Isha e bindur se unë dhe i dashuri im prej 2 vitesh kishim një marrëdhënie të konsoliduar dhe ishim të hapur me njëri-tjetrin. Unë i kam thënë gjithçka dhe mendoj se të njëjtën gjë ka bërë dhe ai me mua. Ai e njeh mirë të shkuarën time dhe po ashtu i kam folur për lidhjen time të parë që zgjati rreth 5 vjet, por përfundoi në momentin që unë kuptova se kisha diferenca shumë të mëdha me ishin tim. Kam qenë gjithnjë transparente me të dhe ndonëse ai praktikisht e urren ishin tim, u pajtua me lidhjen time të mëparshme dhe ne vazhduam me dashurinë tonë të vogël që rritej dita-ditës.
Por para se të njiheshim, bëhet fjalë në periudhën kur unë kisha pak që isha ndarë nga lidhja ime e parë, njoha dikë tjetër dhe ai këtë detaj nuk e dinte. Patëm një gjë, (se lidhje s’mund ta quaj) për rreth 3 muaj dhe e mbyllëm me aq. I dashuri im e mësoi këtë fakt, të parëndësishëm në gjykimin tim, pak ditë më parë dhe tani refuzon të më flasë.
Thotë që është tmerrësisht i zhgënjyer nga unë për faktin se e kam gënjyer, pastaj më thotë ta shoh situatën nga këndvështrimi i një mashkulli, sepse ndryshe nuk do ta kuptoja kurrë.
Ajo që unë nuk arrij dot të kuptoj është pse duhet të jetë diçka e tillë shqetësuese nëse ai flirti im ndodhi para njohjes me të dhe nuk ndikon aspak në lidhjen tonë. Theksoj se gjatë lidhjes time kam qenë gjithnjë transparente dhe jam e bindur se një person më pak apo më shumë mes shalëve të mia vërtet që nuk bën ndonjë diferencë as nuk ndryshon atë që unë jam si njeri apo në lidhje me të.
Dhe ai mund të vazhdojë t’i mëshojë fort faktit se ndihet i lënduar pasi unë e kam gënjyer, kur unë thjesht zgjodha të mos e përmend si fakt, sepse është i parëndësishëm për mua, por e di fare mirë se në këtë mes ajo që është lënduar është egoja e tij mashkullore, sepse në një farë mënyre nuk është ‘i dyti’, por i treti, nëse një ndarje e tillë totalisht absurde ka kuptim.
Nuk arrj të kuptoj çfarë ndryshon tek unë si njeri fakti që kam shkuar me dikë tjetër para tij, qofshin dy, tre apo pesë. Unë jam e njëjta vajzë me të cilën ai ka rënë në dashuri dy vite më parë.
Kjo puna e numrave e statistikave është një sëmundje globale që i ka rënë burrave, e kuptoj. Të më pyesni mua, shqetësimi i tyre nuk lidhet me të dashurën, pasi numri i partnerëve seksualë sipas tyre mund të përcaktojë nëse është më e lehtë apo më e vështirë. Ata tremben se sa më shumë partnerë të ketë kaluar e dashura, aq më shumë do të testohen aftësitë e tyre në shtrat. A ishte ai më i mirë se unë? E kishte më të madh se unë? Prandaj revoltohen aq shumë ndaj vajzave me disa partnerë seksualë dhe ato të fundit detyrohen të gënjejnë.
Unë njoh vajza që partneri ka ndaluar në mes të seksit oral dhe i ka pyetur si është teknika e tij krahasuar me të ishit, kam dëgjuar raste plot që burrat në një lidhje kërkojnë të justifikojnë faktin se partnerja ka shkuar me të tjerë dhe nisin të hamendësojnë rreth një të shkuare të errët tyren.
Seriozisht?
Dhe pyetja që më mundon ende është ‘pse qenka kaq i rëndësishëm numri ekzakt?’ Çfarë ndryshimi bën? Të dish nëse partnerja ka qenë e dashuruar më parë është e rëndësishme, të zbulosh (ngadalë dhe me durim) si kanë ndikuar eksperiencat e mëparshme në këndvështrimin e saj të burrave, për mirë apo për keq, është sërish e rëndësishme. Por vërtet çfarë ndryshimi bën nëse ka fjetur me katër apo me 14 burra? Unë nuk përcaktohem nga numri dhe nëse mënyra se si ti më sheh pasi UNË ZGJEDH TË TA THEM ndryshon, është problemi yt.
Kjo nuk lidhet as me shëndetin seksual. Mund të flisni për infeksionet seksualisht të transmetueshme, madje unë ju këshilloj të bëni analizat para se të nisni aktivitetin seksual (të njëjtën gjë bëra dhe unë me të pasi ai kishte patur një jetë seksuale mjaft aktive para lidhjes me mua). Por sërish numri ekzakt i partnerëve seksualë vazhdon të mbetet një budallallëk me okë që duhet t’i japim fund sot e përgjithmonë.
Nëse jemi në një lidhje monogame, i vetmi shqetësim që duhet të kemi është që emra të tjerë pas tanëve të mos i shtohen listës. Kaq! Gjithë çka ndodhur më parë nuk ka rëndësi. Përsëritjani vetes këtë dhe partnerit nëse fillon bën numra dhe do mësoni të jetoni në paqe.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.