Jellmaz Dervishi të befason me stilin e tij, si nëpër foto artistike, ashtu edhe në një pasdite normale nëpër rrugët e Shkupit. Sekreti i tij? Të njohë vetveten dhe t'i përshtatet asaj. Koreografi 25-vjeçar (themelues i "Sense Dance", PR-i personal i këngëtares Tuna dhe aktualisht autor i programit "Diagnoza" në Alsat-M), nuk mund t'i shpëtonte shigjetës së revistës “Anabel”.
A ndihesh “Man in Style”?
Nuk e kam menduar deri tani a jam apo s'jam fashionista. Mendoj se e gjitha është një shprehje e shijes personale, ekspresion i vetes.
Si do e përkufizoje stilin tënd?
Falë Zotit që ka ardhur koha për veshje më kreative për meshkujt, sepse jam ndier gjithmonë i diskriminuar, sa herë hyja në një butik dhe 500 m i rezervoheshin femrave e vetëm 20 m2 meshkujve. Stilin tim nuk mund ta kategorizoj, sepse varet nga dita, vendi, rastet. Gjithashtu, unë vishem edhe si ndihem. Për mua veshja reflekton inteligjencën dhe disponimin e një personi.
Ti vishesh shumë bukur. Na trego sekretin tënd. Ku bën shopping?
Unë besoj se estetika është e lindur tek një person. Jam perfeksionist dhe asnjëherë nuk mundohem të jem mainstream apo trendy. Mendoj se sekreti i stilit tim qëndron tek kombinimi. Shopping bëj shpesh jashtë Maqedonisë, por edhe në Shkup apo në Tetovë mund të gjej veshje të bukura. Për raste të veçanta, bashkëpunoj me stilistë. E rëndësishme është që veshja të jetë unike dhe të reflektojë personalitetin tim.
Në këtë sezon, cilët stilistë të kanë bërë më shumë përshtypje?
Nuk kam pasur kohë t'i shoh të gjitha sfilatat, por D&G sivjet më pëlqyen shumë, sepse modelet ishin më të sofistikuara dhe jo aq vulgare sa zakonisht. U mahnita pas sfilatës së Comme des Garcons dhe veshjet e tyre avangarde. Për këpucë, këtë vit do të veçoja Emilio Pucci-n. Sa i përket stilistit Nicola Formichetti, i cili bashkëpunon me Lady Gaga-n, ka sjellë risi dhe standarde të reja në modë.
Kë konsideron ti fashion icon ndër shqiptarë dhe jashtë?
Unë mendoj se ne (Shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë) nuk kemi një fashion icon të vërtetë. Jashtë do të përzgjidhja: Karl Lagerfeld, Sakis Rouvas dhe Tarkan.
Cilat janë gabimet më të shpeshta që meshkujt shqiptarë bëjnë në veshje?
Mendoj se kanë mungesë kreativiteti; ose janë shumë klasikë ose janë shumë trendy. Gabimi më i madh është se shumica nuk vishen sipas personalitetit. Nuk do të thotë se firmato-ja është e duhura. Gjithashtu, kopjimet nuk më pëlqejnë fare.
Një sugjerim për revistën “Anabel” për sezonin Dimër 2011?
Iu sugjeroj lexuesve që të mos kufizohen dhe le të eksperimentojnë sa më shumë. Kombinimet e mira nuk do të thotë të kushtojnë shumë. Për rastet elegante dhe glamoroze, meshkujt le të zgjedhin ngjyrën e zezë, sepse kjo ngjyrë iu jep sharm dhe iu krijon mister.