Nuk ka kaluar shumë që nga koha kur Drake publikoi klipin e tij të ri, të quajtur God’s Plan (Plani i Zotit). E veçanta e kësaj videoja ishte se reperi ua dha njerëzve të thjeshtë të gjithë buxhetin e klipit, i cili arrinte gati në 1 milion dollarë.
Siç shihet dhe në video, Drakë ua jep njerëzve të ndryshëm që ndesh në rrugë, ndërkohë që këta të fundit nuk kishin asnjë ide që papritur do të shfaqej këngëtari i famshëm.
Përveç pjesës së filantropisë dhe faktit që Drake fitoi adhurimin e gjithë botës, ajo ç’ka vihet re është se reperi ka ‘thyer’ një nga traditat më të lashta të hip hip-it.
Ne e dimë fare mire së në kulturën e kësaj rryme, mburrja është gjëja më e zakonshme. Makina luksoze, lek që hidhen në tokë dhe vajza të bukura. Gjithçka tjetër ndërtohet në bazë të këtyre elementëve.
Ndonëse sigurisht e kanë huazuar nga hip-hop botëror, reperat tanë duket sikur e kanë keqkuptuar filozofinë e gjithë kësaj.
Edhe sot, nëpër videoklipe, vazhdojmë të shohim një lloj ‘abuzimi’ që bëhet me këtë formë mburrjeje, që në thelb nuk tregon asgjë.
Mburrje për armë, për makina të shtrenjta, madje dhe për trafikimin e drogës si profesionin ideal për të gjeneruar të ardhura shpejt e shpejt, janë e përbashkëta e pothuajse çdo kënge hip-hop që dëgjojmë.
Por deri kur do të vazhdojë kjo? Reperat, më mirë se kushdo tjetër, duhet ta dinë se rryma që përfaqësojnë ka në thelb njeriun.
Rep-i ose siç quhet ndryshe (muzika e rrugës) lindi si një nevojë për të shprehur revoltën që një pjesë e shoqërisë ndjente kundrejt padrejtësive dhe kjo ishte pikërisht forca të cilët transmetonin.
Drake, rezultoi të ishte më i zgjuari nga kolegët dhe na vërtetoi se ka shumë forma të tjera të cilat e bëjnë hip hop-in interesant. Jo më kot, e quajti ‘God’s Plan’ si projektin më të rëndësishëm të jetës së tij.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.