Ftesa si e ftuar nderi në Festivalin e Filmit në Durrës, ka sjellë në Shqipëri aktoren turke Türkan Soray, e njohur me personazhin e Asijes te filmi "Shamikuqja".
Në këtë edicion filmi më i njohur turk, për shqiptarët e brezit të prindërve tanë, "Shamikuqja", do të ngrejë siparin e Festivalit, që synon bashkëpunimin e kinematografisë shqiptare me vendet fqinje e do të mbahet nga data 9 deri në datën 14 shtator, edhe në 4 qytete të tjera si: Tirana, Pogradeci, Saranda dhe Vlora.
Aktorja dhe regjisorja, 69 vjeçare është ftuar nga organizatorët e festivalit në nder të 100 vjetorit të kinematografisë turke.
E para që ka mundur të shkrepë një foto me aktoren ka qënë moderatorja Rudina Magjistari, e cila e ka shpërndarë atë edhe në rrjetin social Instagram.
PO KUSH ËSHTË TÜRKAN ?ORAY- GYMYSHI I VITEVE 70-80?
Türkan Soray është bërë e famshme për shqiptarët për interpretimin e saj të vitit 1978, në rolin e Asijes, në filmin "Shamikuqja", i cili në kohën e transmetimit në Shqipëri ka pasur shikueshmëri të jashtëzakonshme.
Çifti Asije dhe Iljaz kanë mbërthyer para ekranit mijëra shikues nga e gjithë Shqipëria e në orarin e transmetimit dihej që stacioni nuk ndërrohej. Pamja asokohe i ngjan pamjes së orarit të transmetimit të telenovelës dhe historisë së dashurisë mes Gymyshit e Mehmetit apo Ezelit e Eishanit, transmetuar së fundmi në Tv Klan.
E lindur në vitin 1945, Soray e ka nisur karrierën si aktore me debutimin në vitin 1960, në moshën 15 vjeçare. Në vitin 1965 ajo do të konsiderohet si një ndër 4 aktoret më të mira në Turqi.
Filmi që e bëri të famshme në Shqipëri, "Shamikuqja" doli në vitin 1978, e për rolin e Asijes, Soray fitoi çmimin "Aktorja më e mirë". Vetëm në 10 vitet e fundit aktorja ka luajtur mbi 100 filma.
Por si çdo aktore e famshme edhe ajo ka disa "kushte" e teka kur nis punën apo kur i propozohet një film i ri.
Ja kushtet e saj:
1. Skenari duhet t'i jepet një muaj përpara nisjes së xhirimeve dhe nëse ka diçka që ajo nuk e pëlqen atëherë duhet ndryshuar sepse në të kundërt ajo nuk e merr rolin.
2. Filmat ku pranon të luajë duhet të xhirohen në Stamboll sepse ajo nuk dëshiron dhe nuk mund të lëvizë nga qyteti!
3. Nuk punon asnjëherë të dielave
4. Nuk pranon të puthë dikë në film për shkak të rolit.
5. Roli i saj nuk mund të përfshijë kurrsesi marrëdhënie seksuale.
Thënë ndryshe ajo pranon të punojë vetëm nëse regjisorët pranojnë rregullat e saj.
'Shamikuqja' vjen në Shqipëri
10 Shtator 2014