Vajza e Majlinda Bregut, Kejda Ajazi, është tashmë personazh mediatik.
Por s’qe e thjeshtë për politikanen të mësohej me këtë ide. Ajo është 18 vjeçe dhe si bashkëmoshatarët, i pëlqen të jetë aktive në rrjetet sociale. Por media nuk u shkon fort pas fijes dhe shkruan gjëra që Majlinda Bregu s’do të donte t’i lexonte.
“Kjo është gjëja më e shëmtuar që ndodh, por duhet ta marrësh përsipër koston. Nuk mund t’i kërkoj vajzës sime të mos e jetojë jetën si bashkëmoshatarët, në një kohë kur Instagram-i dhe fotot në rrjetet sociale janë diçka shumë e rëndësishme.”
E ftuar në “Studio e Hapur” me Eni Vasilin, Majlinda Bregu tregoi një rast kur kuptoi se s’mund të vazhdonte të kushtëzonte të bijën vetëm për hir të imazhit mediatik. Ishte Kejda ajo që i vuri kapak kësaj çështjeje.
“Ka patur raste që kemi bërë debat, për faktin se ajo mund të bëjë një foto për qejfin e vet diku, dhe kur shikon komente të çuditshme. Por një ditë ma mbylli gojën.”
Këtë vit, Kejda ka shkuar të studiojë në Bruksel, dhe një foto e shkrepur atje pranë një dyqani u bë shkak për një lajm mbi shpenzimet e vajzës së ish-deputetes së PD-së.
“Po diskutonim për një foto në të cilën ishte duke kaluar rrugës, ku pas saj lexohej emri i një dyqani. U bë lajm: “Nuk ndalet, bën shopping”. Ajo ishte duke kaluar në trotuar edhe unë që i thashë: “Po mirë, ti nuk gjen një vend tjetër për të kaluar?”
Pastaj e kuptova se kisha thënë një budallallëk shumë të madh, s’mund t’i tregosh edhe rrugën ku do të kalojë.
M’u përgjigj: “Më fal, por kur u nisa a nuk më the se tani do të kisha mundësi ta provoja veten vetëm, dhe të lirë? Pse kërkon të ma kushtëzosh lirinë? Po bëj ndonjë gabim?”
Aty i thashë vetes: “Qetësohu, shqetësimet për fëmijët nuk janë budallallëqet që shkruajnë, pasi ka probleme të tjera.”