Klinti Çollaku i shkroi dikur Marsela Çibukajt dhe ajo ia ktheu.
Përpara se ta fitonte, Klinti Çollaku e shikonte “The Voice” si spektator dhe admironte disa prej konkurrentëve. Prandaj, tani përpiqet të gjejë mundësinë t’u përgjigjet të gjithëve atyre që i shkruajnë dhe e përgëzojnë.
I ftuar në “Jo vetëm modë”, Klinti kujtoi se njëherë, i kishte shkruar Marsela Çibukajt në rrjetet sociale, kur ajo mori pjesë tek “The Voice” i parë në 2011-ën. Ajo u tregua e përzemërt me të duke e falenderuar.
Megjithëse s’e mban mend se ç’i kishte shkruar 6 vite më parë, ai e ka kuptuar se një mesazh i thjeshtë për dikë që të shpreh admirimin, është më e pakta që mund të bëjmë.
“Unë e kam provuar vetë, sepse kam qenë vetë në vend të tyre”, u shpreh ai.
Klinti tregoi se është fans i Alban Skënderajt, i cili ishte gjithashtu mentori i tij tek “The Voice”. Nëse do të zgjidhte të bënte një bashkëpunim, do të ishte me të.
Pjesëmarrja tek “Kënga Magjike”, ku u rendit i gjashti dhe fitoi çmimin “Jon Music”, do ta bënte të spikaste akoma më shumë tek publiku, që në komentet në rrjetet sociale, e konsideronte këngën “Më s’më gjen” si një prej pretendenteve për fitoren.