Festivali i Këngës mund të ketë shpallur dje fituesin më unanim nga ana e jurisë dhe e publikut. Eugent Bushpepa po merr mbështetje të madhe në rrjetet sociale, si i zgjedhuri për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong-un që do të mbahet në maj në Lisbonë, Portugali.
Edhe pse fansat e Eurosong-ut nuk e duartrokitën faktin që zgjedhja iu la 100% në dorë jurisë, për shqiptarët Festivali i Këngës ka bërë zgjedhjen e duhur me këngën “Mall”.
Pjestarët e jurisë ishin: kompozitori Limoz Dizdari, kompozitori Adrian Hila, muzikanti Markelian Kapedani, Drejtorja e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zana Çela dhe gazetari Ilirian Zhupa.
Me t’u shpallur fitues i Festivalit të 56-të Këngës, Eugent Bushpepa u prit në skenë me ovacione të shumta, të cilat vijuan më tej edhe në rrjetet sociale.
“Ne shqiptarët asgjë nuk pëlqejmë. Mendoj se është i vetmi vit që Shqipëria ka për t’u prezantuar denjësisht e nuk mendoj se ka këngëtar shqiptar me këtë zë.”
“Bravo, më e bukura. Fitore e merituar.”
“Talenti fitoi.”
“Më në fund, një këngë tamam.”
“Shumë këngë e bukur, urime për fitoren e suksese në Eurovision, më në fund një zë i denjë për të na përfaqësuar.”
“Shumë këngë e bukur, ky djali ka një zë fantastik, mjaft më me këngëtarë koti, ky ia vlen, Hard Rock Hallelujah.”
Viteve të fundit, kundërshtimi ndaj këngës fituese të Festivalit të Këngës ishte kthyer në trend në rrjetet sociale. Por kënga e Eugent Bushpepës ishte ndër të preferuarat e publikut që përpara se të niste festivali.
RTSH i publikoi këngët konkurruese në Youtube dy javë përpara, duke u dhënë njerëzve mundësinë t’i dëgjonin disa herë dhe të zgjidhnin të preferuarën. Kënga e Eugent Bushpepës lakohej si favorite për të fituar, bashkë me “Piedestal” të Iris Nezirit; “Sytë e shpirtit” e Bojken Lakos apo “I njëjti qiell” i Manjola Nallbanit.
Është hera e parë që Eugent Bushpepa vlerësohet me një çmim të parë në një festival të rëndësishëm, edhe pse është një prej zërave mashkullorë më të vlerësuar dhe më të dalluar të skenës.
Fitoren e tij e parashikoi edhe Juliana Pasha, e cila nuk ngurroi të shprehte hapur mbështetjen për Bushpepën përmes një postimi në Instagram. Ish-konkurrentja në Eurosong u kërkoi falje miqve të tjerë që merrnin pjesë në Festivalin e Këngës, duke shkruar se këtë herë fitoren e meritonte kënga e Eugent Bushpepës, që e konsideroi "vokali më i bukur mashkullor".