Pak ditë më parë, një studim i bërë nga shoqata Albanian Food Industy rezultoi në përfundime skandaloze rreth disa prej produkteve kryesore që konsumojmë. Një prej tyre ishte qumështi, në të cilën u gjet prania e alfatoksinës , toksina e rrezikshme që dëmton mëlçinë dhe bëhet shkaktare për zhvillimin e kancerit (lexo këtu).
Ndërsa ditën e sotme, ai që ka ngritur alarmin rreth kësaj çështjeje është ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Përmes një statusi në llogarinë e tij të Facebook-ut, ai e quan gjithë këtë si një megaskandal dhe i bën thirrje ministrisë së Bujqësisë dhe AKU-së të bllokojnë dhe tërheqin urgjent nga tregu këto produkte.
“Ose një megaskandal, ose një supermashtrim! Mbetet për tu parë?! Para disa ditësh në një studim të AFI-së, gjysma e mostrave të qumështit vendas të analizuara dolën me alfatoksinë. Alfatoksina është substancë kancerogjene e fuqisë shumë të lartë, e pazbërthyeshme dhe rezistente ndaj përpunimit termik. Prania e saj në qumësht dhe nënprodukte është rrezik shumë i madh për shëndetin e konsumatorit.”- shkruan ndër të tjera ish-ministri.
Nëse kjo çështje nuk zbardhet sa më parë, ai kërkon që prokuroria të nisë hetimin e menjëhershëm.