Alibaba Group Holding Ltd. zhvilloi një model inteligjence artificiale që doli më mirë se njerëzit në një provim të lexuari dhe të kuptuari nga Stanford University.
Urdhëro?
Kur themi inteligjencë artificiale (AI – Artificial Intelligence) e kemi fjalën për një software shumë të përparuar, aq sa i ngjan një njeriu. Këtij software i janë ushqyer sasi të mëdha informacioni dhe jo shumë vonë pas kësaj, është testuar për “ç’lexoi”. Si puna e një studenti. Studion dhe më pas testohet.
AI lexon në një farë mënyre informacionet dhe më pas i përgjigjet testit. Në këtë rast, testi u krijua nga Stanford University dhe përmbante 100,000 pyetje të mbështetura në 500 artikuj të Wikipedia-s. modeli i zhvilluar nga Alibaba Group arriti pikët më të larta, duke ia kaluar edhe njerëzve që kryen të njëjtin test.
Ç’do të thotë kjo?
“Kjo do të thotë se pyetjet objektive si puna e ‘pse bie shi’ do të marrin përgjigje shumë të sakta nga makineritë,” tha Luo Si, shkencëtar në institutin e Alibaba-s. “Teknologjia mund të përdoret në një numër fushash si për shembull shërbim ndaj klientit, guida muzesh apo edhe në shtëpi.”
Një zhvillim i tillë e ul drastikisht nevojën për mund njerëzor.
Burimi: Bloomberg