Madeline Stuart, modelja e parë profesionale me sindromën Down, i ka vënë qëllim vetes të sjellë diversitet në pasarela dhe të frymëzojë të tjerët të bëjnë realitet ëndrrat e tyre. Që në momentin që pa një paradë mode në qytetin e saj të lindjes, në Brisbane, Madeline kuptoi se ëndrra e saj ishte modelingu. Sot, tre vite më vonë, ajo konsiderohet një modele profesioniste me përvoja në Javën e Modës në New York dhe me një koleksion ideuar nga vetë ajo.
Më 21 mars, Ditën Botërore të Sindromës Down, Madeline do të vijë në Shqipëri në një event organizuar nga Qendra Jonathan. Supermodelja do të prezantojë dy koleksione për të frymëzuar vajzat dhe djemtë me sindromën Down, familjet e tyre dhe komunitetin e gjerë, thuhet në faqen në Facebook të organizatës jofitimprurëse.
Që prej shfaqjes së saj të parë në pasarela, e deri më sot që konsiderohet supermodele, Madeline ka pushtuar titujt e botimeve prestigjoze në botë. “Madeline s’e ka pasur kurrë konceptin se s’mund të arrijë gjë,” tha dikur nëna e saj në një intervistë duke shtuar se gjatë katër sezoneve punë në New York, modelja ka shfaqur fuqinë e saj të brendshme dhe vullnetin e pashtershëm.
“Duke nxjerrë në treg një linjë veshjesh dhe duke u bërë businesswoman, Madeline u ka treguar njerëzve të tjerë me sindromën Down se është gjë e mirë të kesh ëndrra, shpresë dhe aspirata,” shpjegoi më tej ajo.
Ky event në Tiranë do të bëjë pikërisht këtë. Do të frymëzojë dhe hedhë dritë mbi një komunitet të marxhinalizuar. Eventi do të mbahet më 21 mars, në orën 18:00, në Pallatin e Brigadave.