Ky është James. James beson se është psikopat. Ndërsa kjo është Alyssa, vajza popullore dhe e pasjellshme e shkollës.
James, 17-vjeçar u vetëdiagnostikua si psikopat dhe që t’ia vërtetojë këtë botës (dhe vetes) planifikoi të vrasë Alyssa-n me gjakftohtësi. Ajo nga ana tjetër, ka problemet e veta dhe s’e vë re në asnjë moment qëllimet e James-it.
Po flasim për një serial, s’e harrova.
Quhet “The End of the Fu***ing World” (Fundi i kësaj dreq bote) dhe u publikua për mbarë botën në internet më 5 janar. Titulli na e thotë që në fillim që historia e dy adoleshentëve nuk do të ketë fund limonatë, por më besoni kur ju them që s’ia keni idenë ç’ju pret.
Le t’i kthehemi historisë. James jeton vetëm me të atin, ndërsa Alyssa me nënën dhe njerkun e saj. Të lodhur nga qyteti i vogël në të cilin jetojnë, nga marrëdhëniet disfunksionale me prindërit dhe nga euforia e "dashurisë" së parë, dyshja vendos të marrë arratinë. Këtu nis gjithçka.
Ngaqë ishte vendim i momentit (pas një skene epike ku James gjuan të atin me grusht dhe i vjedh makinën), dy 17-vjeçarët s’ia kanë idenë ku të shkojnë. Madje s’kanë kokërr leku me vete. Si për dreq, makina u shpërthen në flakë pasi u përplas me një pemë. Peripeci pas peripecie, James dhe Alyssa hyjnë me dhunë në një shtëpi bosh në periferi të një qyteti që nuk e njohin. Shtëpia, krejt rastësisht, i përket një shkrimtari përdhunues dhe vrasës serial. Është e qartë që të rinjtë s’i pret asgjë e mirë.
Që të shoh diçka duhet të kem interes. Që të kem interes duhet të mos e di ç’ndodh. E bukura e këtij seriali nuk qëndron tek ngjarjet, por tek motivet pas tyre dhe tek realizimi tejet cilësor. Historia e James dhe Alyssa-s flet për traumat e fëmijërisë, për identitetin që formësohet në moshën e adoleshencës, për mënyrën si prindërit dëmtojnë të vegjlit e tyre. Veprimet e protagonistëve ndoshta nuk do të rezonojnë me çdokënd prej nesh, sepse të themi të drejtën janë pak ekstreme, por do t’i kuptojmë pse sillen ashtu pasi marrim vesh ç’kanë kaluar më herët. Ndoshta do të kuptojmë dhe veten, lidhjen e veprimeve tona sot, me ç’përjetuam në fëmijëri.
“The End of the Fu***ing World” është një kryevepër moderne, me një stil distinktiv të ndoshta dy dekadave më parë. Performanca e Alex Lawther si James-i psikopat është aq serioze, stoike, sa arrin kufirin e komikes. Jessica Barden nga ana tjetër si Alyssa ka më tepër nuancë, përcjell mrekullisht bërthamën e një vajze adoleshente.
Mund ta shihni me mosbesim se fundja është një dramë për dy adoleshentë që largohen nga shtëpia. Është shumë më shumë se aq. Të ngërthen me pak fjali. James, një psikopat, do që të vrasë Alyssa-n, kot për qejf. Më thoni që kjo s’ngjan interesante.
Ka vetëm 8 episode, fatkeqësisht, secili nga 20 minuta. Mund ta mbaroni për pak orë. Madje jam e sigurt që atë do të bëni. E gjeni në Netflix, apo në sajtet e jashtëligjshme që më mirë s’po i përmendim.