Menuja e re në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës është bërë shkak debati mes prindërve të fëmijëve dhe personave përgjegjës. Blerina Bombaj, ideuese e menusë, iu përgjigjet gjithë pyetjeve që mund të kenë prindërit rreth saj.
Kush e vendosi menunë?
Ndryshimi i menusë erdhi në një kohë kur vetë drejtoria e kopshteve dhe çerdheve e ndjeu si detyrim ndaj gjithë fëmijëve që edukohen në këto institucione, që të marrin një ushqim më cilësor, më të ushqyeshëm dhe më të larmishëm, pasi menuja e derimëtanishme ishte e njëanshme, e varfër në larmi dhe e tepërt në kalori boshe të cilat në pjesën më të madhe përfundonin në kosh. Drejtoria e Kopshteve dhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka shpallur vitin 2018 si vitin e fëmijëve, më kerkuan mua si dietologe klinike, si personi me vitet më të shumta të arsimimit në shkencën e dietologjisë dhe ushqimit, dhe me eksperiencën më të gjatë në këtë profesion në vend, të hartoj një menu të përshtatshme për grupmoshat përkatëse, sipas udhëzimeve kombëtare të cilat bazohen në ato ndërkombëtare, për përmbushjen e vlerave të nevojshme ushqyese në vaktet e ofruara ne kopshte. Sasia e kalorive ditore dhe përbërja në lëndë makro dhe mikroushqyese është përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. Përzgjedhja e ushqimeve është konform një ushqyerje mesdhetare, e cila lidhet me zakonet tona dhe jetëgjatësinë më të lartë në botë. Kombinimi i tyre është bërë për të plotësuar njëri-tjetrin në të gjithë elementet ushqyes dhe në të njëjtën kohë për të ofruar një shije të mirë. Pas hartimit të menusë, pediatrët dhe ekspertët e shëndetit publik e kanë studiuar dhe pas një diskutimi të gjatë në grup dhe pas marrjes në konsideratë të sugjerimeve të tyre, është konkluduar në hartimin përfundimtar të regjimit ushqimor.
Nuk i kemi fëmijët për dietë!
Kemi një problem me perceptimin e termit dietolog dhe nutricionist. Nutricionisti është një këshillues i thjeshtë i mirëushqyerjes, një dietolog është më i kompletuar në formim. Një dietolog klinik nuk bën vetëm dieta dobësimi, përkundrazi, ky titull i jep gjithë autoritetin të marrë përsipër përcaktimin e regjimit ushqimor të njeriut në gjithë ciklin e jetes, si dhe në patologji. Një dietolog harton dietë për dobësim, për shtim në peshë, për parandalim të sëmundjeve, kontroll të diabetit, të kolesterolit, të funksionimit të veshkave, të alergjive, sëmundjeve inflamatore. Çdo spital në botën e zhvilluar ka një dietolog, në cdo pavion. Po ashtu çdo sportist e ka te nevojshëm një dietolog nëse dëshiron të arrijë maksimumin e performancës së tij. Pra, askush më mirë se një dietolog, nuk mund të hartojë regjimin ushqimor për një njeri apo për një popullatë.
Menuja duhet të bëhet nga mjekë pediatër
Mjekët pediatër nuk hartojnë menu, pasi nuk është detyrë e tyre dhe nuk përbën pjesë të formimit të tyre formulimi i një diete. Një mjek pediatër zotëron njohuri mbi përbërjen e dietës dhe vendos se si duhet të jetë ajo në lëndë makro dhe mikroushqyese, dhe këtë vendim të pediatrit dietologu e përkthen në ushqime, receta dhe vakte. Dhe përbërja ushqyese e regjimit është vendosur në dakordësi me pediatrët.
Në ç’konsiston kjo menu?
Ky është një regjim ushqimor që fëmijët i ushqen mjaftueshëm në kalori, dhe shkëlqyeshëm në lëndë ushqyese me fokus hekurin, kalciumin, vitaminën A, yndyrnat esenciale, dhe fibra, elementët që më së shumti mungojnë në ushqimin e fëmijëve të vegjël dhe që kanë ndikimin më të madh në shëndetin e tyre. Sot fëmijët nuk vuajnë për kalori, përkundrazi, ato merren fare lehtë me tepricë nga ushqimet që më së shumti serviren dhe ushqimet që më së shumti preferojnë fëmijët, siç janë ëmbëlsirat, ushqimet e gatshme, ushqimet e thata. Fëmijëve ju mungojnë, frutat, perimet e freskta, drithrat e plota e të papërpunuara, yndyrnat e pazëvendësueshme të vajit të ullirit, mineralet e shumta të legumeve dhe fibrat e bimëve.
Pse nuk u ndryshua menuja gradualisht?
Sepse procedurat ligjore lejojnë ndryshimin e menysë vetëm një herë në vit, dhe nuk kishte asnjë arsye pse fëmijët të privoheshin edhe një vit tjetër nga ushqimi cilësor. Përderisa asnjë ushqim që bën pjesë në menu nuk njihet si i papërshtatshëm për fëmijët, nuk kishte asnjë arsye të hezitonim.
Debati mbi tërshërën: A është tërshëra e përshtatshme për një fëmijë?
Në të gjithë menunë, vetëm tërshëra mund të themi se është një ushqim jo i zakonshëm për shqiptarët. Tërshëra është një drith si gjithë drithrat e tjerë. Çfarë e bën orizin apo grurin më të përshtatshëm për fëmijë se tërshëra? A e dini ju se orizi në mbarë botën përbën shqetësim për faktin se është i kontaminuar me arsenik, dhe së fundmi këshillohet të eliminohet ose të reduktohet nga ushqimi i fëmijëve të vegjël? A duhet të jenë më të qetë prindërit me një menu që ka çdo ditë të javëz oriz? Cila është arsyeja që ne i privojmë fëmijët nga drithrat e tjera si thekra dhe tërshëra, kur dimë se ka studime të panumërta që evidentojnë efektet fantastike që kanë në shëndetin tonë? Tërshëra është i vetmi drith që përmban beta glukane – substanca që forcojnë shëndetin e aparatit tretës ku gjendet edhe 70% e sistemit tonë imunitar. Tërshëra krahasuar me grurin ka shumë më tepër fibra, më shumë proteina dhe më shumë hekur.
Pse njerëzit mendojnë se tërshëra të dobëson?
Nuk ekziston ushqim që të dobëson. Ajo që të dobëson është reduktimi i sasisë së ushqimit. Tërshëra nuk të dobëson, pasi ka njësoj kalori si drithrat e tjerë, por duke qenë e pasur në fibra ajo ndihmon që të çlirojë energjinë e saj më gradualisht dhe ngopja zgjat më gjatë. Kjo vlen edhe për fasulet, arrat, bajamet, farat, e shumë ushqime të tjera të cilat i rekomandojmë kur duam të rrëzojmë peshë por nuk do të thotë që të dobësojnë. Po të njëjtat ushqime rekomandojmë edhe kur duam të shtojmë peshë, thjesht rrisim sasinë e tyre.
Pse nuk u bë ndryshimi në diskutim me prindërit?
Ndryshimi erdhi pikërisht duke mbledhur ankesat e vazhdueshme të prindërve për disa zgjedhjë ushqimore të papërshtatshme për fëmijët. Prindërit kanë në dispozicion gjithë personelin e kopshteve për çdo shpjegim dhe sqarim mbi menunë. Sidoqoftë, prindërit nuk mund të vendosin se çfarë duhet të hanë gjithë fëmijët e vendit në kopësht pasi nuk kanë formimin e duhur në këtë fushë. Prindërit duhet të kenë besim te institucionet dhe të kërkojnë shpjegim për çdo shqetësim tyrin.
Shumë prindër u ankuan se është ulur sasia e mishit
Mishi është 4 herë në javë për moshën 6-12 muaj, e cila është edhe mosha ku fëmija ushqehet kryesisht me qumësht (I cili është I varfër në hekur), dhe marrja e hekurit nga mishi është e rëndësishme për të parandaluar anemine. Në moshën 1-3 vjec mishi është 3 herë në javë, 2 herë mish pule dhe 1 herë mish viçi. Kjo është një sasi mëse e mjaftueshme për të marrë hekurin dhe proteinat e mishit, pasi pjesa tjetër e ushqimit ofron hekur dhe vitaminë C në sajë të thjërrzave, fasuleve, spinaqit, bizeleve, dhe tërshërës, si dhe frutave të freskëta. Nëse më parë sasia e mishit ka qenë e shprehur për mishin bashkë me kockë, tashmë vërtetë është reduktuar sasia, por ajo është vetëm tul. Me këtë reduktim të sasisë totale të mishit kemi arritur të sigurojmë cilësi më të mirë të tij. Dhe cilësia e mishit është shumë më e rëndësishme se sasia, pasi mishi i lirë mund të jetë më i dëmshëm sesa i dobishëm për një fëmijë.
Në moshën 4-6 vjec, mishi është 2 herë në javë pasi ushqimi është më i bollshëm dhe marrja e thjerrzave, fasuleve, spinaqit, tërshërës, thekrës, dhe vitaminës C nga frutat siguron mjaftueshmërinë e hekurit dhe përthithjen optimale të tij.
Duhet të dimë se sot mishi i kuq nuk rekomandohet më shumë se 1 herë në javë, edhe për fëmijët, pas vitit të parë.
Pse u hoq gjalpi?
Shumë prindër janë shprehur se “fëmija ka nevojë për gjalp”. Gjalpi nuk është yndyrë e pazëvendësueshme pasi merret fare mirë nga qumështi, kosi dhe djathi. Ndërsa vaji i ullirit është i pazëvendësueshëm, dhe është ndër ushqimet më të dobishme për njeriun. Konsumi i tij në vegjëli mbron nga sëmundjet e zemrës, nga obeziteti dhe nga sëmundjet tumorale. Unë i siguroj prindërit, se në asnjë literaturë të botës nuk citohet se gjalpi është i domosdoshëm për fëmijët. Madje, Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon reduktimin e yndyrnave të ngurta që në moshën e fëmijërisë, pasi arteroskleroza fillon që 10vitet e para të jetës.
Pse u hoqën supat?
Supat nuk janë hequr, por nuk janë të përditshme, sepse fëmijët duhet të njihen me zarzavatet, t’i prekin, t’i shijojnë një nga një, t’i dallojnë nga ngjyrat dhe nga teksturat, dhe t’i marrin më pak të gatuara. Në zierjen e supës, shumë lëndë ushqyese humbasom, ndërsa fëmijët marrin një masë ushqimi pa kuptuar se çfarë ka brenda, dhe pa ju dhënë mundësia të njihen me perimet. Servirja e perimeve në formë sallate në dy ditë të javës, është menduar si një mënyrë për të fituar një raport më të mirë me perimet dhe për t’i edukuar fëmijët për shijet e tyre. E megjithatë supat nuk janë hequr, janë plot 3 herë në javë duke marrë parasysh që edhe thjerrzat apo fasulet, apo qiqrat serviren në formën e supës.
Si mund të përdoret hudhra te ushqimi i fëmijëve?
Pas vitit të parë të jetës, një fëmijë këshillohet të ushqehet si gjithë pjesa tjetër e familjes me përjashtime të vogla si mjalti dhe ushqime që mund ta mbysin si psh kikirikët, qershitë, kokrrat e rrushit etj. Rekomandohet të konsumojë normalisht gjellët dhe gatimet e shtëpise. Nuk ka asnjë problem të përdoren hudhrat dhe erëzat në gatimin e ushqimit për fëmijë, dhe bëhet fjalë për një hudhër në 4 -6 racione, e cila siç e dimë shumë mire, ka efekte të shkëlqyera antimikrobiale.
Përsë është vendosur kastraveci që nuk është i stinës?
Në stinën e dimrit, kastraveci është vendosur në një sasi prej 5gr në javë, te taratori, vëtëm për të dhënë aromë e jo si ushqim kryesor. Sigurisht që ai nuk do të mungojë në stinën e verës si përbërës kryesor i sallatës, së bashku me domaten.
Trahanaja është ushqimi i skamjes
Shumë është diskutuar edhe vendosja e trahanasë në mëngjes, duke e komentuar atë si një ushqim për të varfrit. Fakti që disa ushqimë përkojnë me kohën e varfërisë, nuk do të thotë se janë vetë ushqime të varfra, përkundrazi. Ushqimet për të varfrit si trahanaja, buka, fasulet, janë aq të pasura sa mund ta mbajnë gjallë dhe shëndoshë një të varfër. Këto ushqime i kanë plotësuar njeriut lëndët kryesore, të cilat nuk kishin mundësi t’i merrnin nga një dietë e pasur. Për më tepër, drithrat e fermentuar si trahanaja janë forma më e shëndetshme e tyre pasi fermentimi iu çliron gjithë lëndët ushqyese.
Fëmija im nuk i ha këto ushqime
Ky është rasti më i mirë që fëmija të mësojë t’i hajë këto ushqime. Nga eksperienca deri tani e ushqimit në kopshtet tona, fëmijët janë përshtatur me ushqimet që rezultojnë më të vështirat për ta, siç është preshi dhe lakra, të cilat kanë qenë pjesë kryesore e menusë. Fëmijët janë shumë të përpunueshëm, ata nuk lindin me preferenca për ushqimin por edukohen, mësohen dhe ndihmohen. Duke parë njëri-tjetrin, është shumë e lehtë të përqafojnë ushqime të reja. Një fëmijë mund të refuzojë deri në 10 herë një ushqim përpara se ta provojë dhe ta pranojë. Jemi ne ata që duhet të edukojmë fëmijën si të ushqehet, nuk janë fëmijët që do të na tregojnë si t’i ushqejmë.
Femija im mbeti pa ngrënë
Kjo menu ka vetëm 5 ditë që praktikohet. Çdo fëmijë kur shkon në kopsht mund të refuzojë ushqimin me ditë të tëra. Fëmijët kanë nevojë për pak kohë sa të përshtaten me shije të reja. Kjo kohë është shumë më e shkurtër nëse edhe prindi ndihmon dhe nuk e llaston fëmijën me ushqimet që ai kërkon. Ne kemi për detyrë t’i ofrojmë fëmijëve ushqimin që ju bën mirë në sasinë dhe kohën e duhur, ata kanë në dorë të hanë ose jo. Nëse ne dorëzohemi dhe i japim atë që do ai më idenë “mjafton të hajë”, ky është një gabim shumë i madh. Një fëmijë e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e urisë, po ja shuajtëm me ushqime të papërshtatshme nuk do arrijmë kurrë ta ushqejmë siç duhet.
A jam i sigurt unë që lënda e parë do të jetë cilësore?
Ky ushqim është llogaritur që brenda kuotës së përcaktuar, të arrihet të blihet me me cmimet e produkteve më cilësore në treg, duke kushtuar rëndësi të vecantë vajit të ullirit, mishit, vezës, bulmetit dhe bukës, si ushqimet bazë. Gjithë kostoja e tepricës së ushqimit që ofrohej dhe që përfundonte në kosh, është llogaritur të shkojë në cilësi. Dhe ju siguroj se përgjegjësit e kopeshteve dhe cerdheve, punojnë me një përkushtim të admirueshëm, që askush të mos guxojë të kompromentojë cilësinë. Ishin ato që e kërkuan këtë ndryshim, ishin ato që këmbëngulën për këtë përmirësim.
A është kjo menuja ideale?
Duke marrë parasysh kuotën ditore prej 1300-1600lekësh të vjetra në ditë për 3-4 vakte që ofrohen në kopësht dhe cerdhe, kjo menu është mjaft e mirë, por jo se nuk ka edhe më mirë. Një nga pikat e dobëta të këtij regjimi është mungesa e peshkut. Kjo për arsye të sigurisë ushqimore, pasi peshku është një produkt shumë delikat dhe kërkon një infrastrukturë perfekte, përndryshe mund të përbëjë rrezik serioz. Nëse do e bëja menynë siç do doja unë, ajo do kishte patjetër edhe dy herë në javë peshk. Këtu rekomandimi shkon për prindërit në mënyrë që t’jua plotësojnë këtë ushqim në fundjavë. Shpresojmë që në të ardhmen, të krijohen kushtet dhe ta përfshijmë edhe peshkun.
Dy fjalë të fundit
Jepini kohë këtij ndryshimi, çdo gjë e mirë arrihet me vështirësi. E di që është shumë përparimtar për realitetin tonë, por përse të mos përparojmë kur është mundësia? Një gjë është e sigurtë, ky regjim ushqimor është ai që do të ëndërronte çdo prind nëse do ishte në dijeni të ndikimit që këto ushqime kanë në shëndetin e fëmijës dhe në shëndetin e tij kur të rritet.
Shembull krahasimi i një dite nga menuja e mëparshme me atë të sotmen:
*Një fëmijë i moshës 4-6 vjec nevojitet në total gjatë gjithë ditës, mesatarisht 1400 kalori. Duke marrë parasysh që vakti i darkës dhe ai para gjumit që do të konsumojë në shtëpi duhet të përbëjë 30-40% të ushqimit ditor, një fëmijë i kësaj moshe, këshillohet të marrë jo më shumë se 1100 kalori në kopsht dhe pjesën tjetër ta plotësojë në shtëpi.