Relationships > Zona ime nga Balina Bodinaku

Disa pyetje për cicat dhe ca gjëra të tjera

Ditari (jo) i zakonshëm i një vajze të re, të suksesshme dhe shumë të sinqertë!

Nga Balina Bodinaku ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

Ne gocat, ua dimë rëndësinë cicave. E kemi mësuar që herët se ato tërheqin vëmendje: që atëherë kur relievi i parë me majucë filloi të shfaqej mbi bluzat tona dhe na detyronte të shkonim në shkollë duke nxjerrë kurrizin për të fshehur format  “ e turpshme”.

Morëm një konfirmim të rëndësisë se tyre kur, diçka më vonë, kuptuam se me to do të dukeshim bukur dhe atëherë filluam ta drejtonim sërisht kurrizin, apo edhe të mbusheshim me ndonjë çorap najloni me rastin e ndonjë feste apo ditëlindje të ndonjë shoku. (gocat e vogla tani nuk kanë nevojë të bëjnë nga këto gjëra)

Nuk ia harrojmë edhe sot rëndësinë, sa herë blejmë një fustan, një bluzë, apo bëjmë ndonjë foto profil pa mendje për ta hedhur në FB. Po vetëm kur dalim pa mendje ama, ndryshe po u diktua sado pak dëshira, apo vullneti në bërjen e asaj fotoje, ato na bëjnë të dukemi të lehta, vanitoze dhe na kthejnë në një objekt seksual. E rëndësishme, pra është të dukemi bukur, por të mos diktohet dëshira, apo edhe përpjekja  për t’u dukur e tillë.  

Dhe kjo është pyetja e parë, thjesht sepse është një pyetje që nuk lindi sot. A është të hiqesh sikur s’ të intereson pamja, si dukesh dhe si shfaqesh më dinjitoze se sa dëshira njerëzore për të qenë e bukur, tërheqëse dhe (ndjesë për fjalën) seksi?  

Ne gocat e duam vëmendjen dhe kemi perfeksionuar lloj lloj teknikash për ta marrë atë. Por çfarë është më e ndershme,  të tërheqësh vëmendjen me fizikun që ke, qoftë edhe duke e ekspozuar atë në kufinjtë e etikës, apo të kërkosh ta bësh atë duke u viktimizuar dhe duke fajësuar për këtë fizikun dhe format e tua të bukura femërore?

A është e vërtetë se meshkujt i kane qejf cicat tona? Dhe a është po aq e vërtetë se ne nuk e harrojmë asnjëherë këtë, pavarësisht nëse veshim një dekolte, apo golf? A na bën kjo objekt seksual?

A është e vërtetë se edhe meshkujt përpiqen të shfaqen sa më mire para nesh? A nuk tregojnë ata gjithashtu vëmendje ndaj veshjes dhe paraqitjes së tyre? A na e  tërheq syrin ne femrave një mashkull i bukur, apo i mbajtur mirë?  A e bën kjo gjë një mashkull, objekt seksual?

Çfarë? Si?  Ç‘do të thotë objekt seksual? Si bëhemi të tillë? Sa përgjegjës jemi vetë në objektizimin tonë dhe sa të tjerët? Domethënë, nëse unë vesh një minifund, apo vë në pah cicat a jam duke e ofruar veten si objekt seksual? Domethënë, ai burri i mbështetur në banak me një gotë xhin para, i bie që nuk ka faj që më ngacmoi kur unë as e kisha parë që ai ishte aty? Po nëse herën tjetër shkoj e veshur ndryshe, domethënë e mbuluar në këto pjesët që na bëjnë të rrezikshme për veten dhe të tjerët dhe ai burri i mbështetur te banaku i lokalit me një gotë xhin para më sheh prap nga cicat,  a mos është faji im që kam hyrë në lokal ku ka burra që të shohin në këtë mënyrë? Si të vishem, si të mos vishem, ai burri prapë nga cicat do të më shohë?
Po nëse herën tjetër e  vesh prap atë fustanin e hapur dhe ai burri është prap aty, mos do mendojë se unë e kam bërë qëllimisht dhe më përdhunon në momentin e parë që më gjen vetëm në tualetet e lokalit? I bie që ai nuk ka faj, apo jo? E kërkova vetë.

E kshu, kshu… e ngatërrova veten me lloj lloj pyetjesh që as do e marr mundimin t’u përgjigjem dhe fajin për këtë e kanë prap cicat.

Lexova diku, që duke qenë në muajin e parandalimit të kancerit të gjirit,  Majlinda na këshilloi t’i duam cicat tona po aq sa ç‘na i duan burrat, ndërkohë Gresa tërhiqte vëmendjen e shqetësuar për objektizimin e femrës në një vend si ky i yni, ku ende vritesh për nder. Gratë duhet të kujdesen për shëndetin e tyre jo për t’u bërë qejfin burrave, - ishte ky shqetësimi i Gresës i përmbledhur në pak fjalë.

Nuk do t’i ndryshoja asgjë asaj që thotë Gresa, nëse shqetësimi i saj  të mos ish në përgjigje të statusit të Majlindës. Por ajo i përgjigjet pikërisht atij statusi, dhe kjo është shumë më shqetësuese se sa shqetësimi që ajo shpreh. Kjo shkon përtej dashurisë për cicat dhe këshillës provokuese të Majlindës. E si mund të kujdesemi ne për shëndetin tonë, kur ne nuk dimë të duam veten për atë që jemi, pa u kompleksuar nga anatomia e trupit tonë, pa u turpëruar nga seksualiteti ynë,  e më tej akoma pa u ndjerë fajtore se jemi femra? “Lodër” nuk të bën kush. “Lodër”nuk bëhesh nga fjalët e as nga qëndrimi i të tjerëve. Të jesh viktimë në këtë rast, është zgjedhje, është qëndrim, është mendësi. Viktimë nuk të bën ngacmimi i paturpshëm i atij burrit te banaku i lokalit. Viktimë të bën vetëfajësimi sepse ke shkuar në atë lokal, se ke veshur atë fustan, se je e bukur, se ke cica të mëdha (ose të vogla dhe të lezetshme), se je grua. Viktimë të bën frika. Viktimë të bën padija. Viktimë të bën izolimi. Viktimë të bën turpi.  

Për ta mbyllur, të them të drejtën, unë mendoj se burrat i duan shumë cicat tona. Ndoshta edhe më shumë nga ç‘i duam ne (meqenëse ata vetë nuk kanë). Dhe nuk shoh ndonjë të keqe këtu. Nuk di se si kjo gjë mund të na bëjë ne “lodër” e të na rrezikojë dinjitetin . Nuk shoh asgjë të keqe as që atë e thotë një grua, e mandej një deputete si Majlinda. Nuk shoh asgjë në atë që ajo thotë që mund të mos-kuptohet, sepse ka folur shumë qartë. Por them gjithashtu se nuk është rasti as që të keq-kuptohet, sidomos nga një grua tjetër, sepse bëhet fjalë për një sëmundje që çdo vit merr jetë grash. Jetojmë në një vend, ku për fat të keq shumë gra vdesin, sepse turpi për trupin e tyre i mban larg mjekut që mund t’u shpëtojë jetën. Janë ato gra që nuk janë mësuar ta duan trupin e tyre aq sa për të kuptuar nëse e duan dhe se sa e duan atë burrat e tyre.

Nuk kam frikë, se ato gra kanë marrë mesazhin e gabuar nga Majlinda. E vetmja frikë që kam, është se ato gra nuk e kanë lexuar dot mesazhin e saj në Facebook.

Artikuj të ngjashëm