Edhe pak ditë na ndajnë nga festa e Pashkës. Një festë sa e bukur, aq dhe e rëndësishme për ata njerëz që janë të besimit ortodoks e katolik. Ndaj këtë javë që vjen prisni gatime me tematikën e Pashkës , pasi sic e thashë është një nga më të rëndësishmet. E nuk mund të ndodhtë ndryshe , doja ta nisja me një recetë të ëmbël dhe tipike për këtë ditë të bekuar , ndaj ju solla Bukët e Ëmbla të Pashkës.
Një recetë , e cila është perfekte për mëngjesin e Pashkës , me një gotë qumështi të ngrohtë ose pse jo me një filxhan kakao. Ajo që e bën këtë recetë më specifike për këtë ditë, janë pikërisht ato vezët e ngjyrosura , mu në mes të bukës. Do t’ju sugjeroja t’i lyenit vezët më përpara , por tek buka mund t’i vendosni të paziera , pasi koha që ju nevojitet në furrë , është e mjaftueshme për tu gatuar.
Mos ngurroni t’i provoni pasi janë të mrekullueshme.
Përbërësit për 6 bukë :
450-550 gr miell buke
2 vezë
100 gr sheqer
300 ml qumësht
80 gr gjalp
3 lugë caji maja birre
Pak kripë
1 vezë
Zbukurime sheqeri me ngjyra
6 vezë të ngjyrosura
Përgatitja:
Në një tigan të thellë , hedhim qumështin dhe gjalpin dhe e vëmë në zjarr mesatar derisa gjalpi të shkrijë komplet. E heqim nga zjarri dhe lëmë derisa të jetë i ngrohtë , jo i nxehtë.
Në një tas të madh , shtojmë sheqerin, një të kapur kripë, majanë e birrës dhe dy vezët, të rrahura pak. Shtojmë qumështin dhe gjysmën e sasisë së miellit.
E punojmë më mikser dore ose me robot kuzhine, duke shtuar herë pas here miell, derisa të krijohet një brum elastik.
E mbulojmë tasin me plastmas kuzhine dhe me peshqir dhe e lëmë të vijë për rreth 1 orë , në një mjedis të ngrohtë. (Brumit tim ju deshën 1 orë e gjysmë se ishte pak ftohtë).
Pasi brumi ka ardhur , e vendosim në tavoliën e punës, të lyer me miell dhe e hapim me shkopin e petëve.
E ndajme brumin në 12 pjesë të barabarta. Secilën prej tyre e hapim me duar derisa të bëhet një “litar” me gjatësi 35 cm.
Cdo dy prej tyre i përdredhim me njëri-tjetrin dhe i mbledhim kular. I vëmë në një tavë të veshur me letër pjekjeje. I mbulojmë sërish me platmas kuzhine dhe i lëmë të vijnë për rreth 1 orë.
Parangrohim furrën në temperaturën 180 gradë C. në një tas , rrahim vezën me 1 lugë gjelle ujë dhe me një furcë , lyejmë bukët.
I spërkatim me kokrra sheqeri të ngjyrosura dhe vendosim vezët e ngjyrosura në mes.
I pjekim për rreth 20 minuta ose derisa të marrin një ngjyrë kafe të artë në sipërfaqe.
Shoqërojini në mëngjes me një gotë qumësht për fëmijët ose me një filxhan kafe për të rriturit.
JU BËFTË MIRË !
Kostoja e kësaj recete është 400 lekë.