Nëse keni humbur Black Panther, bëni çmos dhe shiheni menjëherë. Filmi është fantastik dhe me siguri më i miri në këtë listë (edhe pse disa prej këtyre titujve s’kanë dalë ende në kinema).
Red Sparrow ndërkohë, me Jennifer Lawrence, po pëlqehet shumë nga publiku, por jo dhe aq nga kritikët. Historia të mban pezull dhe shikuesi s’e kupton ç’ndodh realisht në prapaskenë deri në fund të filmit. Kritikët nga ana tjetër, e quajtën seksist dhe vunë në pah faktin se nuk e shfrytëzon talentin e të mrekullueshmes J. Law. Zgjedhja është juaja.
Tom Raider vjen në kinematë shqiptare më 15 mars. Alicia Vikander, vajza e pavarur e një aventurieri, vendos të shtyjë veten përtej limiteve në ishullin ku u zhduk i ati. Kam besim tek Vikander dhe në trailer filmi duket shumë emocionues, i mbushur me aksion dhe substancë.
Drejt fundit të marsit, më datë 22, do të shfaqet Pacific Rim Uprising. Do ta shoh vetëm për John Boyega, i cili ishte mbresëlënës në triologjinë e re të Star Wars. Nëse njiheni me franshizën e Pacific Rim, aq më mirë. Nëse jo, tani është momenti të nisni.
Më 29 mars vjen prodhimi më i fundit i Steven Spielberg, i quajtur Ready Player One. Kur krijuesi i një bote virtuale vdes, publikohet një video për gjithë përdoruesit e kësaj bote dhe i sfidon të gjejnë vezën e pashkëve. Ai që zbardh misterin, trashëgon pasurinë e krijuesit. Kinematografia dhe efektet duken të kuruara deri në detaj dhe po e pres me qejf.
S’mund të mos rekomandoj Call Me By Your Name dhe The Shape of Water, një i nominuar për Oscar, ndërsa tjetri fitues, përkatësisht. Janë të dy filma shumë të vlerësuar si nga industria, kritikët apo publiku dhe i rekomandoj me plot gojën.
Martesa, me regji të Blerta Zeqirit, eksploron trekëndëshin e dashurisë mes Bekimit dhe Anitës dhe shokut të ngushtë të Bekimit, Nolit. Vetëm me këtë fjali u binda ta shoh.