Foto nga Ina Omuri
Njoha njërin në Instagram. Për dreq, unë kam një rregull të artë që fare qartë thotë ‘mos me ata të Instagramit’, por e bëra. Më vrisni më mirë. Teknikisht nuk e njoha tamam tamam në Instagram, shoku i vëllait të shoqes së motrës time e ka patur në klasë paralele në fillore, pra isha e bindur që nuk po merresha me një vrasës serial që ka një laborator të vogël në shtëpinë e prindërve të tij ku mban foto të miat dhe fantazon për mënyrën ideale për të më vrarë.
Ishte një alamet djali, 1.95, brun, sportiv, me sy shprehës, me flokë të qethura shkurt si ushtar dhe pak mjekër, nga ata që duket sikur s’lodhen fare për t’u dukur bukur, por ti i shënjestron…dhe mbajnë aromë shkatërruese!
Më kërkoi për të dalë, bëra pak si e vështirë, sigurisht hulumtimet e mia në çdo skutë të internetit për të mësuar mjeshtërinë e ‘të vështirës’ më kanë rezultuar gjithnjë efektive dhe ky rast nuk bëri përjashtim. Ishte i këndshëm, nuk fliste për makina apo ora të shtrenjta dhe më dëgjonte. Më pëlqente ky tipi dhe s’doja ta çoja dëm mundësinë për të patur diçka dhe për herë të parë në jetë nuk doja që takimi i parë të bëhej në restorant ku unë nusëroj si mbi gjemba në karrige, ndërkohë që ai më flet për arsyen pse vendosi të mos e vazhdojë universitetin në Shqipëri apo bindjet e tij politike. Ughhhh a mund të bëjmë diçka më argëtuese se kjo?
Ai rekomandoi të bëjmë piknik, por me kë po tallemi? Mua më shkaktojnë alergji fijet e barit dhe insektet më hyjnë në hundë, pastaj nëse jemi vetëm ne të dy në mes të asgjëkundit, e sigurt që do krijohet një situatë e sikletshme në fund. Po sikur të afrohet të më puthë? Po nëse unë s’dua? Po sikur të bëhet agresiv?
E kështu vendosa ta marr vetë situatën nën kontroll. Atij ia lashë surprizë dhe nuk i thashë çfarë kisha ndërmend, por juve po jua them. Do bënim qitje!
I thashë ‘ma lër mua në dorë’, si rrallëherë. Erdhi më mori poshtë shtëpisë, shumë i përpiktë, madje më priti 20- minuta sa t’i jepja grimit prekjet e fundit. U nisëm drejt “Poligoni Action Target”, mbrapa stadiumit Qemal Stafa, që e kisha parë fare rastësisht në Instagram dhe e kisha vendosur që do shkoja. Është brenda në qytet dhe parkimi nuk ishte problem, kështu mund të vazhdonim të qetë.
Unë sigurisht e mora shumë seriozisht sebepin dhe respektova kodin e veshjes. Shpresoj të mos e kem trembur kur u shfaqa e veshur si Catwoman, por e kam të nevojshme të hyj në rol.
Eca rrëmbimthi drejt poligonit, që ndodhet tek Kulla 1 dhe është lehtësisht i identifikueshëm nga dy manekinë të veshur si ushtarë në hyrje.
Vetëm kur iu drejtuam sportelit e kuptoi bukuroshi që më shoqëronte se ku po shkonim. I treguam vajzës në hyrje kartat e identitetit, firmosëm diku dhe nuk paguam asnjë qindarkë për hyrjen, sepse regjistrimi është falas. Ajo na shpjegoi se në fund do të kryenim pagesën në varësi të plumbave të përdorur. 100 lekë një plumb, ky takim do të na shkonte më lirë se një kafe në bllok.
Nuk vonoi shumë derisa dikush na drejtoi brenda sallës së qitjes. U habita kur pashë që para nesh ishte një grup të rinjsh brenda ndërkohë për aq kohë sa qëndruam jashtë nuk dëgjuam asnjë zhurmë krisme sado të vogël.
E pashë që ai ishte i entuziasmuar, më tha se nuk e kishte provuar asnjëherë qitjen dhe prej kohësh donte ta bënte. U ndjeva mirë që po e kalonim bashkë këtë eksperiencë, sido të shkonte takimi ynë, të paktën do bënim një gjë që do të na pëlqente të dyve.
Brenda tek poligoni i qitjes ishin dy poste nga ku mund të gjuanim të dy njëkohësisht, por meqë ne jemi në fillimet e një historie të bukur dashurie, donim të shihnim njëri-tjetrin.
Unë nisa e para. Aty brenda njoha Nelin, një djalë shpatullgjerë dhe kaq i duruar. Unë jam e padurueshme kur vendosem përballë një dukurie të re, pyes për gjithçka dhe ai ishte shumë i gatshëm të më jepte gjithë përgjigjet e duhura, herë-herë dhe ato që doja të dëgjoja. Instruktorët tek “Poligoni Action Target” janë të çertifikuar dhe i njohin mirë armët, pasi kanë qenë pjesë e forcave të armatosura, ndaj siguria është maksimale.
Neli fillimisht më prezantoi armët dhe më rekomandoi një model më ‘femëror’, sepse sigurisht unë e kisha për herë të parë dhe kam kyçe të brishta, por mua më pëlqejnë sfidat dhe doja dëshpërimisht t’i tregoja partnerit tim potencial se nuk jam si gjithë të tjerat dhe zgjodha një Glock 34, armë austriake gjysmë-automatike që flinte kaq bukur në duart e mia.
Të gjitha armët e përdorura atje janë të vërteta, ndaj adrenalina është e paparë sapo nis të ambientohesh me armën dhe me gjuajtjen e parë. Zbulova që kisha një shënjestër të pagabueshme, duke i lënë kështu shoqëruesit tim të kuptojë se nuk mund të krruhet me mua. Dhe besoj e mori mesazhin. Disa gjëra bëhen të qarta që në fillim, hekuri rrihet sa është i nxehtë, nuk thonë kot ;).
Me të provuar gjuajtjet e para, nisa të kem kontroll të plotë mbi armën që mbaja. ‘I zgjedhuri’ që pretendonte se ishte i zoti me qitjen, sepse ka shkuar shpesh për gjueti me të atin, po më mësonte në një moment si ta mbaja Glock-un tim që të kisha fushëpamje më të qartë, vendosi dorën e tij mbi timen dhe aty ndodhi shkëndija. Çfarë bebushi!
Më pëlqente shumë që tani. E kotë të them që kur erdhi radha e tij thjesht i qëndroja mbrapa shpine me sy ëndërrimtarë dhe i studioja me imtësi çdo lëvizje të trupit. Të gjithë artikujt që kisha lexuar: ‘Si të zbërthesh një djalë për 5 minuta vetëm nëpërmjet gjuhës së trupit’ s’po më tregonin më asgjë. Aq më tepër kur njërën nga gjuajtjet ma kushtoi mua dhe nisa të ngërdheshem nja 5 minuta si gazelë budallaqe.
“Poligoni Action Target” ofron edhe kurse për fillestarët që duan të mësojnë të përdorin më mirë armën, që në thelb është një sport si gjithë të tjerët dhe ka shumë të apasionuar pas tij.
Në të njëjtin ambient me poligonin ishte dhe dyqani i armëve, një ambient modern ku veç armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, kishte dhe veshje të ndryshme, këpucë ushtarake dhe jelekë antiplumb. Parajsë për fanatikët e artilerisë së rëndë, që mund të kalojnë orë të tëra aty brenda jo vetëm për të blerë, por edhe për të studiuar produktet e tyre të preferuara.
Aspak keq eksperienca ime e parë si Lara Croft. Më në fund një takim ku mund të ndihesha si mes shoqesh dhe gjejeni çfarë, në fund i sigurova vetes një takim të dytë. Këtë herë vendin e zgjedh ai :)
Nga Megi Pojani