Metropolitan > Elira në botën e burrave!

Të dështosh në mënyrë të suksesshme... unë mundem!

Një femër E Lirë rrëfehet për meshkujt e jetës së saj.

Nga Elira ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

Në mbrëmje Enka u shfaq te shtëpia ime me çanta në duar.

Ishte një traditë që nga kohët e gjimnazit që veshja, flokët dhe makiazhi duhet të bëhej te shëpia ime, madje kishim edhe një traditë tjetër: Nëse njëra duhet të bënte përshtypje te një mashkull, tjetra do paraqitej sa më copë-copë të ishte e mundur në mënyrë që të theksohej “bukuria “ e tjetrës.

Por nuk ishte ky rasti, as e kisha ndërmend ta merrja mundimin për Ilirin.

Por sërish me këmbënguljen e saj, u detyrova të pjeshkëzohesha në maksimum.

Enka mbaronte fare të më transformonte në “Borëbardhën” e saj siç më quante për shkak të pamjes që merrja nga kontrasti i buzëkuqit të kuq me lëkurën time të bardhë në hije fantazme dhe flokëve të errët. Dhe çdo brune e ka një shoqe bjonde si Enka.

Ja, -tha- në mos Ilirin, ndonjë tjetër do ta këpusësh sonte.

Dhe dolëm duke qeshur.

Por me të arritur te Living Room filloi të më kapte paniku.

Po sikur Iliri ta nuhaste që ishte shkaku i ardhjes sonë e qe po nusëroja për të?

Akoma më keq, po sikur ai të mos ishte aty fare dhe po ngulesha mbi taka për hiçgjë?

E di, e di, që nuk doja të vija për Ilirin, por ja që një farë pritshmërie krijohet kur investon dy orë për tu bërë gati.

- Enka, nxirre shishen nga çanta!- e urdhërova me nervozizëm dhe ktheva një gllënjkë të madhe duke u ndjerë si ata kamionistët pijanec me mustaqe, më mungonte vetëm një tatuazh me një femër lakuriq në krahë.

Shishja e vodkës treqind lekëshe në çantë ishte një tjetër traditë e jona. Ishte shishja e emergjencës.

Ndonjëherë e mbanim me vete për tu dehur mjaftueshëm sa për të mos harxhuar gjithë rrogën e muajit duke porositur pije në club për t’ja arritur qëllimit.

Përreth shihja po të njëjtët njerëz që shihja thuajse çdo herë te Living Room.

Ishin po ata që shihje çdo ditë të javës në clubet e Tiranës, të njëjtët që pas party-t i shihje sërish në pesë të mëngjesit te Kenon ose Big Bite.

Ndonjëherë mendoja a laheshin këta njerëz? Ku mund ta gjenin kohën? Se për të fjetur, flinin aq kohë sa i duhej baterisë së telefonit për tu karikuar.

Ja ku ishte dhe Aleksandri, një ‘Ricky Martin” në miniaturë që hiqej si Don Zhuani më i madh i Tiranës por në fakt e shihja çdo herë me gotën në duar duke u endur pas fundeve të shkurtra e flokëve të gjatë pa sukses.

Ja dhe ai tipi të cilit nuk ja kujtoja emrin që rrinte gjithnjë vetëm por me të gjithë, që vishej si cowboy modern dhe nuk qeshte kurrë sepse mendonte se dukej seksi dhe misterioz. E në fakt dukej.

Ja edhe nja dy grupe të huajsh që njihen gjithnjë sepse kanë në fytyrë atë çehren sikur sapo kanë rënë nga retë.

Sa për femrat, ato ishin pothuajse gjithnjë më të gjata se ne. Ndonjëherë të kalonin një palë shalë dhe koka jonë arrinte vetëm te bythët e tyre dhe atëherë ndjen tokën që të përpin dhe ndjehesh si një ketrushe para një sorkadheje.

Ja dhe I njëjti banakier, djalë I gjallë e I shkathët që I njeh të gjithë, por pak I leshtë për të thënë të drejtën.

Dhe pikërisht kur po e harroja arsyen fillestare të ardhjes aty, më zë syri Ilirin që i kishte ngecur koka në gojën e një femre nga këto dy-metroshet për të cilat po flisja.

Shiko - ulëras dhe i tregoj Enkës me gisht,- duhet ta ndihmojmë, ajo po e ha! Bëni diçka!

Dhe ja plasëm me të qeshura.

Mirë të më bëhej! Kisha ardhur aty për të parë Ilirin me të dashurën e tij, po mendoja kur Iliri arriti ta shpëtonte veten, vetëm për tu drejtuar drejt një tavoline tjetër ku ishin tre vajza.

Njëra prej tyre nuk mbante mend ku I kishte lënë bajamet mesa dukej, dhe Iliri u përpoq ti gjente.

Me gjuhën e tij! Sa bujar!

Duhet të isha bërë piperkë në fytyrë sepse Enka thirri:

Shishen Elira, na ktheje shishen! Apo do një “Sex on Fushëkruja”- dhe qeshte.

Ishte emri ynë për kokteilin Sex on the Beach, që me kalimin e viteve ishte bërë si kokteil te gabi.

U përpoqa të qeshja, të kërceja, të argëtohesha, por nuk munda ti hiqja sytë nga Iliri që bridhte sa nga një tavolinë në tjetrën me pije e femra nëpër duar dhe kërcente.

Sa mirë kërcente! Ishte një forcë e natyrës. Nuk ndalonte së lëvizuri.

Edhe kur fliste, fliste me këmbë e me duar.

Pra të gjitha ato që tregonte kur vinte në zyrën tonë ishin të vërteta!

Vajzat vdisnin për vëmendjen e tij, aq sa nuk e kishin problem që po e ndanin me të tjera, aty para syve te tyre?!

Cfarë kishte kaq të veçantë te ai?

Zot, sa e urreja!

Nuk do e ngatërroja kurrë veten me një mashkull të tillë, një palaço!

Unë tërhiqesha seksualisht nga truri, nga intelekti, jo nga ky lloj…nga ky lloj…as emër nuk dija ti vija.

Por dreqin sa me eksitonte ta shihja ashtu, me femra të tjera. Isha në terezi?

Shpresoja që të ishte faji I pijes por po shtrëngoja kembët dhe dhëmbët midis zemërimit dhe eksitimit.

Për herë të parë ndjeva se kishte diçka që nuk mund t’ja shprehja Enkës, edhe pse ishte një tradhëti ndaj saj ti mbaja sekrete.

Ne fund të fundit e meritonte, ishte faji I saj!

Me mirënjohje po falemnderoja fatin që ai nuk më kishte parë ende që isha aty, por njëkohësisht ndjeja nevojën që ai të më shihte.

Mjaftonte me kaq, vërtetë më pëlqenin telashet dhe të sabotoja veten, por ishte një vijë ndarësë mes aventurës dhe mungesës së dinjitetit të cilën nuk doja ta kaloja ndaj vendosëm të largoheshim.

Së paku kisha gjithë fundjavën para për tu kthjelluar.

Artikuj të ngjashëm