Kur Gigi Hadid dhe Zayn Malik u ndanë pak ditë më parë, fansat e morën vesh nga vetë ata. Secili postoi një deklaratë në Twitter. Zayn tha se Gigi është një “shpirt i mrekullueshëm” dhe se “ka respekt dhe adhurim të pamatë për të si grua dhe shoqe”. Gigi, po ashtu tha se është “përjetësisht mirënjohëse për dashurinë, kohën dhe mësimet e nxëna krah Zayn”. Edhe ajo e quajti mik dhe i shprehu respekt dhe dashuri. Pyetja ime e menjëhershme ishte si dreqin?
Si mund të ndahen dy njerëz që kanë dy vite bashkë kaq miqësisht? Pa iu futur teorive konspirative që aludojnë se s’e kanë dashur kurrë njëri-tjetrin, se kalonin shumë kohë larg, etj. etj. Çifte realë ndahen si Gigi dhe Zayn, vazhdojnë jetën dhe mbeten miq. Si dreqin bëhet kjo?
Një nga shoqet e mia ka ruajtur miqësinë me një ish. Ishin shokë në fillim, më pas rastësisht u puthën, ndenjën pak muaj bashkë dhe kur kuptuan që s’ishte formati i duhur i marrëdhënies, u kthyen sërish në miq. Kjo ka kuptim. Ishte një ndarje e dyanshme, pa dhimbje dhe e bazuar në logjikë.
Një tjetër person që njoh, u nda nga i dashuri prej tetë vitesh. Jetonin në të njëjtën shtëpi dhe çdo muaj gjendeshin prag fejesës. Njiheshin që fëmijë dhe ishin rritur bashkë. Njërës palë i shteruan ndjenjat si nga hiçi dhe me vuajtjen më të madhe kërkoi ndarjen. Pas ca muajsh heshtje, të dy janë të gjindshëm për njëri-tjetrin. Një shpatull në ditë nevoje, si të thuash.
Një kolege më tregoi historinë e saj, pak a shumë e ngjashme me të parën në këtë artikull, si për t’i mëshuar idesë që të tilla ndarje ndodhin rëndom dhe unë s’kam për ta kuptuar kurrë pse.
Çdo ndarje e imja ka qenë betejë dhe me gjithë sinqeritetin e mundshëm s’e perceptoj dot miqësinë aty ku një dashuri merr fund. E gjitha nis me një krisje. Marrëdhëniet duhet të krisen që të shterojë dashuria. Nga momenti i krisjes e deri në momentin e ndarjes mund të kalojnë muaj të tërë, madje dhe vite. E quaj periudhë reflektimi, sigurohem se ndarja është ajo që më duhet vërtetë. Ndërkohë, nuk përgatis as territor as bëj gati fjalimin e madh. Thjesht bëj ç’ndjej se dua të bëj. Nga krisja deri tek ndarja, jam njeriu më egoist në botë. Zakonisht, ndodh ndonjë sherr i madh ose ndonjë krizë serioze që e mbush kupën dhe unë i jap duart personit tjetër.
Këtu, fiks mu këtu, qëndron problemi. Për personin tjetër dhe për të gjithë ata jashtë situatës, duket sikur i dhashë fund gjithçkaje për debatin që mbushi kupën. Në të vërtetë, vendimi është marrë muaj më parë. Kam marrë parasysh se s’mund ta shoh më kurrë personin tjetër, se gjithë kujtimet tona do të kthehen në hiç dhe se traditat dhe rutinat tona s’do të jenë më. I kam marrë parasysh të gjitha dhe kam dalë në përfundimin se me kalimin e kohës mund të mbijetoj pa to. Prandaj largohem pa u kthyer pas një herë të vetme.
Tani, nëse unë do të ndiqja dhe një herë shembullin e Gigi-t dhe Zayn, të dy njerëz shumë herë më të mirë se unë, do të kthehesha sërish në krahët e ishit. E provova pak kohë më parë. Vendosëm të qëndronim miq dhe të mbështesnim njëri-tjetrin gjatë ndarjes. U ndamë në darkë dhe u kthyem sërish bashkë drekën e ditës tjetër. E vetmja gjë që arritëm ishte të anullonim pauzën që duhet të kishte qenë stop.
Të them të drejtën, nuk e besoj as ndarjen miqësore të Gigi-t dhe Zayn dhe as ato të shoqeve të mia. Në botën time, dy të dashur nuk mund të jenë miq. Një fije shprese duhet të jetë varur diku në ajër, një qëllimi pashprehur, ndoshta një hakmarrje ende në përpunim. Më duket e pamundur të fillosh e të ndërtosh kufij efektivë me personin me të cilin ndaje shtratin dhe mendimet më të trishta. Më mirë harroj dhe eci përpara pa hezitim.