Sëmundja e talasemisë e ka penguar Xhanin Fekën të rritet. Në një kronikë sociale në “Top Channel” u trajtua rasti i jashtëzakonshëm i 28- vjeçarit, për të cili koha ka ndaluar. Pavarësisht viteve, ai duket sikur të ishte 13.
Përballja me talaseminë, mungesa e gjakut e kanë frenuar Xhaninin të rritet.
“Në moshën 3- vjeçare prindërit e mi kuptuan që kisha sëmundjen e talasemisë. Kam 25 vite që vuaj nga kjo sëmundje, gjithë problemi jonë është mungesa e gjakut, gjë e cila ka ndikuar negativisht tek ne. Prandaj duhet një apel për të gjithë njerëzit në Shqipëri që të dhurojnë sa më shumë gjak.” u shpreh ai.
I pyetur se ç’pasoja serioze ka sjellë për shëndetin e tij mungesa e gjakur, Feka u përgjigj:
“Pasoja kryesore është në mosformimin e trupit tim. Se unë vërtet jam 28 vjeç, por fiziku im nuk e tregon moshën. Jam si 13- 14 vjeç, gjë e cila nuk më ka penguar të jem optimist për jetën.”
28- vjeçari ka përfunduar ciklin e studimeve të larta për agro- biznes dhe prej 6 vjetësh punon si operator kompjuterik, pasi kempi i invaliditetit nuk i mjafton të riut për të mbuluar shpenzimet. Çdo 21 ditë, Xhanini ka nevojë për gjak.
“Kur u them njerëzve që jam 28 vjeç ndonjëherë e besojnë, e ndonjëherë jo, por tani me kartat e identitetit bëhet më e besueshme kjo gjë.”
Të ardhmen, Feka nuk e shikon në Shqipëri, por diku ku trajtimi mjekësor dhe social është më i mirë.
“Planet e mia në vazhdimësi janë në vendet e BE-së, sepse vetë sëmundja jonë jashtë shtetit ka më shumë përkujdesje.”