Instagrami është pushtuar nga një lloj specifik postimi që me siguri duhet t’ju këtë rënë në sy. Faqje të ndryshme jo zyrtare që shesin rroba të markave si Zara, Pull & Bear, Stradivarius, Bershka, Armani e madje LC Waikiki e DeFacto (që janë relativisht të lira) u ofrojnë 50,000 ndjekësve të parë një kupon prej 100 eurosh nëse reklamojnë faqen e tyre në Instastories.
Shembuj:
100 euro vetëm për një follow dhe për një postim të etiketuar në Story? Pse të mos e bëj dhe unë, fundja ç’humbas. Me këtë logjikë, të gjithë filluan të shpërndajnë lajmin.
Nëse ju ngjan e çuditshme, s’jeni të vetmit. Le të marrim këtë faqe që shet produkte nga Zara si shembull. Ofrojnë kupon prej 100 eurosh për 50 mijë ndjekësit e parë. Me një shumëzim të thjeshtë, faqja duhet të shpërndajë 5 milion euro vlerë malli. 5 milion euro.
Nëse një tregtues i vogël në Instagram do të kishte 5 milion euro për të falur, s’do të kishte nevojë të tregtonte fare. Rroga vjetore e CEO-ve të kompanive retail më të mëdha se Zara e Bershka s’arrin 5 milion euro. Shanset që kjo “skemë” të jetë e vërtetë janë të ulëta, për të mos thënë zero.
E gjitha bëhet për ndjekës dhe për të bërë emër në oqeanin e faqeve që shesin rroba në Instagram. Faqet s’kanë ndërmend të shpërndajnë kupona. Në momentin që arrijnë numrin e dëshiruar ndjekësve falë kësaj skeme kreative, ndërrojnë përshkrimin dhe voila; tani kanë një audiencë të gjerë të cilës mund t’i reklamojnë dhe shesin produkte.