Metropolitan > MetroChic

24 orë me të gjithë!

Autorja, një bukuroshe 30 e diçka vjeçe, e rritur në metropolin tonë të quajtur Tiranë, rrëfen aventurat e saj dhe ndan rrugëtimin e saj në kërkim të mashkullit ideal.

Shikoni fotot e tjera!    v      

E kishim lënë që Këpuca të më merrte në telefon për të gjetur një arsye që të mos rrija gjatë. Me gra të ngeshme mund dhe ta gdhija. Hyra në makinë e rrethuar me erën e verës dhe të purove dhe e putha fort. Ndjehesha sikur kisha kaluar një provim të rëndësishëm .

-Si shkoi? Ia paske tharë paketat më duket, vjen erë sikur e ke pirë me llullë.

-S’kam pirë cigare fare, por ato pinin të gjitha si të babëzitura. Pi verë e pi duhan e fol për seks.

-Si shkoi? Bëre komentet e duhura?

-Nuk fola fare, s’më lanë rradhë ose nuk i interesonte mendimi im. Librin e harruan fare, filluan të flisnin për eksperienca imagjinare sikur kështu sikur ashtu, sikur George Clooney, sikur Brad Pitt. Por u kënaqëm, e lamë të takohemi për të pirë ndonjë drekë a për të ngrënë ndonjë kafe !

I varem në krah ndërkohë që ai i jep makinës.

-“Çfarë do të bëje për mua ti zemër, e pyes?”

-“Aaaaa ja ku filluan kërkesat, gratë e bosave të paskan influencuar.”

-“Po shumë! M’u përgjigj, cfarë do të bëje për mua?”

-Çdo gjë, më thuaj çfarë të duhet dhe do ta kesh, mjaft të jesh vajzë e mirë.

-“A do të më çoje tek shtëpia e Asaj? Do ta bëje për mua?”

-“Të mos flemë bashkë?” Hapi krahun dhe ndezi sinjalin e bllokazhit. “Si të erdhi kjo ide, s’ka ditë nesër që do të flesh sot? Plus që vjen era duhan , nuk do të bësh një dush , tek dushi JONË? Ti po zgjedh të flesh në shtëpinë e Asaj dhe jo të flesh te krevati JONË? Pa mendohu mirë?”

-“Po unë prandaj të pyeta , nëse është e vështirë për ty…”

Ndërkohë që unë prisja përgjigjen ai kishte marrë drejtimin e shtëpisë së tij.

-Paske lënë dritat ndezur! I gjithë kati ishte i ndriçuar dhe dritat e verandës binin deri në rrugë. Tek dera vinte aroma kek i porsa dalë nga furra dhe pulë e pjekur. Siç duket komshiu paska festuar pak me të shoqen. A do të ketë veshur të brendshme të kuqe vallë, apo ku bëhen këto gjëra me burrin thuaj! Këpuca shtyu derën me shpatull si të jetë mundës. Edhe pse nuk ka asnjë problem në hapjen e derës, ai kështu bën gjithmonë. Tavolina është e shtruar. Shoh pjata dhe një shishe verë te pahapur. Këpuca vendos serviset mbi tavolinë.

-E shikon çfarë do të humbje? Do të këmbeje darkën tonë me dallaveret që do të bëje me Asaj?

Ai kishte gatuar, domethënë kishte përgatitur salçiçe, aromën e të cilave unë e kisha ngatërruar me pulën e pjekur, dhe patate të ngrira. Gjysmat e patateve ishin akoma të ngrira, por më mirë, se dhe patatet njerëz janë s’mund t’i skuqësh për së gjalli.

-Jam i sigurt që nëse do të kishe gatuar ti, do të kishim diçka më të mirë për të ngrënë por për sonte mjaftojnë. Boll që kemi njëri-tjetrin, mund të flemë dhe me një salçiçe dhe tre patate në bark. E dëgjoja tek fliste dhe koka më vinte vërdallë. Po më zinte mëngjesi me gotë alkoholi në dorë dhe nuk isha mësuar ta përballoja. Ishalla nuk po më kërkon nëse di të bëj kulaç.

-“Damian , kam dicka për të diskutuar, mbase nuk është momenti i duhur por tani më erdhi ndërmend.” Alkoli më kishte bërë më të guximshme.

-“Më thuaj zemër , çfarë ka? Ke vendosur të bëhesh amvisë e mirë?”

-“Jo. Kam vendosur të fle në shtëpinë time.”

-“Në shtëpinë tënde je.”

-“E kisha fjalën në shtëpinë time të vërtetë. Mami më është kthyer nga pushimet dhe s’po di si ta gënjej më gjatë. Jam justifikuar deri diku me ardhjen e Lolës.”

-“Do ta takojmë dhe mamin mos u bëj merak, po ishalla s’po na kërkon që të vijë dhe ajo, se dy gra nga familja juaj janë shumë.”

Na zuri gjumi direkt të ngarthyer me njëri-tjetrin nën melodine e stomakërave që nuk e tretnin dot në botë salçiçen e skuqur fort dhe patatet e pabëra.

E nesërmja, në momentin që hapa sytë, nuk më besohej që kishte ardhur. Mendoja: Po sikur të kisha vdekur në gjumë, po sikur të zgjohesha vonë, po sikur vera të kishte ilaç gjumi brenda dhe të zgjohesha pas tre ditësh?

Fluturova për të takuar Asaj, pastaj mu desh ta prisja 2 orë tek kafja poshtë shtëpisë sepse kisha shkuar pa lajmëruar dhe nuk mund të dilte nga shtëpia nëse nuk vinte dhe kremin për bërrylat, dhe kremin e gishtave të këmbës dhe thembrave, për të mos folur për një kile parfum, syze dielli, çantë sa një thes, vëthë, byzylyk dhe të gjitha unazat! Se kështu ishte moda. Prit e prit po më sosej durimi dhe po më dilte nga qejfi dhe vetë situata. E çfarë rëndësie kishte ajo çfarë do t’i thosha? Lajm homogjen: Gencit po i vdes gruaja, por ti gëzohu se do të bëhesh me burrë.

Jo, në fund të fundit unë kisha të drejtë të gëzohesha për shoqen time. Ajo nuk po përfshihej në një marrëdhënie treshe si gjysma mos të them treçereku i Tiranës. Ti, burri dhe gruaja e burrit plus tre të dashura fantazma të së shkuarës gjithmonë prezent me sms në mes të natës .

Asaj erdhi , turfullonte që tutje.

-“Ç’ne me kaq nxitim?”

-“Kam lajme, takova Gencin dje.”

- “Dje? Si dje? E ke takuar dje dhe erdhe sot, nuk vije dot dje? Prit një herë të porosisim kafen se na trashe. Pse i komplikon muhabetet, nuk më merrje dot në telefon të ma thoje.”

-“Ështe me rëndësi doja të ta thoja personalisht.”

-“Ti ke mbajtur një muhabet që më përket mua për vete 24 orë…hmmmmm.Ma thuaj pra!”

-“E para mendoj se duhet të bësh seks, se ke kaq kohë që hungërin e të duhet dhe një çantë tjetër për të mbajtur turinjtë. E dyta, takova Gencin dje rastësisht, ishte në rrugë e sipër për në spital. E shoqja ka sëmundje të keqe dhe ai kalon më të shumtën e kohës me të sepse janë muajt e fundit.”

Heshtje!

Asaj vazhdonte të gjerbte kafen shpejt, mund dhe t’i shkaktohej ndonjë djegie e shkallës së tretë ndërkohë, sepse po e pinte pa pushim kafen e nxehtë që nxirrte avull.

-“Unë jam pa fat”, Foli pa e kthyer kokën. Mundësia që ajo ta mendonte situatën ndryshe nga unë nuk ishte përjashtuar në asnjë moment, por që konkluzioni do të ishte ky nuk ishte parashikuar. M’u duk e pavend të flisja.

-“Ai më ka telefonuar këto ditë. Nuk më ka kërkuar të takohemi. E ndjeja që kishte një ngërç.”

Për atë punë asgjë s’ka ndier, por ashtu i dukej tani që e dinte situatën!

-Çfarë do të bësh? Pyetja më idiote, por që duhet bërë për t’i dhënë një shtysë tjetrit për të folur më shumë.

-“Nuk do të përzihem. Nuk mund të marrë vëmëndjen nga një person që po vdes. Nuk do të mund ta puthja Gencin kurrë duke ditur që një person dergjet diku dhe ka nevojë për të.”

Kjo quhet patetizëm apo njerzillëk?

-“OK, por mund të takoheni ndërkohë. Ai mbase të tregon vetë. Në fakt, nuk kuptoj pse po të mban larg gjithë kësaj.

-“Unë po rri larg vetë, nuk po më largon ai. Po rri larg por mëndja më rri aty. Nuk më vjen të merrem me asgjë tjeter.”

-“Pse nuk dergon një letër tek Anabeli, se mbase të ndihmojnë mendimet e njerëzve.” U kthye dhe më pa. Bo bo do më hajë me gjithë lecka vallë apo do ngrihet të më rrahë?

- “Për atë punë marr mendimin tënd, por dhe ai nuk më duhet. Në këtë moment nuk më duhet asnjë mendim, më duhet Genci. Ai duhet të vijë dhe të më thotë si është situata”

-“Asaj nuk mendon se po kërkon ca si tepër? Sa kohë ke që e njeh? Ti do të dish dhe sa herë shkon në banjë ai për atë punë, por nuk po di si po e mban veten. Pastaj, ti e di se si është situata. Ta tregova unë, çfarë do të dish më shumë?”

-“Dua të di nëse ai më do apo jo.”

Filloi dhe kjo variantin tim kur u njoha me Këpucën. Më do, s’më do. Po nëse më do sa më do ?

-“Meshkujt nuk janë si ne” Ja ku po i përsërisja çfarë ajo më kishte thënë. “Nuk na duan që në momentin e parë, as në të dytin.”

-“Në momentin e satë na duan Alinë? Që të mbaj shënim. Në momentin e njëqindtë? Kam gjithë jetën që pres momentin. Genci është i duhuri por pse duhet të ishte kaq e komplikuar.”

-“Mbase ai po pret që gjithë kjo histori të marrë fund që të të tregojë. Dhe pak ditë kanë mbetur mesa kuptova.”

-“Nuk dua të di më shumë. Më fal, por jam shumë keq shpirtërisht për një budallallëk. Po vuaj për një njeri që nuk e njoh fare. Më duket sikur dëshira ime për të pasur Gencin po ia shkurton jetën gruas së tij.”

Rrofshin burrat e rrofshin gratë, se po të ishin të gjithë shëndoshë e mirë, me çfarë do ishim marrë do të thoshte Vadiku. Ai mezi po priste qe të më takonte për t’i treguar mbi komentet e librit. Çdo gjë që kishte lidhje me seksin i interesonte.

-“Njerëzit janë më të dashur kur bëjnë seks dhe më të bukur. Jam për paqen në botë dhe për seksin e egër.” Thoshte gjithmonë moton e tij pas çdo bisede.

Asaj u nis të shkonte nga shtëpia e plazhit për të lyer kangjellat e për të shfryrë stresin, se : “Me këtë kohë që po mban, plazhi është sa për peisazh”. U nisa dhe unë e dola në gjysmën pa shi të Tiranës për të ngrënë një drekë të qetë me Vadikun në një lokal periferie me shumë emër. Sa herë kisha shkuar aty ose do të më qëllonte qimja në pjatë, ose nuk do të kishte vënde, ose do të vinte ndonjë ex i imi e do të ma zinte ne fyt, ose ndonjë ex i ndonjë exi e përsëri do të ma zinte në fyt. Por kur vendet jane IN , aty do shkosh, nuk ke zgjedhje tjetër për të qenë trendy.

-“A të kujtohet sa kohë na është dashur për t’i mësuar kuptimin fjalës TRENDY dhe Vintage?” Vadiku fliste duke parë menunë. “Sa herë kemi bërë Google dhe përsëri nuk dinim se ku t’i përdornim këto fjalë?”

- Po, por kujdes , porosit ndonjë pjatë pa qime brenda ti atë bëj, lëri këto filozofitë.

Pasi e pyeti kamarierin për ëmbëlsirat në fillim, dhe prenotoi çfarë deshi, se mund t’i mbaroheshin deri në fund të drekës, hodhi këmbën mbi këmbë si një anglez i vogël i rritur në mes të Londrës dhe jo sikur të ishte tirons nga “Varri i Bomit”

-Si është bebja? Ia dërgove rrobat e bukura që i bleve?

-“Po të gjitha. Mamaja është shumë e lumtur. Më duket se po e bind që t’ja jap atësinë.”

-“Pse ajo nuk do?”

-“Nuk e kemi diskutuar asnjëherë, por përderisa ndan me mua çdo eko që i bën bebes, nuk do mënd që nuk ka pse të diskutohet, por kot thashë.”

“-I kam blerë dhe unë një palë këpucë të vogla. Mendoj se për disa javë i duhet të lindë. Ti do të shkosh?”

-“Patjeter. Do të doja të isha brenda në sallë dhe të shikoja të gjithë procesin e lindjes.”

Ishte hera e parë që dëgjoja dikë që shprehte dëshirën të ishte në sallën e lindjes. Asnjë baba më parë nuk kishte hyrë me dëshirë. Me kaq dëshirë të madhe jo një herë.

-“Libri si shkoi, a të lanë që të hapësh gojë?” Ai dinte çdo gjë! Vadik Miller, i biri i Susan Miller, i sofistikuar në parjen e dorës dhe leximin e fatit nëpërmjet vendosjes së yjeve.

- “Fola dhe unë.” Gënjeva. Mora dhe një opinion të tretë nga një shoqe e zyrës, opinion që më përshtatej pak më shumë sesa ato çfarë më the ti dhe Lola. Në fund të fundit, të gjitha ishin në një mendje, personazhi kryesor i librit është një ëngjëll që bën çdo gjë për dashurinë e saj.

Vadiku kishte hedhur pak vaj ulliri dhe balsamiko në një pjatë dhe po e merrte me bukë të bardhë të nxehtë.

-“50 hijet e Greit” është lexuar kryesisht nga gratë, duhet ta lexojnë dhe burrat që të fillojë të ndodhë diçka.

- “Çfarë po pret që të ndodhi? Shumë shumë do të boshatiset Sex Shop i vetëm në Tiranë. Njerëzit do të blejne penise false siç blejnë televizorë, kur bëjnë oferta dyqanet elektronike. Në çdo xham dritareje do të shohesh nga një penis fallco të dalë mode, që e përdorin për të varur rrobat. Po ti ke ?”

-“Po kam, e bleva jashtë. Dhe aq shumë e doja saqë nuk e futa në bagazh nga frika se mos më humbnin bagazhet.”

-“Kishe frikë se do të të ndillte tersllëk Alinë dhe do të humbnin bagazhet?”

-“Kisha frikë se po të më humbnin bagazhet do të më humbte dhe AI! Leo ia vura emrin.”

-“E ke prezantuar me Këpucën?”

-“U cmende? Kurrë nuk do ta bëja. Duke mos pasur shumë eksperiencë e kam blerë më të madh seç duhet dhe Këpuca mund të ndjehet inferior. Plus që është mall kinez dhe mban një erë të tmerrshme. Nuk e kam nxjerrë kurrë nga kutia.”

-“Se mos të shpëtoi goja dhe iu tregove grave që ke një të tillë.”

-“Ato të gjitha kishin, biles talleshin me njërën prej tyre që kishte menduar që dhe mund t’i shkëmbenin.”

Vadikut i dolën sytë vendit. – “Pse nuk më merr dhe mua me vete herën tjetër? Të njëjtin libër keni?”

-“Jemi vetëm femra Vadik!” Duke parë se si po i shkëlqenin sytë, vura re lëkurën e tij pa qime dhe të lëmuar si të bebes, buzët e ngritura dhe vetullat e pastruara mirë.

-Jo nuk mundesh!” I them , duke ia blerë mendjen.

-“Offff që mundem po e po, ti përgatit vetëm situatën. Le ti bëjmë pak lëmsh se nuk u bë qameti.”

-“Pse nuk i le karagjozllëqet asnjëherë.”

-“Më beso që me atë fustanin tënd të bardhë do të dukem një mrekulli. Vivi, ai më zgjat dorën që nga ana tjetër e tavolinës për t’u përshendetur. Më quajnë Vivi, gëzohem!”

Artikuj të ngjashëm