Pas konfirmimit të rastit të parë pozitiv në qytetin e Përmetit, në disa portale nisi të qarkullonte lajmi se rasti i të infektuarit ishte kontakt i aktorit Florjan Binaj, që sipas tyre e kishte vizituar qytetin rreth një jave më parë. Një lajm i tillë, ka revoltuar aktorin, i cili jo vetëm e quan të pavërtetë, por paralajmëron portalin se do ta ndjekë ligjërisht diçka të tillë.
"Pashë një "lajm" tek Report Tv, që aktori i Portokallisë, Florjan Binaj ka infektuar me Covid-19 qytetin e Përmetit dhe se personi i infektuar më paska takuar në një party në Përmet para një jave...Emrin e të infektuarit s'po e bëjmë publike për arsye etike ndërsa emrin tim e bënë llum...
Sa për sqarim, në Përmet kam qenë në datë 7 qershor dhe jo para 1 jave. S'kam qenë në asnjë party dhe nuk kam qëndruar afër askujt që nuk njoh. Kjo është një lojë e shpifur, dashakeqe, e turpshme, e bërë për të ulur dhe hedhur baltë mbi figurën time. E vërteta do dalë në shesh shumë shpejt, ndërkohë që ata që e kanë sajuar këtë lajm, do përballen në gjykatë me mua."- paralajmëron Binaj përmes një postimi të bërë në Instastory pak orë më parë.
Aktori i "Portokalli" e konfirmoi para disa ditësh se kishte rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe se po vetë-karantinohej në shtëpinë e tij.