“Pse Tirana, dikur një nga qytetet më të zymta të Europës, tani ia vlen të vizitohet!”
Ky është titulli i shkrimit që e përjavshmja britanike “The Economist” i ka dedikuar kryeqytetit tonë. Në artikullin kushtuar Tiranës, trajtohet i gjithë transformimi që ka pësuar kryeqyteti vitet e fundit, nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Shkrimi nis me “Lali Eri”, nofka e famshme me të cilën dashur padashur të vegjël e të mëdhenj kanë pagëzuar kryetarin e bashkisë. Më pas, fokusi vihet tek Veliaj, 37-vjeçari që po drejton kryeqytetin e shqiptarëve. Sigurisht, në shkrim përmenden punët e bëra së fundmi me qendrën e qytetit, e ndërsa tani shkruhet se vëmendja e tij është fokusuar në periferi të vendit.
“Asnjë qytet në Europë nuk ka ndryshuar kaq shumë sa Tirana në 25 vitet e fundit.”- shkruhet në artikull.
Më tej, i prezanton lexuesëve figurën e Veliajt duke përmendur punët dhe vështirësitë në rrugëtimin e tij.
“Një çerek shekulli më parë, Tirana ngjante më shumë me një fshat se sa me nje kryeqytet.”- shkruhet në të, duke shtuar se sot nën petkun e kryebashkiakut, Veliajn e gjen në krye të çdo pune, që nga inspektimi i një rruge e deri tek përfundmi i këndit të lojrave për fëmijë.
Përpos të tjerave, The Economist e mbyll shkrimin duke thënë se frytet e punës mund të shihen kollaj, për aq kohë sa kryetari i bashkisë zgjedh të qëndrojë larg skandaleve që po dëmtojnë Ramën dhe qeverinë e tij, duke theksuar se gjithçka ai po mendon tani është fitorja e mandatit të dytë!