Dje ju kërkova t'u përgjigjeshit disa pyetjeve, të gjitha në lidhje me teatrin. Shteti është në luftë me artistët për godinën e ligjet. Në këtë debat, publiku mbeti i përjashtuar, ergo lindi idea e sondazhit.
Shumica e atyre që morën pjesë në sondazh, thanë se ndjekin ndonjëherë shfaqje, kur u pëlqen fabula apo aktorët, disa herë në disa muaj. Konkurrenti më i fortë i teatrit është kinemaja dhe problemi më i madh janë shfaqjet që përzgjidhen për t'u vënë në skenë, që mesa duket mund të ishin më interesante. Çdo gjë mirë deri këtu.
Trishtuese ishin përqindjet e votuesve që nuk kanë qenë kurrë në teatër dhe zgjedhin të mos shkojnë për arsyen e thjeshtë se çdo gjë tjetër u duket më intersante se vënia në skenë e një drame. Për këta njerëz dhe për t'i shtyrë gjithë të tjerët më shumë drejt teatrit, po listoj pesë arsye pse teatri duhet të bëhet pjesë e jetëve tona.
Mendoni për këngën tuaj të preferuar. Tani mendoni për herën e parë që e dëgjuat të performuar live. Është tërësisht tjetër përvojë, apo jo? Pse të shkosh në Paris kur mund ta shohësh në foto? Sepse çdo gjë është më mirë nga afër. Je prezent, i përfshirë, i mahnitur. E njëjta gjë ndodh dhe në teatër. Je aty, dy hapa larg magjisë, aktorëve që punuan me javë të tëra për të sjellë diçka për ty. Këta njerëz po shndërrohen në të tjerë njerëz para syve të tum për ty. Mos më thoni që s'është fantastike.
Në të njëjtën mënyrë me librat dhe filmat, teatri të lejon të largohesh pak nga realiteti... por jo tamam. Shfaqjet flasin për jetën dhe sfidat e saj, për jetën tuaj dhe sfidat tuaja. Jo rrallëherë do të mbështeteni fort pas ndenjëses e do t'i shihni problemet që po hasni me tjetër sy. Shfaqjet na ofrojnë një perspektivë që s'e kemi eksploruar më parë. Për më tepër, na demonstrojnë dhe mënyra për të superuar vështirësitë, e për të gjetur forcën për të ecur përpara. Ose thjesht na bëjnë për të qeshurm por gjithmonë me një mesazh. Ku ka më mirë se kaq.
Personalisht, teatri më duket mënyra më e lirë për t'u kulturuar. Biletat kanë çmime qesharake që rrotullohen rreth 500 lekëve të reja dhe produkti që merr në fund është i paçmuar. Disa nga veprat më të mëdha në historinë e njerëzimit janë shkruar për t'u vënë në skenë dhe t'i lexosh në letër nuk mund të jetë kurrsesi mjaftueshëm. Përvoja mbetet e cunguar në botën dy dimensionale të dramave të mbetura libër. Për më tepër, mundësitë transformative janë të pafundme. Një regjisor i qëndron besnik Hamletit në vepër, ndërsa një tjetër zgjedh ta kthejë diçka krejt tjetër. Duke shkuar rregullisht në teaër, publiku plotëson imazhet e personazheve të marrë nga jeta dhe kulturohet për anët e shumta të një situate.
Keni dëgjuar për ndonjë shfaqje interesante kohët e fundit? Me siguri po dhe nëse po, prentoni biletat që tani. Shfaqjet janë një komoditet i një momenti të dhënë kohe. S'gjenden aty për ne, kur të kemi kohë apo qejf. Nëse s'e sheh kur vihet në skenë, shanset janë që s'do ta shohësh më kurrë. Të paktën jo në atë mënyrë që zgjodhi ta shfaqë regjisori. Çdo gjë lëviz dhe ndryshon shpejt.
Teatri fare mirë mund të kthehet në një traditë tuajën. Zgjidhni punët e orareve dhe bëjeni zakon që çdo muaj e zëmë, ose çdo dy javë, të ndiqni një shfaqje me familjen a me kë t'ju dojë zemra. Fundjavat e tjera mbushini si të doni, me filma, libra, kinema a udhëtime. Në fund, do të keni një muaj të balancuar, plot kulturë dhe gjëra interesante për të bërë. Të pish kafe është veprimtari e të kaluarës.