Showbiz dhe TV > TV Mania

Bashkëshortja e Leonard Bombajt flet publikisht për Ajsin: ‘I thoja: 'do të adoptoj’

Shumë kohë pasi Ajsi Xhaxhaj akuzoi Leonard Bombajn për abuzim seksual dhe pasi gjykata e shpalli të pafajshëm regjisorin, bashkëshortja e tij Esmeralda Blaceri tregoi publikisht si e përjetoi.

Ajo kujtoi se asokohe ishte shtatzënë me një vajzë dhe s’e mohoi se ishte një zhgënjim i madh për ta. E ftuar tek “Rudina” bashkë me të shoqin, Blaceri u shpreh se nuk pendohen aspak për dashurinë e madhe dhe mundësitë që i dhanë Ajsit, asokohe protagoniste e “Kripmjaltëzave”, por duhet ta kishin investuar gjithë mirësinë e tyre tek dikush tjetër.

Çifti Bombaj- Blaceri kujtuan se Ajsin e mbanin në shtëpi dhe e kishin trajtuar si vajzën e tyre, madje e kishin si shprehje: “Do ta adoptojmë”.

“E mora vesh këtë histori kur isha shtatzënë me vajzën.

Unë nuk do të kisha ndryshuar asgjë, por ndoshta ne gabuam person. Gjithë mirësinë, dashurinë, mund t’ia kishim dhënë dikujt tjetër.

Atë fëmijë do ta kisha mbajtur si fëmijën tim, thjesht duhet të ishte dikush tjetër. Shpeshherë kemi përdorur fjalën “do ta adoptoj”, aq shumë e donim këtë person. E kemi mbajtur në shtëpinë tonë. Ndjenjat do të jenë të njëjtat, por duhet t’i kishim investuar diku tjetër.”, u shpreh Esmeralda.

Edhe Leonard Bombaj, ideatori i “Kripmjaltëzave”, pjesë e së cilës ishte edhe Ajsi Xhaxhaj, tha se nuk pendohet, veçanërisht për mënyrën si u soll përballë akuzave të saj.

“E kapërceva brenda 24 orëve. Ishte një histori që rrëfehet shkurt: etja e madhe për të qenë dikushi, për të qenë i famshëm, që përfshinë edhe një adoleshente. Por unë vazhdova, pavarësisht kërcënimeve të shumta që kam marrë, unë dola tek vetja ime.”

Sipas tij, Ajsi Xhaxhaj kishte frikë se pasi u bë e njohur me “Kripmjaltëzat”, do të harrohej, ndaj edhe e sajoi gjithë këtë për vëmendje mediatike.

“Ishte rreziku i famës që po ikte. Unë e kuptova se frika i faturohej Leonardit, por këto janë historira të vjetra. Ndoshta duhet të kisha qenë më vigjilent, ndërsa të tjerët kishin filluar një jetë të dyfishtë.”

Në mars, Ajsi u shfaq në një intervistë për “Pasdite në Top Channel”, 7 vite pasi shpërtheu skandali. Ajo tha se kishte heshtur sepse kishte pritur të rritej dhe se ishte hera e fundit që do të fliste. Sipas saj, abuzimi kishte nisur kur ajo ishte 10 vjeçe dhe kishte zgjatur 5 vite.

“Kam një kërkesë për portalet që më anë quajtur “vajza mashtruese që e bëri për famë”. Dua t’ju them që nuk e kam bërë as për famë dhe as për lekë. Pas denoncimit, kuptova që s’kisha as llogari bankare. Paratë që mendoja se merrja, nuk ekzistonin. Kush do t’i vinte vetes një vulë që të ndjek gjithë jetën vetëm për një kapricio?” (lexo këtu)

Kësaj deklarate, Bombaj iu përgjigj duke thënë se pafajësinë ia dha gjykata dhe s’i është dukur e arsyeshme të përpiqet ta vërtetojë përsëri. Por shtoi se tani ka ndërmend të flasë dhe se ka prova.

Nuk kam folur deri më tani, sepse kam patur të bëj me një fëmijë dhe e kam lënë drejtësinë të flasë. Por tani do të flas me prova dhe do të mbaj qëndrim tjetër. Kam prova të forta, tronditëse dhe do t’i bëj publike.” (lexo këtu)

Artikuj të ngjashëm

. .