Metropolitan > Cover Story

Lori Hoxha, nga ''Daddy’s Princess'' në ''Queen of Style''

Ata që vazhdojnë ende të diskutojnë se “Çfarë ka bërë Lori për këtë vëmendje kaq të madhe?” ndoshta janë ata që s’po kuptojnë dot se ajo tashmë e ka vëmendjen. Dikur e mori falë babait të saj dhe pas tre vjetësh në treg, po vazhdon ta mbajë falë saj.

Nga Dalina Buzi ~
Shikoni fotot e tjera!    v      
FUSTANI: VALDRIN SAHITI 'GLAM GODDES' COLLECTION/ VATHËT: ÖRO TREND @KASTRATI JEWELLERY/ BYZYLYK: ÖRO TREND @KASTRATI JEWELLERY/ MAKE-UP: SUELA CANGU/ VENDNDODHJA: PALLATI I BRIGADAVE
FUSTANI: VALDRIN SAHITI 'GLAM GODDES' COLLECTION/ GJERDANI: 'DAMIANI' @KASTRATI JEWELLERY/ BYZYLYK: 'DAMIANI' @KASTRATI JEWELLERY/ MAKE-UP: SUELA CANGU/ VENDNDODHJA: PALLATI I BRIGADAVE
FUSTANI: VALDRIN SAHITI 'GLAM GODDES' COLLECTION/ VATHËT: 'CRIVELLI' @KASTRATI JEWELLERY/ VARËSJA: 'CRIVELLI' @KASTRATI JEWELLERY/ MAKE-UP: SUELA CANGU/ VENDNDODHJA: PALLATI I BRIGADAVE
FUSTANI: VALDRIN SAHITI 'GLAM GODDES' COLLECTION/ VATHËT: 'CRIVELLI' @KASTRATI JEWELLERY/ UNAZË: 'CRIVELLI' @KASTRATI JEWELLERY/ MAKE-UP: SUELA CANGU/ VENDNDODHJA: PALLATI I BRIGADAVE

Intervistën e saj të parë e ka dhënë rreth 4 vjet më parë për revistën “Anabel”, kur ishte 17 vjeç. Sapo ishte kthyer nga Italia ku jetonte prej vitesh. Nuk e prisnim që të kishte aq shumë sukses ajo intervistë dhe për më tepër nuk prisnim një artikulim dhe një mprehtësi të tillë nga një adoloshente, e cila atëherë dha atë që njerëzit nuk prisnin nga një trashëgimtare: Modestinë.

Më pas Lori Hoxha hapi blogun e saj dhe që në fillimet e tij, blogu shënoi një boom klikimesh. Ato që vishte, ajo çfarë thoshte, mënyra e fotografimit, krijuan menjëherë një rrjet admiruesish, por fama e shpejte, i solli me vete edhe shume “armiq” që në forma të ndryshme nga diskutimet në FB deri tek sharjet dhe ofendimet në inboxin e saj, vinin në diskutim “vlerën” e kësaj fame. Gjithandej, lexoje shqetësime njerëzish se përse duhej admiruar një vajzë që vishej dhe ekspozonte pasurinë e vendosur nga I ati?

Lori nuk e pati të lehtë përballjen me anën e errët të botës ‘online’ dhe vendosi të mbyllte blogun. Por më të vështirë e pati që të qëndronte larg komunikimit që kishte krijuar me anë të stilit të saj. Ndaj pas një pauze, u rikthye vetëm në Instagram dhe këtë rradhë, më e rezervuar për jetën e saj private dhe më e rreptë me ata që mund ta ofendonin.

Në momentin që shkruajmë, Lori Hoxha numëron 126 mijë ndjekës në Instagram, më shumë se një pjesë e madhe e këngëtarëve të njohur, gati dyfish apo trefish më shumë ndjekës se të gjithë personalitetet shqiptare që kanë dhënë kontribut prej vitesh në fusha të ndryshme. Dhe numrat e saj vetëm rriten. E duan apo jo, njerëzit duan të dinë për të, të shohin se çfarë vesh, ku shkon dhe të kopjojnë aq as munden stilin e saj.

Ata që vazhdojnë ende të diskutojnë se “Çfarë ka bërë Lori për këtë vëmendje kaq të madhe?” ndoshta janë ata që s’po kuptojnë dot se ajo tashmë e ka vëmendjen. Dikur e mori falë babait të saj dhe pas tre vjetësh në treg, po vazhdon ta mbajë falë saj.

Dhe ne parashikojmë që Lori do të jetë këtu për një kohë të gjatë duke rrëmbyer vëmendjen tonë dhe veshjet ishin vetëm fillimi.

Si u ndjeve sot në setin fotografik?
Ishte pak ftohtë, (qesh) por u ndjeva si një princeshë. Këtë fjalë e lidhin shpesh me emrin tim me përkëdheli, e kam dhe tatuazh në qafë, por asnjëherë nuk isha ndjerë dhe nuk sillem e vishem si e tillë, përkundrazi. Karakteri dhe stili im i veshjes është shumë larg atij të një princeshe, por ishte bukur. U kënaqa shumë.

Nuk ishte e rastësishme ideja e një "Princeshe përrallash", pasi shumë njerëz, jetën tënde, të paktën atë që e paraqet në Instagram, e konsiderojnë një ëndërr, gati të paarritshme. Ti vetë sa e mendon të tillë jetën tënde?
Njerëzit e shikojnë jetën time nga rrjetet sociale e domosdosmërisht ky opinion të krijohet, por kjo ndodh për jetën e të gjithëve. Është normale që në Instagram unë do postoj vendet ku shkoj, veshjen e ditës e gjërat sipërfaqësore të jetës sepse njerëzit fundja për këtë më ndjekin. Problemi i këtij fenomeni është që njerëzit mendojnë që jeta ime është 100% si fotot që shohin, kur në fakt nuk është kështu. Unë qaj, mërzitem, vishem me tuta, nuk lyhem, nuk krihem, grindem me motrat, por kjo nuk do të thotë që duhet ta postoj në rrjetet sociale. Jeta e askujt nuk është një ëndërr. Sigurisht që unë udhëtoj shumë dhe jam e bekuar në këtë aspekt por ndonjëherë këto gjëra veniten kur ti shpirtërisht nuk ndihesh e plotësuar dhe kjo më ndodh shpesh. Kërkoj më shumë nga jeta e ndoshta mbasi t’i kem arritur ato që kam në mendje do them që jeta ime është ëndërr, por tani jo.

Ke 126 mijë fansa në Instagram. Mendon që njerëzit tashmë vijnë për ty si Lori dhe jo si vajza e Dritan Hoxhës, siç bënin dikur?
Unë jam e bindur që tashmë njerëzit vijnë te unë sepse kërkojnë e pelqejnë Lorin. Në fillim u identifikova me emrin e babit tim për faktin se njerëzit nuk më njihnin dhe emri i tij i madh më eklipsoi si personazh. Pastaj njerëzve i pëlqen të më identifikojnë me imazhin e tij. Disa sepse mendojnë që i ngjaj, e disa të tjerë sepse mendojnë që unë nuk kam vlerat e duhura për t'u njohur si personazh i pavarur nga familja. Sidoqoftë unë mendoj që ata që kanë dashur e kanë kuptuar që une jam Lori dhe kam rrugën time për të bërë në jetë e do i lë gjurmët e mia. Nuk besoj që po mos të kisha përcjellë diçka, njerëzit do më ndiqnin sot, 3 vite më pas.

Fotot e tua marrin mijëra like dhe duken të mirëmenduara. Sa kohë harxhon ti duke u marrë me një foto (ku përfshihet mendimi, kombinimi i veshjeve, këndi i duhur i fotografisë)?
Nuk janë absolutisht. Unë për këtë arsye e mbylla blogun. I kam përzgjedhur veshjet e mia me kujdes që në moshë të vogël sepse më jepte kënaqësi personale, ndërkohë kur shkruaja në blog kjo pjesë mu bë detyrim dhe nuk e shijoja më. Blija rroba për blogun dhe i mendoja fotot me ditë të tëra. Ndërkohë tani jam unë, pastaj vijnë fotot. Dal nga shtëpia dhe nëqoftëse ndihem mirë, e gjej një mënyrë për ta ndarë me ata që më ndjekin. Nëse jo, nuk postoj asgjë.

A vazhdon të jesh e ndjeshme ndaj komenteve si dikur, apo tashmë nuk i vë re fare?
Jam e ndjeshme, por nuk më lëndojnë më. Të thuash nuk i vë re fare do ishte gënjeshtër, se dhe yjet botërore që kanë miliona komente i vënë re e jo unë. E rëndësishme është që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë kupton që kjo je ti dhe nuk mund t'i pëlqesh të gjithëve.

Si e prite popullaritetin e motrës sënde në rrjete sociale dhe më pas tërheqjen e saj?
Nuk e doja këtë gjë për Sarën e nuk e dua as për Redian e Itan. Unë vetë u futa me dëshirë, por pa e kuptuar çfarë sjell nga pas dhe realisht nuk sjell asnjë të mirë. Njerëz që flasin për ty, gazeta që shkruajnë dhe artikuj bosh. E në fund të ditës, nuk merr asgjë të vlefshme. Më vjen mirë që u tërhoq, nuk do e ndihmonte për asgjë.

Kur e sheh veten në foto, ai moment i shkrepur, sa përqind ka Lori aty dhe sa përqind është një modele e mirë veshjesh?
Po të tregoj një sekret! Kur më sheh duke qeshur jam unë 100%. Në rastet e tjera nuk di të të ndaj përqindjet (qesh).

Pse si është Lori në jetën e saj të vërtetë?

Lori është një karakter pa kompromise. Nuk besoj se ka njeri që mund të qëndroj indiferent, ose do më duan ose do më urrejnë. Dikur edhe më bezdiste ky fakt, por tani them që unë kështu jam, so deal ëith it (qesh).

Dikur në faqen tënde të Facebook-ut, njerëzit të ndiqnin edhe për mënyrën si shkruaje dhe shumë e vlerësonin mënyrën tënde të të shprehurit. Ndërsa tani në Instagram, ti thjesht poston foto dhe hesht, ose vendos ndonjë shprehje të thënë nga dikush tjetër. Ke bërë vetë këtë zgjedhje, që do të thotë, do vetë të identifikohesh vetëm për veshjet?
Nuk kam dashur kurrë të identifikohem për veshjet e mia dhe prandaj blogu nuk "më eci" sepse nuk isha unë. Moda është pjesë e imja, por nuk dua të njihem për këtë. Ëndrrat e mia nuk kanë lidhje me modën. Unë tani postoj vetëm në Instagram që si synim ka të përcjelli mesazhe nëpërmjet fotove të çastit e nuk ka prioritet fjalën dhe nuk postoj vetëm veshje. Në fakt, fotot me veshje janë ato që postoj më pak. Postoj vende, postoj ushqime, selfie, shprehje etj. Kjo është mënyra se si unë e perceptoj Instagramin, por kur është dashur të them diçka, e kam thënë. Në kohën e Facebook-ut dhe blog-ut, shumë ndjekës keqkuptonin postimet. Unë mundohesha të tregoja një mendim dhe opinion timin në lidhje me veshjet, udhëtimet, mënyrën e jetesës etj. Me pak fjalë një ditar. Kur filluan të mendonin që po imponoja mënyrën time të të jetuarit, hoqa dorë. Nuk ia vlente më të shpenzoja kohë me të dhe ta.

Është komunikimi në rrjet social një hobi apo pjesë e një strategjie?
Nëse do ishte pjesë e një strategjie, mendon se do ta thoja? (qesh)

Kohët e fundit kemi parë Armina Mevlanin e cila ka hapur një blog dhe tenton ta bëj atë të njohur edhe në botë. Ti e ke menduar këtë gjë ndonjëherë, pra ta shohësh blogun si biznes?
Jo. Nuk di të të përgjigjem për njeri tjetër. Unë nuk e kam parë kurrë si biznes por si zbavitje. Në momentin që nuk u kënaqa më, e mbylla.

Ca kohë të pamë në një periudhë "zie" në veshje. Zgjedhjet e tua ishin vetëm të zeza. Mua m'u duk sikur të kishte kapur një "përtesë" në kombinim. Çfarë ndodhi?
Jam akoma në atë periudhë (qesh). Jam dashuruar me të zezën por nuk ka lidhje me përtesën. Është më e lodhshme të kombinosh veshje të bukura monochrome, sesa të veshësh 5 ngjyra dhe një çantë marke e të dukesh "fashionable". Më pëlqen shumë stili parizien dhe neë yorkez këto kohë. Pak grim, flokët thjeshtë, një tonalitet ngjyre, pra një "look" pa stërmundime.

Habitesh që shkruhet kaq shumë për ty dhe ke kaq shumë ndjekës?
Habitem që më ndjekin kaq shumë, por jo që shkruhet. Showbiz-i ynë është shumë i vakët, ndaj dhe një koment i imi tranformohet në lajm për pak "gazetari". Në pjesën më të madhe të rasteve, habitem nga fantazia e disave për të gjetur lajm edhe aty ku nuk ka se si të ketë. Per shembull: "Lori dhe Sara, selfie në makinë". Kupton ku kemi shkuar? (qesh). Prandaj dhe shpesh herë njerëzit bezdisen nga disa lajme, që realisht nuk përbëjnë lajm.

Kur krahason Lorin e përpara 5 viteve dhe sot, çfarë të habit më shumë për veten tënde, që as do ta merrte mendja që do ta bëje?
Nëse do më thoje atëherë që pas 5 vitesh, blogu, Facebook etj do jenë një pjesë totalisht e parendësishme e jetës tënde, do isha habitur shumë.

Të shkojmë pak tek Lori në Top Channel? A ndihesh plotësisht pjesë e televizionit? Nuk po flas këtu "në dokumenta", por në prapaskenë? Mendon se njerëzit të shohin si kolege apo intidimidohen nga fakti që ti në fund të ditës je aksionere?
Për këtë duhet të pyesni njerëzit. Ajo që ndjej është një frymë e madhe bashkëpunimi dhe një rikthim të qejfit për të bërë programe të jashtëzakonshme. Pjesë e televizionit jam ndjerë që ditën e parë që kam shkelur aty.

Dora jote është e dallueshme (të paktën unë e dalloj). Tek prezantueset që ke veshur duke nisur nga Arbana, më pas Luana, Marina e së fundmi Eneda dhe Xhemi, vihet re një dozë minimalizmi. Ka diçka "chic" dhe herë pas here edhe "loë key" në kombinime. Më duket sikur kjo zgjedhje nuk është vetëm çështje e shijes sënde personale, por edhe si një deëshirë për të edukuar njerëzit me gjënë e thjeshtë. Apo e kam gabim?
Je shumë e saktë në këtë pikë. E kemi kaluar prej kohësh fazën e ekseseve jo vetëm në veshje. Jemi rikthyer në përmbajtje dhe stil. Në këtë rast, shija ime personale shkon paralel me politikat editoriale të televizionit.

Por nga ana tjetër "gjëja e thjeshtë" serviret shpesh në emra stilistësh të famshëm dhe njerëzit thonë: "Ok, prit një minutë, se po të kem edhe unë këtë cilësi materiali, do të dukesha po kaq mirë". A mos mendon që kjo të bën ty por edhe prezantuesin më të largët me publikun e thjeshtë?
Kjo nuk është e vërtetë. E vërtet që emra si Celine e Saint Laurent bëjnë veshje minimaliste, por edhe për mua këto marka janë akoma të paarritshme për përditshmërinë time. Ndaj unë gjithmonë mundohem që të gjej të njëjtat stile në marka "high street" si Zara ose Asos, për moderatoret dhe për veten. Kohë më parë, ndoqëm një tjetër rrugë në lidhje me imazhin. Sidomos në Big Brother, nisëm një mënyrë tjetër veshjeje, me marka të shtrenjta e që e godisnin shumë syrin. Me kalimin e kohës, ndjeva që nuk ishte më e mira, as për programet, as për imazhet e televizionit dhe tanimë prej të paktën 2-3 sezonesh, jemi kthyer në një stil dhe sidomos kosto, më të pranueshme dhe të arritshme thuajse nga të gjithë.

Kalojmë nga veshjet tek pjesa jote si producente e Top Fest? Lori në pozicion udhëheqës, si është?
Gjithnjë në mëdyshje për të gjetur më të mirën për punën dhe falë Zotit, deri tani me sukses. Më kanë thënë që dëgjoj shumë dhe mbledh edhe më shumë nga njerëzit që më rrethojnë, por është një sfidë shumë e madhe dhe e vështirë.

Gjatë kësaj kohe që je përfshirë shumë në Top, e ke ndjerë ndonjëherë nevojën t'i bëje një pyetje babit?
Pyetja e parë që më vjen në mendje sa herë jam në dilemë është: "Çfarë do bënte ai?" Por mendoj që kësaj pyetjeje nuk do të arrijë t'i jap kurrë përgjigje, e nuk dua të eci me hamendësime. Kjo është jeta dhe kështu ishte e shkruar. Çdo pyetje që kam nuk mund t'ja bëj dot, ndaj do veproj siç di unë. Do kem sukseset dhe mësimet e mia dhe pyetjeve që do kem, do ua kthej përgjigjen vetë.

Tani, e dinte mirë se çfarë donte dhe e dinte mirë se ku e kishte vendin çdo punonjës në televizonin e tij dhe ky ishte suksesi i tij. Mendon se po të të shihte sot, do të ishte dakord me rolin që kishe marrë? Apo do të thoshte : "Mbaro shkollën njeherë?"
Është shumë e thjesht të gënjehesh se i njeh mirë njerëzit me aq kohë sa ke ndenjur me ta. Ndoshta sot nuk do jetoja në Shqipëri, ndoshta nuk do vishesha mirë, ndoshta askush nga ju nuk do më njihte, ndoshta nuk do kisha marrë titullin producente kaq lehtë e ndoshta do isha duke i servirur vaktin një klienti në Romë. Por e vërteta është që jeta ime mori këtë rrjedhë e gjërat po i marr ndryshe në dorë. Nëse do e kisha ende tim atë në krahë, do e kisha shumë më të lehtë të gjeja rrugën time. Por sot nuk e kam luksin e kohës. Nuk mund të pres sa të mbaroj shkollën. Ky televizion është i familjes sime dhe unë duhet të punoj fort për të. Unë nuk po ulem "në fron" e po pres që të tjerët të bëjnë punën. Unë po punoj me ta. Jemi një skuadër që kemi të njëjtin synim. Për këtë di të them që do ishte krenar.

Çfarë ëndrrash kishte babi për ty, nëse t'i ka shprehur ndonjëherë?
Mos të harrojmë që unë kam qënë shumë e vogël e shumë biseda nuk patëm mundësi t'i bëjmë. Sigurisht që ai punonte fort që ne të beheshim të forta e të pavarura. Më ngelet vetëm të them që çdo gjë që do bëj në jetë, do e bëj për të dhe për familjen time, e me siguri mendjet tona do puqen diku. Fundja, 'the apple doesn’t fall far from the tree.'

Ti shpesh thua se me mamin je shumë e lidhur. Në punë je po aq e lidhur me të apo keni mendime të kundërta? Si psh?
Fati im më i madh profesional është diskutimi i përditshëm me time më. Nuk arrij gjithmonë të çojë bisedat deri në fund sepse edhe për të bijën, koha e mamit është jashtëzakonisht shumë e limituar. Përgjegjësitë e saj shkojnë tej normalitetit dhe mesazhi që më jep çdo ditë është që duhet t'ja dal vetë vështirësive të zakonshme. Ajo më vjen në krahë, në momentin që unë përballem me një pengesë shumë të madhe. Mbas ndërhyrjes së saj, gjithmonë ia dal.

Ka një anë të Lorit që shumë pak vetë e dinë, por unë po e zbuloj këtu. Ndjeshmëria jote ndaj njerëzve në gjendje jo të mirë ekonomike. Madje di që në Kosovë, kur vizitove një familje të cilën shkove për ta ndihmuar, ke qarë më dënesë. Çfarë ndodh me ty në ato momente? Të vjen keq që janë të varfër apo ndihesh keq që je ndryshe nga ta?
Secili nga ne përqëndrohet tek problemet e veta. Në një moment, kur sheh diçka tjetër, jashtë botës personale, diçka që nuk e ndryshon dot, diçka shumë të trishtë, ndihesh i pafuqishëm. Unë jam njeri i ndjeshëm, ndonjëherë edhe më shumë seç duhet. Është e vërtetë historia e Kosovës. Ishte një nga gjërat më të trishta në këtë botë e kur e kujtoj trishtohem sepse kuptova që realisht isha e pafuqishme për të bërë diçka, pasi Agnesa nuk jeton më.

Dhe meqë përmendëm bamirësinë, çfarë ndodh me rrobat e tua që nuk i do më? :)
Oh tani është bërë një tmerr i vërtetë. Në garderobën time janë grumbulluar veshjet e pesë viteve të fundit dhe nuk mund të gjej dot më asgjë, prandaj dhe ndoshta më shihni shpesh me të zeza (qesh). Unë kam shumë kushurira dhe pjesa më e madhe e veshjeve që nuk dua më kalon tek ato, por këto kohë po mendoja të bëja diçka tjetër, një lloj ekspozite 1 javore ku do shisja një pjesë të madhe të veshjeve për një kauzë të mirë, por akoma nuk jam e bindur nëse do funksiononte. Pres reagimin e lexueseve të Anabel e ndoshta mund të bëjmë diçka të mirë.

Do te doja te kalonim tek njeriu me i afërt që ke, motra jote Sara. Tani që Sara ka humbur shumë peshë, vazhdon ruan stilin e saj, apo ndikohet edhe nga stili yt?

Prit të të shpjegoj diçka. Përgjithësisht njerëzit mendojnë që jam unë ajo që vishet shtrenjtë por siç të shpjegova më përpara, kjo nuk është e vërtetë. Në familje është Sara ajo që preferon veshjet high fashion dhe ka stilin e saj, por këshillohet shpeshherë me mua. Sara është shumë e gjatë dhe tashmë shumë e hollë e i shkon çdo gjë.

Të shkruajnë njerëzit për këshilla stili?
Më shkruajnë çdo ditë, madje dhe për gjëra nga më të zakonshmet. Të gjithë kanë krijuar idenë që unë jam e pagabueshme. Nuk e di pse e bëjnë këtë, kur unë vetë jam shume shpesh në dilemë, jo vetëm për veshjet.

Nga intervista e parë që kemi bërë bashkë në Anabel, mendon se shqiptarët janë përmirësuar në stil?
Po, falë Zotit janë përmirësuar pafund. Jo se ka ndonjë ndikim shumë të madh tek unë në mënyrë direkte, por thjesht të kënaqet syri kur sheh që sa më shumë kalon koha, aq më shumë kujdesen njerëzit, e sidomos vajzat, për veten.

Çfarë mendon se duhet të zhduket nga trendet?
Nuk ka një trend në veçanti që duhet eliminuar, por është i gjithë fenomeni i kopjimit të një tendence të re nga të gjithë. Sapo del një bluzë, e marrin të gjithë. Sapo dalin një palë syze, i marrin të gjithë. Kështu, jo vetëm humbim sensin e individualitetit por edhe bëhen bajate të gjitha këto tendencat e reja.

Çfarë mendon se duhet të hyjë?
Trendi i të veshurit siç do ti, dhe jo siç do bota.

Çfarë është gjëja më e fundit që do të doje ta kishe?
Po pyet një vajzë që akoma nuk ka bërë 22-vjeç se çfarë do të donte të kishte? Je e sigurt? Ke vend dhe kohë mjaftueshëm për të t'i listuar të gjitha? Më mirë po e lëmë për herë tjetër (qesh).

A blen Lori gjithçka çfarë do? Sepse kështu mendojnë njerëzit të paktën?
Nuk blej as 30% të gjërave që dua. Kohë më përpara, askush nuk më besonte për këtë që thoja sepse nuk e di çfarë fantazie kanë njerëzit në kokë për mua. Nuk është çështje resursesh ekonomike por çështje edukate familjare dhe vetëkontrolli.

Di ta menaxhosh paranë?
Fatmirësisht po. Edhe pse herë pas here kam qënë e tunduar, për të bere shpenzime shumë të mëdha, e kam llogjikuar dhe jam tërhequr.

Lori nuk ke shtuar asnjë gram që kur të kemi parë për herë të parë. Mos me thuaj edhe ti që është metabolizmi!!!
Korrigjim: Jam akoma më e dobët tani. Merita e kësaj ndahet 70 dhe 30- midis metabolizmit dhe vullnetit. Unë jam e imët dhe kilet e tepërta nuk më shkojnë, ndaj mundohem që ta ruaj këtë peshë në mënyrë që dhe rrobat të më rrinë më mirë e unë të ndihem mirë me veten.

Pa cilin ushqim nuk do të jetoje dot?
Bakllava me qumësht Panda edhe çokollatat (qesh). Kam një pikë të dobët, shumë të dobët, për të ëmblat.

Nëse do të hidhje ose falje gjithë garderobën, më thuaj një veshje dhe akesorët që do t'i mbaje?
Do mbaja patjetër një xhaketë lëkure, një palë këpuce nude, një çantë të zezë dhe një palë xhinse po prapë të zeza. Ah, edhe syze! Të gjitha syzet.

Çfarë do të shohim të veshësh më shpesh këtë verë?
Rrobabanjo (qesh). Vera dhe dimri janë dy stinët më të vështira për mua sepse asnjëherë nuk di ç'të vesh. Besoj se fustanet e holla të gjata dhe kapelet nuk do mungojnë.

A është showbizi shqiptar ai që mendoje përpara se ta njihje nga afër?
Nuk e mendoja ndonjëherë që do isha pjesë e shoëbizit shqiptar dhe nuk kisha pritshmëri. Di të them që ata njerëz që komentojnë të postimet e Anabel-it "Kush është Vip nga këta?" ndonjëherë kanë të drejtë. Ndoshta kështu është në të gjithë botën, por shoëbizi shqiptar nuk ka ndonjë diferencë të madhe nga populli i thjeshtë. Të gjithë në të njëjtat rrugë ecim, në të njëjtat vende kemi shtëpinë, në po këto lokale e pijmë kafen, e po me të njëjtat probleme flemë natën.

Mendon ndonjëherë të ikësh fare nga Shqipëria?
E mendoj dhe kam ikur shpesh gjatë këtyre viteve, thjesht nuk kam ndenjur aq shumë sa gazetarëve t'u duket shqetësuese e të shkruajnë për këtë pjesë. Unë e dua Shqipërinë dhe mendoj që e ardhmja ime është këtu dhe kam fatin e mirë që kur përditshmëria të bëhet mbytëse, të arratisem disa ditë te Sara.

A mendon se tashmë të kanë kuptuar?
Ata që më kanë dhënë mundësinë po, të tjerët nuk do më kuptojnë kurrë.

Artikuj të ngjashëm

. .