Klan-it, nuk është energjia e jashtëzakonshme që shpenzohet për këtë program (në fakt as Vera dhe as Alketa nuk kanë ditur ndonjëherë “ta marrin shtruar”, por gjithmonë kanë punuar intensivisht, sikur çdo minutë të ishte e fundit përpara premierës), nuk është as fakti që formula e spektaklit muzikor më të famshëm në botë u ble nga një 27-vjeçare, pa asnjë shtëpi produksioni mbrapa, pa asnjë mbështetje të ndonjë «bordi drejtues burrash». Ajo që të mrekullon në atë ambient, është kimia e jashtëzakonshme midis regjisores Vera Grabocka dhe moderatores Alketa Vejsiu, një kimi e mbrujtur me një sens mirënjohjeje dhe besimi shumëvjeçar, që rrallë e gjen në bashkëpunime të tjera në Shqipëri. Atë çfarë Vera krijon me një energji, shije dhe intuitë të pakrahasueshme, Alketa arrin ta shesë siç duhet, duke i dhënë të njëjtën dozë pasioni dhe energji e asaj bebeje të formësuar në mendjen e Verës. Nëse Vera do që të përcjellë klas dhe elegancë, mjafton që Alketa të shfaqet në skenë me fizikun, qëndrimin dhe buzëqeshjen e saj të admirueshme; nëse Vera do show, Alketa bëhet një Raffaella Cara dhe këndon e kërcen me sharmin e një artisteje; nëse Vera do ndjeshmëri, Alketa harron spektaklet dhe entuziazmin e turmave të mëdha, ulet në një kolltuk me të varfër në nevojë e i dëgjon, madje qan me ta (siç ndodhi disa herë tek «Më shumë dashuri»). Nëse Vera do që njerëzit të kuptojnë pasionin me të cilin është realizuar një projekt, pasion të cilin ajo, e tërhequr nga kamera, e ka të pamundur ta tregojë me fjalë, Alketa e promovon më së miri. Vera Grabocka është me fat, sepse tek Alketa ka gjetur përcjellësen më të mirë të çdo vepre të krijuar prej saj me një pasion e përkushtim të jashtëzakonshëm. 

Por fjala «fat», edhe pse përdoret shpesh në stafin supersticioz të Grabockës, në fakt nuk është aq e rëndësishme sa fjala «punë». Asgjë nuk është e rastësishme, as kjo marrëdhënie e admirueshme midis Verës dhe Alketës. Vera nuk është nga ata drejtues të cilët urdhërojnë nga zyrat e tyre luksoze, por gjithmonë ka qenë e kujdesshme që t'u rrijë sa më pranë atyre tek të cilët ka besim. Çdo ditë Vera të lexon një tjetër faqe nga shkolla e saj dhe nëse je i aftë “t'i vjedhësh» diçka, bën shumë mirë. Nga ana tjetër, Alketa nuk e mbivlerësoi asnjëherë talentin e lindur të moderimit, me të cilin spikati që kur ishte 14 vjeçe në Top Albania. Përkundrazi, vendimet që mori për të lënë një sukses e për t’ia nisur e pasigurt nga e para me Verën, treguan se ajo nuk e kishte problem të rikthehej nga një yll radiofonik në një nxënëse të dëgjueshme. Madje edhe sot, kur Alketa është në rolin e producentes, pa asnjë lloj kompleksi, ajo pranon se do të vazhdojë të ndjekë me shumë dëshirë shkollën “Grabocka”. “Do të mbetem nxënësja e Verës përgjithmonë; më vjen mirë që ajo më konsideron si një nga "nxënëset e dalluara". Ku ka trofe më të madhse ky?!», tregon ajo. 

Vera zbuloi Alketën apo Alketa e kërkoi me ngulm Verën? Të dyja japin versionin e tyre, por në fund kanë një shpjegim të përbashkët: Ato po e kërkonin njëra-tjetrën në këtë showbiz. “Isha në kërkim të një superylli. Sapo isha kthyer nga Los Anxhelosi dhe doja të nisja një serial buzë detit. Ishte një konkurs i madh me 84 këngëtarë dhe njëkohësisht me kërcimtarë të dansit sportiv, ndër më të mirët e botës. Normalisht mendohej që këtë duhej ta drejtonte një superyll, një prezantues i afirmuar, jo i panjohur. Ndërsa unë bëra të kundërtën: Kërkova një vajzë të re, të panjohur, kërkova me intuitë një vajzë që ta bëja të famshme. Pashë shumë dhe, kur erdhi Alketa, kujtoj që nuk e provova fare. E pyeta: ‘Do të bëhesh e famshme?’. Dhe kështu nisi…”.

Vera gjeti atë që kërkonte, pa e ditur që paralelisht, disa ditë përpara takimit, Alketa ishte lumturuar kur kishte marrë vesh për rikthimin e Verës nga Amerika.«Ishte ëndrra ime të takoja Vera Grabockën. Më thonë se ishte kthyer nga Amerika dhe donte të më takonte. Kujtoj që ishte 8 mars dhe sapo hyra në derën e zyrës së saj në Teatrin e Operës dhe Baletit, më rrihte zemra fort. Kisha çantën e shkollës në kurriz dhe diktofonin në dorë. Kujtoj që zyra ishte mbushur me mimoza e lule kumbulle. Vera më pyeti: «Do të të bëj Raffaella Carra-në e Shqipërisë?».

Që atëherë Alketa ka qenë moderatore e pjesës më të madhe të spektakleve të Verës. «Njerëzit e ekranit si Alketa dalin shumë rrallë, nuk është aq e lehtë t'i zëvendësosh. Po të shohësh edhe në Francë, Amerikë e Itali, janë disa figura që qëndrojnë në ekran me vite të tëra. Merrni shembullin e Adi Krastës e Ardit Gjebresë. Një Krasta dhe një Gjebrea kanë dalë; nuk mund të përsëriten lehtë; nuk mund të shpiken përditë moderatorë të këtij niveli. Unë Alketën e kam pëlqyer që ditën e parë, edhe pse ka pasur shumë njerëz rreth meje që e kanë diskutuar, më kanë kundërshtuar në zgjedhje, më thoshin ‘lëre, se është e vogël’. Por unë gjithmonë kam thënë që Alketa është gjeni në llojin e vet dhe jo vetëm që s'më ka zhgënjyer mua, por as publikun. E vërteta është që diskutimet bëhen gjithmonë për njerëz që vlejnë dhe jo për mediokrit. Për mediokrit nuk flet kurrë njeri.”

Besimi që kishte tek Alketa, sado i madh, nuk e përgatiste kurrë Verën për atë që do të ndodhte më pasnë bashkëpunimin e tyre, aq më tepër, nuk e përgatiste për “X Factor-in” dhe për fuqinë e Alketës për t’i çuar gjërat deri në fund. «Kjo vajzë e re ka 7 vjet që më flet për patenta, ndërsa unë gjithmonë këmbëngulja që njeriu duhet t›i krijojë vetë spektaklet. Mirëpo koha ka unifikuar botën, globalizmi ka hyrë edhe në televizion. Kështu, një ditë, një vajzë e re shtatzënë ngrihet e më thotë: ‘Unë do të sjell në Shqipëri një patentë të jashtëzakonshme, që quhet ‘X Factor’”, rrëfen Vera. Kur e shprehu dëshirën, Alketa nuk e dinte se gara ishte edhe më e ashpër seç mendohej. Do të luftonte e vetme përballë dy televizioneve të fuqishme. «Ishte një moment kyç dhe shumë i vështirë kur unë po debatoja nëse duhet të vazhdoja apo të hiqja dorë nga patenta. Në atë moment Vera më thotë në telefon: ‘Unë s'jam kthyerkurrë mbrapsht në jetë. Ti i ke hyrë oqeanit më këmbë, gjysmën e ke kaluar, shiko vetëm përpara. Fuqia e saj për t'i parë gjërat pa ndodhur më dha besimin për të ecur përpara dhe bëri që të fitonim licencën e ‘X Factorit’, shton Alketa. Në rolin e nxënëses dhe me moshë aq sa mund të konsiderohej sa vajza e Verës, Alketa gjithmonë është diskutuar për ngjashmërinë e madhe që ka me regjisoren, pasi ndajnë së bashku të folurit e shpejtë dhe energjinë që rrezatojnë në çdo ambient, aq sa duket sikur nxitojnë për diku tjetër. Por Vera për herë të parë tregon se nuk është vetëm Alketa nxënëse e zellshme e shkollës së saj. «Unë them se Alketa më ngjan. Por unë kam mësuar shumë prej saj. Unë kam bërë një shkollë arti tërë jetën, e kam të theksuar sensibilitetin ndaj artit. Alketa, nga ana tjetër, ka të theksuar menaxhimin, marketingun; është e jashtëzakonshme në këtë aspekt; ka një dhunti të rrallë në showbiz. Marketingun, ajo di ta bëjë shumë mirë dhe kjo është një nga gjërat që unë kam mësuar prej saj.»

ENERGJIA E PAKONKURRUESHME E VERËS 

Tashmë që të drejtat televizive i ka marrë TV Klan-i, i cili po e prodhon këtë superspektakël, përpjekjet dhe lufta e madhe, që nisi vetëm nga dy persona, tashmë është shpërndarë në një staf më të madh. “Është një spektakël shumë i madh, më i madhi që kemi realizuar ndonjëherë”, na tregojnë pjesëtarë të stafit të ngushtë. Nëse imagjinoni një staf gjigant, harrojeni këtë kur bëhet fjalë për Verën. Ajo ka shumë pak të besuar, të cilët i ka zbuluar në etapa të ndryshme të punës së saj dhe ata vazhdojnë ta ndjekin e të punojnë me të, edhe pse një punë e qëndrueshme, pa ndërprerje sezonale, mund të ishte e volitshme. Betohen se është shkolla më e mirë që kanë përfituar, nuk diskutojnë kurrë oraret e zgjatura dhe janë shumë besnikë e pasionantë ndaj asaj çfarë ndodh në staf, sikur të mos ishte një projekt, por një bebe që kanë vendosur ta rrisin së bashku. Stafin e Verës e dallon lehtë, sepse, në përpjekje “për të garuar" me energjinë e jashtëzakonshme të Verës, janë stërvitur të mendojnë me të qindtën e sekondës, si ajo, dhe, për më tepër, janë stërvitur me një shije të hollë. Madje gradualisht sheh se si disa prej tyre shndërrohen nga adoleshentë rebelë e të rrëmujshëm në djelmosha e vajza fine dhe të suksesshëm në karrierë. Vera nuk indukton, nuk urdhëron, por prania e saj ka një fuqi që rrallë njerëz mund ta kenë. Më ka habitur shpesh fakti se si njerëzit që punonin për të, në mënyrë të pandërgjegjshme, «vidhnin» shprehje apo reagime të saj. Më ndodhi edhe mua, derisa e kuptova se ajo asnjëherë nuk krijonte fjali e hidhte fjalë vetëm se duheshin, por u jepte rëndësinë e duhur (ose të tepërt, por të padëmshme) çdo shprehjeje. Nëse në një tavolinë do të hahej i njëjti peshk i shijshëm nga 10 vetë, askush nuk do të ishte po aq bindës sa Vera për gatimin “e shkëlqyer të atij peshku të egër e të freskët, të sapo peshkuar në një mëngjes të ftohtë në Adriatik". E kuptuat? Asgjë për të nuk duhej të ishte e zakonshme: një spektakël nuk mund të ishte i zakonshëm, një prezantues nuk mund të ishte i zakonshëm, as edhe një bashkëpunëtor nuk mund të ishte i zakonshëm. Të zakonshmit që donin të punonin për Verën, skarcoheshin vetë, në pamundësi për ta kuptuar, edhe nëse kishin mbajtur shënim fjalë për fjalë ato që thoshte Vera gati përditë. 

Që të kuptoni se si Vera Grabocka është producentja më e suksesshme në Shqipëri, mjafton të shihni blloqet e mbushura me shënime të “X Factor-it”. Nëse nuk e dini, ajo ka qenë regjisore televizive e filmit “Prefekti”. Po, po, të atij filmit të realizuar vite më parë! Imagjinoni sa vite kanë kaluar! Të mendosh që sot, me gjithë atë famë dhe eksperiencë, Vera do të ishte duke dhënë urdhra nga shtëpia e saj, e bindur se «e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë». Por e vërteta është që, sapo vendosi të përfshihej si bashkëproducente në projektin e “X Factorit”, ajo kaloi orë të tëra në bibliotekën e Los Anxhelosit dhe studioi me shënime formulën. «Formulën ta shesin, por sekretet e realizimit të suksesshëm nuk t›i thotë njeri», tregon ajo. Në blloqet e saj ka shënime teknike për episod: duken tamam si shënime studenti përgjatë një semestri në një degë televizioni. Në fakt, studentët do të bënin mirë t'i shihnin, për të kuptuar se shkolla e vërtetë, ajo pa diplomë, nuk mbaron kurrë. “Shqetësimi i krijuesit ekziston gjithmonë, qoftë nëse bëhet fjalë për një emision që e ke krijuar vetë apo për një patentë që njihet në të gjithë botën si ‘X Factor’. Neve na ndan një fije nga dështimi dhe ky është shqetësimi më i madh. Nuk ka rëndësi pritshmëria e njerëzve, por ajo që ti pret se do të realizosh. Me ‘X Factor-in’, përgjegjësia është shumë e madhe, pasi do të jesh gjithmonë përballë një pasqyre me të cilën do të krahasohesh vazhdimisht.” 

Vera ka krijuar me dhjetëra patenta, duke nisur që nga emisionet me numrin e fatit 12, trilogjia «Dua më shumë Shqipërinë», festivale me këngë popullore apo prodhimi gjigant me përmasa ndërkombëtare “EUROVIDEO GRAND PRIX”. «Është qesharake të thuash që ‘unë i kam krijuar’ patentat, sepse për çdo spektakël është punuar në ekip. Për mua, nuk ka ndryshim nëse e kam krijuar vetë apo e kam patentën të gatshme. Përkushtimi dhe puna është e njëjtë në të dyja rastet. Nuk është e lehtë të vësh në jetë një patentë, është përgjegjësi e madhe. Kompanitë që lëshojnë të drejtat e spektakleve të tilla, kanë po aq të drejtë të ta heqin patentën nëse e shohin se nuk e realizon dot.»

“X Factor-i” erdhi në TV Klan i shoqëruar nga një publicitet i jashtëzakonshëm. Vera, një nga artistet më të tërhequra të shtypit e medias elektronike, këtë radhë kishte vendosur të fliste. Të fliste për gazetat dhe për revistat, duke thyer një rregull të heshtur të sajin: «Unë punoj dhe ti shkruaj për punën time». Revistat i konsideroj si një kujtim shumë të bukur për fëmijët dhe nipërit e mi, ndaj nuk i kam refuzuar. Por me televizionin është ndryshe. Sa herë më është kërkuar një intervistë, kam qenë gjithmonë në mes të punës dhe nuk mund ta lija. Pastaj jam shumë supersticioze dhe mendoj se më mirë të flasë vepra vetë sesa të flasësh paraprakisht për veprën tënde. Unë u mësova në TVSH, atëherë kur ekzistonte vetëm ai televizion dhe njerëzit mbylleshin në shtëpi e shihnin vetëm programin tënd. 

Të nesërmen mësoje se ç'mendonin njerëzit, gjithë këshillat, komplimentet apo kritikat. Nuk kishte nevojë për promocion. Ndërsa tani janë bërë shumë televizione dhe, duke pasur kaq shumë, reklama është e nevojshme Gjithsesi, profesioni im është mbrapa skene – gjithmonë një profesion i fshehur – dhe mua më pëlqen kjo gjë. Sado të jetë munduar Vera të fshihet, në fakt ajo është regjisorja e vetme (dhe më pas producente) e cila mori statusin «celebrity». Pavarësisht moshës, në çdo moment të jetës së saj publike, ajo ka ngjallur po aq interes si profesioniste prapa skene, ashtu edhe në kopertinën e një gazete rozë përkrah vajzave e djemve sa gjysma e moshës së saj. Si një analogji e bukur me emrin e saj, Vera bëhet gjithmonë e më tërheqëse në portret, me kalimin e viteve. Pa frikë, ajo mund të jetë një nga gratë më në formë të spektaklit shqiptar. Me një look alla-Ralph Lauren (çizmetë gjata, streçe dhe triko të gjatë), me një ecje aq energjik sa moshatarët e saj do të kishin ngelur prapa duke kapur frymëmarrjen, dhe me një trup të imët, pa asnjë shenjë kileje të tepërt, ajo garon edhe me 20-vjeçarin më në formë dhe ambicioz. Dhëndri i saj Ilan i thotë me shaka: «Nëse Porsche-i do të të njihte ty, do ta quante motorin tij Vera». Nëse kalon njëfarë kohe me të, duhet të stërvitesh me ritmin e saj. «Më kujtohet se si një ditë më humbi energjia. Për herë të parë kuptova se energjia është thelbi i jetës, shija dhe kuptimi i saj. Por, t'ju them të drejtën, energjinë, fizikun, pamjen, e kam gjenetike. Mamaja ime është 80 vjeçe dhe duket më e re, si 50. Gjithashtu, është shumë i rëndësishëm dhe stili i jetës që bën. Unë nuk i përjetoj dramat, kam ndërtuar një mburojë dhe përpiqem t'i mbaj sa më larg. Nuk dua të konsumohem me energji negative. Ndërkohë, edhe puna që kam, më mban nëformë, aq më tepër që unë e kaloj ditën me të rinj. Ata janë në të 20-at dhe me ta vetëm rinohesh. Kam kolegë që kanë vite që kanë dalë në pension. Këto besoj se janë arsyet pse ndihem pa moshë. Botox-et, helmet që futen në lëkurë, operacionet plastike, nuk janë për mua. Madje më duken të tmerrshme, aq më tepër që dikur, në fëmijërinë time, nuk kam pasur një eksperiencë të mirë me narkozën. Nuk ndodhin shpesh, por ka raste që ndërhyrje të tilla mund të jenë fatale. 

Këto kohë, në mendjen e Verës është vetëm “X Factor-i”.Kur u ndamë pas intervistës, ishte e qartë që për disa muaj nuk do të takoheshim. Por nëse e kërkon ta takosh, do ta kesh nga mëngjesi deri në darkë në ambientet e TV Klan-it, në zyrë apo në skenën që po ngrihet për netët gala të spektaklit. Sa merr në dorë një projekt, ai kthehet në ushqimin e saj të përditshëm, në oksigjenin e domosdoshëm për të karikuar energjitë e saj. Në momentin që mbaron sezoni, Vera, së bashku me Timon,marrin avionin dhe nisen menjëherë drejt Los Anxhelosit,atje ku jeton vajza e tyre Linda dhe nipërit David-i dhe Jonathan-i. «David-i dhe Jonathan-i janë dy superyjeËshtë një dashuri me një fuqi të jashtëzakonshme kjo për nipërit. Si duket, ka të bëjë me faktin që jemi më të pjekur për të dashuruar. Bashkë me Timon, nuk përtojmë të udhëtojmë 30 orë në avion për të qenë afër tyre». Dikur, në një revistë mujore, Grabocka ishte shprehur se me vajzën, më shumë se një marrëdhënie nënë-bijë, ajo kishte ndërtuar një marrëdhënie mes dy mikeshash të ngushta. E dashuruar historikisht pas punës, dukej sikur Vera e kishte të vështirë të gjente ekuilibrin midis orëve të gjata në televizion dhe vajzës. «Unë mendoj se një nënë që dashuron punën nuk duhet të ndihet aspak fajtore. Ti sjell në jetë një fëmijë pa bërë sakrifica ekstreme dhe nuk kërkon prej tyre sakrifica ekstreme. Fëmija yt është një individ i lirë, nuk mund të kërkosh asgjë prej tij/saj. Unë me Lindën kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Mund të them se jam me fat. Aq e fuqishme është dashuria mes nesh, sa ndikojmë tek njëra-tjetra gjithmonë, e çojmë njëra-tjetrën herë majtas e herë djathtas, gjithmonë duke kërkuar një drejtim së bashku». X- i BRENDA A-LKETËS Alketa kishte vite që fliste për “X Factor-in”. Sa herë shfletonte revistat angleze, shihte se si 70% e tyre pushtoheshin nga lajme mbi personazhe që ky format kishte prodhuar. Intuita i thoshte se ky ishte një program “hit” dhe se duhet të vinte në Shqipëri dhe ajo duhet të ishte medoemos pjesë e saj. 

Alketa gjithmonë është prirur të bëjë gjëra të mëdha. Askush nuk e mohon dot faktin se sot është një ndër ikonat femërore të prezantimit. Si moderatore, ka gëzuar gjithmonë ofertat për spektaklet me shikueshmëri më të lartë në Shqipëri. Nëse nuk kanë qenë me Verën, ka punuar me vëllezërit Laço për “Gjeniun e Vogël” dhe “Këngët e Shekullit”. Dy vjet më parë, ajo vendosi të largohej nga ekrani i TV Klan-it për një ofertë lukrative si prezantuese e “Dancing with the Stars”. Këtë radhë në një produksion tjetër. Në edicionin e dytë, ajo u zëvendësua nga Ami dhe Ermali. «Kam marrë qindra mesazhe kur nuk u shfaqa në ‘Dancing...’. Më bënë të lumtur në periudhën e shtatzënisë së dytë, në pritje të djalit. Kudo në botë, sukseset dhe dështimet e programit identifikohen me atë që i prezanton. Është një peshë impenjative, por kur projektet rezultojnë të suksesshme, është një shpërblim i madh për punën. Mendoj që në suksesin e ‘Dancing...’ kam dhënë një kontribut të rëndësishëm.» Alketa kishte qenë shumë e rezervuar për përpjekjet e saj për të marrë “X Factor-in”. Askush nuk e dinte, përveç miqve të saj më të ngushtë. Vetëm kur televizionet që konkurruan për të njëjtën patentë mësuan fituesin, atëherë lajmi mori dhenë. Shumëkush u habit që ajo e kishte marrë fill e vetme këtë patentë, madje në shkrimet që zinin faqet e para të gazetave, ekrani i transmetimit nuk ishte përmendur ende. “Nuk është se bëra një zgjidhje nisur thjesht nga një preferencë personale. Unë e shoh veten në funksion të publikut dhe përpiqem t’i shërbej komunitetit të cilit i përkas. E doja ‘X Factor-in’, sepse nuk ishte thjesht një talent show, një spektakël me shikueshmëri të garantuar, por edhe një mision social, në shërbim të të rinjve dhe artit shqiptar. Ky format rendi kudo për të zbuluar talente, për të energjizuar jetën e të rinjve edhe në zonat më të thella shqiptare; erdhi si një shpresë për mijëra njerëz ambiciozë, që ishin aty duke na pritur dhe askush nuk u kishte thënë më parë ‘Ti mundesh, ti vlen!’. Shumicës së producentëve, kjo fjali do t'i duket pak e tepërt, sepse në fund të fundit, dëshira për të bërë televizion nuk ka aq shumë lidhje me misionin social, sesa ka lidhje me kreativitetin dhe shikueshmërinë. 

Një program nuk mund të ndryshojë shoqërinë dhe as do të nxjerrë nga varfëria ata konkurrentë, por Alketa nuk ka dëshirë t'i trajtojë programet si një mjet që justifikon qëllimin financiar apo si rritje të vlerës në bursën e famës. E gjithë jeta e saj ka qenë një ngjitje për diku më lart, tek diçka më e madhe, që nuk kufizohej vetëm në televizion. «Kam mijëra shkallë që duhet të ngjit për të prekur atë majën virtuale. Por, në fakt, mendoj se arritja e majës është ‘pika e vdekjes’ për artistin, është ai kulmi që zhvesh njeriun nga dëshira për të luftuar për diçka të madhe. Kjo më bën të besoj se jeta ime do të jetë gjithmonë një përpjekje e pambarimtë për t’u përsosur.” Kur Alketa flet për karrierën e saj, nuk e shkëput dot pjesën e biznesit nga spektakli, madje mendon që një ditë të drejtojë një akademi për lidership. Në “X Factor”, ajo u kujdes për marrëveshje e kontrata me kompaninë që mbante patentën, me televizionin Klan ku u vendos shfaqja e programit dhe me sponsorët e programit. Biznesin ka vendosur ta vazhdojë edhe më pas. «Të gjithë finalistët e ‘X Factor-it’ do të jenë nën menaxhimin e agjencisë sonë ‹Star Management’, për t'iu garantuar atyre një rrugë të gjatë në muzikë. Mungesa e menaxhimit është kriza më e madhe e artistëve shqiptarë. Ka ardhur koha që ky faktor kaq domethënës në art të marrë jetë edhe në Shqipëri.” 

Kur Alketa nuk është në zyrë, ajo është me dy fëmijët e saj, me 5-vjeçaren Nicole dhe Lionelin, që ka ardhur në jetë në muajin maj të vitit të kaluar. Djali e shoqëroi nëpër të gjitha audicionet e Shqipërisë. «Mua Zoti m'i ka dëgjuar lutjet. ‘Do të kem bërë ndonjë të mirë të madhe në jetë’, them ndonjëherë me vete. Vajzën e kam parë në ëndërr para se të lindte me atë portret që ka realisht. Ajo ka temperamentin tim, personalitetin dhe pamjen e të atit. E doja patjetër të ishte vajzë fëmija e parë, ndoshta sepse s'kam pasur motër e më ka munguar. Do jemi dy mikesha shumë të mira, sepse kur lindi Nicole, unë isha shumë e re. Djali është padyshim një gëzim i madh, që ka plotësuar familjen. Është një emocion tjetër dhe thonë që më ngjan shumë. Ardhja e fëmijëve është mrekullia e jetës sime.” Çdo nënë do të fliste mirë për fëmijët e saj, do të thoshte se ata janë më të bukurit në botë, por nëse sheh vajzën e Alketës, betohesh se ajo ka dalë nga katalogu i «Gap Kids». Por fëmijët e saj i sheh vetëm nëse ke miqësi me të, sepse, përndryshe, ajo refuzon të publikojë foto, si shumë kolegë të tjerë nëpër media. Po kaq “i mistershëm” mbetet edhe i shoqi. Ekzistojnë vetëm dy foto të tyre në arkivën e revistave rozë shqiptare. «Është fat i madh që kam pranë një njeri që më mbështet dhe më ndihmon të rritem. Historia jonë është një histori e mrekullueshme. Është njeriu që çdo ditë më shtyn dhe beson se ‘mund të bëj gjëra të mëdha’. Për sa i përket medias, mendoj se familja jonë e ka një protagonist. Unë mendoj se njerëzit duan punën që unë bëj, atë që unë them përpara kamerave; pjesa tjetër është një makineri që prodhon thashetheme pa vlerë e pa kuptim. Është vlerë e shtuar të kesh një familje të realizuar, por nuk e shoh si vlerë të shtuar të vendosësh familjen në plan të parë të intervistave. S'kam nevojë ta bëj këtë. Zgjedhje personale. Por në të njëjtën kohë, nuk paragjykoj asnjë që zgjedh të kundërtën, të flasë publikisht.» 

Minutat e fundit të intervistës i bëmë rrugës drejt parkingut. Alketa do të shkonte të tërhiqte vizën angleze e më pas do të kthehej në shtëpi me fëmijët e saj dhe për një natë tjetër me ndërprerje të shkurtra «qumështi» për Lionelin. Lëvizjet, ritmi i shpejtë i punës, orët e gjata jashtë shtëpisë, nuk i vihen re fare në fytyrë. Vazhdon të ketë të njëjtën lëkurë të bukur si përpara 10 vjetëve. Flokët e shëndetshëm biondë i bien në supe dhe stili i saj klasik ka gjithmonë një prekje ngjyre. Shumë rrallë e sheh me të errëta, në këtë rast, e kundërta e Verës, e cila preferon të zezën dhe mund ta veshë përditë atë. As një vit nuk është mbushur nga ardhja në jetë e Lionelit dhe Alketa ka të njëjtin trup si më parë. «E vendos në tru peshën e duhur dhe vij shumë shpejt tek objektivi. Më ndihmon shumë natyra, sporti. Ushtrohem rregullisht me not në verë, vrap e pilates, pak ski në dimër. Kujdesem që të kem ushqim të kontrolluar. Mendoj se shëndeti është motori që vë në lëvizje trupin. Por më e rëndësishmja: mendoj se bukuria duhet të të burojë nga brenda. Çdo femër, pa përjashtim, ka imperfeksionet e veta, nuk ka bukuri perfekte. E rëndësishme është të ndihesh e bukur nën lëkurë.» Në pamjen e Alketës ndikon edhe fakti që një pjesë të vitit ajo e kalon në një nga qytetet më të bukura të botës, në Firence, aty ku shijon mrekullitë e Toskanës, që nga peizazhi i rrallë e deri tek gatimet e vera e mahnitshme e Italisë. E gjithë jeta e saj përqendrohet në dëshirën për të qenë në paqe me veten, duke shijuar në maksimum ato gjëra që do më shumë. Madje edhe kur flet për rrethin e miqve të saj, ka diçka për të shpjeguar. "Jeta të kushton shumë shtrenjt nëse nuk ke miq", më thotë njeriu i zemrës sime. Sepse ne do të shpenzonim më shumë kohë, energji dhe të ardhura për të mbushur boshllëqet e një jete pa njerëz. Kjo është esenca -përfundon ajo. 

Më pas përshëndetemi dhe ajo futet në makinë. Largohem nga ambientet e TV Klan-it e frymëzuar, por në të njëjtën kohë konfuze se çfarë të shkruaja më parë. Si për Verën, ashtu edhe për Alketën, ka kaq shumë për të thënë. Por frika më e madhe e imja në ato momente ishte: “A do të mundet një shkrim i vetëm të përshkruajë ritmin, fuqinë dhe energjinë e jashtëzakonshme të tyre?” Kam frikë se jo. E pamundur t›i kuptosh nëse nuk i njeh nga afër. Po aq e pamundur është t'i njohësh nga afër nëse nuk je pjesë e stafit. Atëherë e vetmja mundësi është të shohësh punën e tyre në TV Klan. Quhet “X Factor”. Dhe duke i njohur mirë të dyja, jam e sigurt që do të jetë një supershow!

Artikuj të ngjashëm