Shiko, atmosfera e fundvitit është magjike, këtu biem dakort. Por kur e themi këtë, është ora 8 e darkës, ndodhemi gjëkundi duke pirë verë të ngrohtë, veshur me gunë, doreza, kapuç dhe shall. S’kemi asgjë kundër gjithë festave që do të shkojmë këtë fundvit. E kemi me veshjet.
1. Si fillim, me siguri do të vishemi si për verë, kur në fakt temperaturat janë nën 0
Keni parë ndonjë fustan festiv që është me mëngë të gjata, me push, me jakë të mbyllur? Ndonjë palë këpucë që s’të fusin plevitën? As ne s’kemi parë.
2. Teminat janë ngjitur në tokë nga thellësitë e ferrit
Këtë vit për dreq janë kthyer dhe teminat në modë dhe asgjë s’duket aq festive sa veshjet me temina. Fundja, kush nuk do të shkëlqejë e të bjerë në sy në gjithë clubin. Bëhuni gati për shumë kruarje dhe fërkim mes materialit djallëzor me temina dhe lëkurës suaj.
3. Nëse keni aksesorë në veshje, qoftë edhe i vockël fare, e sigurt që do të ngecë diku
Festat = Xixa, perla, gurë, spila, temina, që do të ngecin në çdo gjë të mundshme, do t’ju grisin getat (tuajat ose të dikujt tjetër), do të ngatërrohen me bizhuteritë, me mbulesat e tavolinës dhe me aksesorë të tjerë.
4. Gjetja e një fustani që s’është i kuq, jeshil, blu ose metalik është praktikisht e pamundur
Nëse s’është në ngjyrat e lartpërmendura, s’është festiv. Zëre se s’jeni përpjekur fare. Kush e vuri këtë rregull njëherë? Pse s’ka fustane festive lejla, ose pink? A mund të merret Rihanna me këtë, se ajo të mbaron punë?
5. Getat. Thjesht getat.
Jeni kaq me fat nëse gjeni një palë që s’janë të grisura. Pastaj, nëse ju duhen një palë nude, jeni me fat nëse gjeni një palë që s’shkëlqejnë si diell. Do të fillojnë të bien, sepse nuk ka llastik në brez dhe do të ngrini së ftohti. Le të mos flasim për getat rrjetë.
6. Do të humbisni diçka medoemos
Vendi ku do të shkoni do të ketë një vend për të lënë palltot, ose do të gjeni një pirg ku të hidhni dhe tuajat. Në fund të mbrëmjes, do të dilni me një dorezë më pak dhe me gjysmë shalli. Ndoshta do të humbisni dhe kapelen. :)