Para rreth dy vitesh, Google lançoi një aplikacion të quajtur Google Arts & Culture. I përshtatshëm për iOS dhe Android, aplikacioni përmban një koleksion impresionues veprash arti dhe ofron tip editorialesh në lidhje me një vend të caktuar, muze, ngjyrë a artist. Përvçse na bën të gjithëve të ndihemi të kulturuar kur e shfletojmë pa pasur mendjen, aplikacioni ka dhe një opsion të fshehur që ka fiksuar përdoruesit.
Quhet “Is your portrait in a museum?” (A gjendet portreti yt në një muze?) dhe funksionon kështu: Përdoruesi ngarkon në aplikacion një selfie, e cila analizohet dhe krahasohet me portrete të njohura databazën e gjerë të Google Arts & Culture. Kur aplikacioni gjen një pikturë të ngjashme me foton e ngarkuar i jep përdoruesit rezultatin.
Për shembull, Kate Hudson duket se ngjason me “Portret i një djali” nga Pierpont Limner.
Aktori pakistanez Kumail Nanjiani ngjan me këtë protret të Mohammed Al Mazrouie.
Ndërsa komediania Sarah Silverman me pikturën “Faten” nga Chant Avedissian.
Sigurisht, u bëra kurioze, shkarkova aplikacionin dhe kërkova për vendin ku mund të ngarkoja selfien time. Më kot.
Ky opsion i aplikacionit nuk është i përdorshëm jashtë Shteteve të Bashkuara, por kjo s’më ndali. Fika location services në celular, që aplikacioni të mos e dallonte ku isha. Instalova dhe një VPN (Virtual Private Network) që të krijonte idenë se gjendesha në Amerikë. Provova sërish dhe dështova sërish.
Sipas Google, opsioni është në fazë testimi dhe së shpejti do të jetë i përdorshëm për gjithë botën. Deri atëherë po hamendësoj se ngjaj me Mona Lisën.