Moda > Shopping now!

Pesë gjëra që bleva në eBay për pak lekë dhe që ia vlejtën çdo qindarkë

Në Instagram mund të keni hasur shpesh faqe që shesin gjëra të vockla të lezetshme, si përshembull bizhuteri, kasa celularësh a çanta për një vlerë të arsyeshme lekësh. Isha gati të porosisja një palë vëthë në një prej këtyre faqeve kur më lindi idea t’i kërkoja gjetkë. Në eBay gjeta ekzaktësisht të njëjtët vëthë, për 700 lekë të reja më pak. Blerje të tilla të lira kam bërë disa dhe ato që ia vlejtën, po i rreshtoj më poshtë.

1. Vëthë fytyrë

Pasi i pashë në një post në Tumblr, më dolën para syve në Instagram dhe i ngjajnë kaq shumë një skice të Henry Mattise sa s’mund të rezistoja pa i blerë. Kushtuan thuajse $1, ndoshta më pak, dhe janë fiks si në foto. Materiali është i fortë, i artë dhe do kujdes. Për sa kohë nuk i njom e nuk u spërkas parfum sipër, janë në rregull.

2. Kasë iPhone

Po për $1 gjeta një kasë plastike si xham me “The Great Wave off Kanagawa”. Materiali është shumë i mirë, celularin e ka mbrojtur nga disa rënie dhe ngjyrat janë vibrante. Ç’të duhet më shumë nga një kasë? Në krahasim me kasat 1500 lekëshe e lart në Tiranë, kjo për $1 është një mrekulli. Për verë kam ndërmend të porosis një tjetër, me motive qershish, për të njëjtin çmim. Kjo që kam momentalisht nuk gjendet më në eBay.

3. Stickers

100 stickers për $3. Zgjodha këto në bardhë e zi, pasi m’u dukën më estetike. I kam ngjitur në kuti për t’i dekoruar, në blloqe. Ca ia dhashë një shoqes sime, e cila i ngjiti në biçikletë, e disa sime motre që ia ngjiti celularit. Sticker-at janë referenca të pop culture, si përshembull Darth Vader nga "Star Wars" apo Heisenberg nga “Breaking Bad”. Është një mënyrë e këndshme për t’i treguar të tjerëve çfarë të pëlqen.

4. Çantëz

Kjo çantë është pak më e shtrenjtë se sendet e tjera në këtë listë. Kushtoi diku tek $4 dhe për çmimin, ka cilësinë e duhur. Ngjyra është si në foto, zinxhiri po ashtu. Përmasat janë përshkruar saktë. E vetmja gjë që nuk shkon janë qepjet, që mund të ishin realizuar më mirë. Sidoqoftë, për t’u mbajtur herë pas herë ia vlen.

5. Kuletë

Unë jam njeri macesh dhe m’u duk e përshtatshme të kisha një kuletë në formën e fytyrës së një maceje. Është më vogël se një pëllëmbë dhe përdorët për farësoj qëllimesh. Për të futur medikamente, monedha e gjëra të tjera të imëta. Nuk zë shumë vend në çantë dhe është kaq e lezetshme. Edhe kjo kushton $1.

Shënim: Për të blerë në eBay, fillimisht lidhni kartën tuaj të debiti me një llogari PayPal. Më pas, hapni një llogari në eBay. Produktet që dëshironi shtojini në shportë dhe ndiqni udhëzimet deri në kryerjen e pagesës. Zakonisht, pakot vijnë në Tiranë pas 21+ ditësh. Sendet e përmendura në listë mund t’i gjeni në eBay duke klikuar mbi titullin e secilës.

Alberta Kamenica
Gazetare

Artikuj të ngjashëm

.