Shqipëria qenka vendi më i palumtur në Europë! Instiktivisht na vjen që diçka të tillë të refuzojmë ta pranojmë, por faktet tregojnë të kundërtën.
Vendi ynë renditet në vendin e 112-të nga 156 shtete në indeksin e lumturisë, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Sipas Monitor, treguesit në të cilët bazohet ky studim janë të ardhurat për frymë, pritshmëritë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, liria personale dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Bazuar në të gjitha këto, shqiptarët janë më të palumturit në Europë.
Për t’ju orientuar edhe më mirë, po ju themi se jemi në të njëjtat nivele me shtete të tilla si Tunizia, Sierra Leone, Bangladeshi apo Iraku.
Krahasuar me një vit më parë, renditja është përkeqësuar me 3 pozicione. Përsa i përket vendeve të rajonit, Bosnja është në vend të 93-të, Maqedonia në vend të 89-të, Mali i Zi në vend të 81-të e ndërsa Kosova rezulton si më e lumtura, në vend të 66-të.
Ashtu siç mund ta merrnim me mend vendet më të lumtura të botës, vazhdojnë të jenë ato nordiket, ku vendin e parë e mban ende Finlanda pasuar nga Danimarka, Islanda, Zvicra, etj.