Interneti dhe blogeret janë bërë diçka nga e cila nuk shpëtojmë dot. Produktet që ato përdorin në videot e tyre duken çudibërëse dhe kjo na bën që shpeshherë t’i besojmë. Testova një produkt i cili ka dy vite që po bën një bujë të madhe në internet. Bëhet fjalë për maskën e zezë e cila sipas guru-ve të bukurisë bën një pastrim të thellë të poreve të fytyrës. Për t’ju treguar nëse ky produkt funksionon vërtetë porosita në internet një maskë e cila kushtonte 10 mijë lekë. Nga momenti i porosisë u deshën vetëm 2 ditë për të ardhur ndaj nuk vonova aspak ta provoj për të ndarë me ju rezultatin.
Fillimisht dua t’ju tregoj se un kam një lëkurë normale dhe përpara aplikimit të kësaj maske vetëm e kam larë me ujë të ngrohtë dhe solucion (sapun apo larës tjetër i çfarëdoshëm bën punë) njësoj si në udhëzimet e shkruara në ambalazh.
E aplikova me anë të një furçe të vjetër të pastër make-up-i por përfundova duke përdorur duart pasi trashësia e kësaj maske nuk më mundësonte një përhapje të mirë me anë të furçës. Shmanga zonën e syve dhe u përpoqa ta aplikoj njësoj si në tutorialet që kisha parë në internet.
Nuk pata probleme apo irritime gjatë momenteve në të cilat prisja që kjo maskë të thahej kështu që e pata të lehtë të prisja 30 min përpara se ta hiqja nga fytyra.
Pas 30 minutash tentova ta hiqja por e pata disi të vështirë. Ajo kishte ngjitur aq fort me lëkurën time dhe kjo e bëri proçedurën e heqjes mjaft të dhimbshme.
Si përfundim arrita në një farë mënyre ta shkul nga fytyra dhe isha shumë entuziaste për të parë rezultatin. Në fakt nuk pati ndonjë të tillë, përveç pushit të imët të fytyrës që kishte mbetur në maskë. Prisja të shihja se si ishin zhdukur pikat e zeza që kam në zonën e hundës por kjo nuk ndodhi. Fytyra mu acarua disi dhe mu bë shumë më e thatë se zakonisht. Kështu që mu desh ta laja dhe ta hidratoja me patjetër.
Përshtypje:
Nuk mendoj se kjo maskë ja vlente, përkundrazi. U zhgënjeva nga gjithë ai popullaritet që kishte marrë. Cilësoj që maska që unë përdora ishte për aplikim kë kushtet e shtëpisë ndaj kurrësesi nuk dua të them se çdo produkt i tillë nuk ja vlen. Ama do t’u këshilloja të mos besoni se çdo gjë që shitet online është ashtu si shpjegohet në video, dhe jo çdo gjë që fiton popullaritet është vëtetë e mirë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.