Bashkëpunimi mes Vjenës dhe Tiranës po tejlakon kornizat e parashikuara urbane. Me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe shoqatës Glanz-Ing Tendler Performances, nesër (15 shkurt 2018) koncerti “Vienna salutes Tirana” do të çelë Vitin Kulturor Austri-Shqipëri 2018.
Elita e asaj që ka për të ofruar arti në Shqipëri do të performojë në skenën e Pallatit të Kongreseve. Sopranoja Inva Mula, kompozitori Genc Tukiçi, mexosopranoja Vikena Kamenica, së bashku me balerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit, Enada dhe Gert Vaso do të dalin para publikut përkrah emrave më të njohur të muzikës lirike.
Një ndër yjet e mbrëmjes do të jetë tenori meksikan, Ramon Vargas, i cili debutoi herët në vitet ’90 dhe që atëherë është kthyer në një nga tenorët më të vlerësuar të shekullit XXI. I njohur për zërin shprehës dhe të zhdërvjellët, specialiteti i Vargas është repertori i tij bel canto. Me një numër impresionues rolesh mbi supe, performanca e Vargas do të jetë pa dyshim një nga pikat kulminante të mbrëmjes.
Mjeshtri koncertal Benjamin Ziervogel vjen me kuartetin e tij ACIES dhe bas baritoni i Operës Shtetërore të Vjenës, Thomas Tatzl do të performojë krah baritonit Günther Haumer, një ndër më të mirët e muzikës Lieder.
Ky koncert, kaq i larmishëm, do të vlejë si një dialog ndërkulturor mes Tiranës dhe Vjenës. Publiku do të ketë mundësinë të njihet me një repertor të pasur me kryevepra nga Mozart, Strauss, Lehar e Brahms.