Dy gra të njohura të skenës bënë publik faktin se kishin ngrirë vezët, për një arsye ose një tjetër. Bleona, sepse ka prioritet karrierën dhe nuk ka një partner për momentin. Ndërsa Rita Ora, kur ishte 20 vjeçe, sepse s’donte ta vriste mendjen për trokitjen e orës biologjike. Të dyja u kryqëzuan nga opinioni publik sepse s’ka mjaftueshëm informacion rreth procedurës apo arsyeve që i nxitën këto gra.
Në një intervistë me mjekun gjinekolog Dr. Aytu? Kolankaya nga International Turkish Hospital, mësuam minimalisht se “ngrirja e vezëve është investimi më i zgjuar që mund të bëjmë në jetë.”
Dr. Aytu? Kolankaya është mjek gjinekolog i specializuar në fertilizimet in vitro, me më shumë se 10,000 të tilla në përvojën e tij profesionale. Ka studiuar në Stamboll në Fakultetin e Mjekësisë dhe është specializuar si gjinekolog në University of Vienna Medical School. Për konsulta, mund ta gjeni në Internatinal Turkish Hospital në Rr. Donika Kastrioti, Tiranë.
Si fillim, dua të di nëse ju mund të bëni procedurën në fjalë? A mund të ngrihen vezë në Shqipëri?
Sigurisht. Procedura mund të bëhet këtu në klinikën International Turkish Hospital, në Tiranë.
Si funksionon?
Mund të ngrijmë vezë, spermë dhe embrionë. Ngrirja e spermës dhe embrionëve është bërë me kohë, por vezët ishin më delikate. Ngrihen njësoj, por shkrirja ka vështirësitë e saj, pasi veza mund të dëmtohet. Me teknikën dhe embriologjistët e zotë mund të ngrihen vezë pa problem.
Sa zgjat procedura?
Ne nisim ditën e tretë ose të fundit të menstruacioneve ku gruaja merr injeksionet e nevojshme. Mund të bëhen vetë dhe nuk kanë dhimbje. Injeksionet zgjasin tetë ditë dhe dy ditë pas kësaj faze ne ekstraktojmë vezët nën ndikimin e qetësuesve. Nuk është nevoja për narkozë, thjesht qetësues që pacientja të mos ndjejë dhimbje. Pra, tetë ditë injeksione dhe ultratinguj çdo dy ditë. Pacientja vjen tek ne rreth katër herë, kalon pesë minuta në klinikë gjatë ultratingujve vaginalë, i japim injeksionet e radhës dhe ikën. Ditën e dhjetë paraqitet për procedurën e ekstraktimit dhe për punë 2 orësh mund të largohet pa problem.
Kush duhet të konsiderojë ngrirjen e vezëve?
Norma e infertilitetit është gjithnjë në rritje. Në fillim të viteve ’80 ishte diku tek 7%, ndërsa tani është 15-20% që do të thotë se një në pesë ose shtatë çifte ka probleme infertiliteti. Shkaku botëror i kësaj është se gratë kudo po bëjnë fëmijë në moshë më të madhe. Burrat prodhojnë gjatë gjithë jetës spermë, ndërsa gratë janë lindur me një numër të caktuar vezësh, rreth 2 milion, dhe çdo cikël menstruimi humbasin 500 vezë. Rreth moshës 40-46 vjeç, vezët kanë mbaruar. Problemi qëndron se në moshën 32-vjeçare, 80% e vezëve të një gruaje kanë humbur tashmë.
Në ç’moshë rekomandoni që një grua të ngrijë vezët e saj?
Pa dyshim, para se të mbushë 38 vjeçe?
Pse 38?
Teksa numri i vezëve pakësohet, edhe cilësia e tyre bie. Mund të ngrish vezë edhe mbi 40 vjeç, por cilësia nuk është e njëjta me vezë më të hershme.
Sa vezë ngrini zakonisht?
Ne nxjerrim dhe ngrijmë 10-15 vezë për procedurë. Në çdo cikël menstruacionesh, një vezë ovulohet dhe 500 të tjera humbasin vetiu. Këto vezë që ngrijmë merren nga ajo 500-ëshe. Pra, gruaja nuk humbet vezë, por fiton.
Për sa kohë mund të qëndrojnë të ngrira vezët? Për sa kohë durojnë?
Kur ngrin vezë, jeta ndalon. Që do të thotë se nuk vjetërsohen, nuk plaken, asgjë nuk ndodh. I mbajmë në -196 gradë celsius në azot të lëngët.
Janë të përdorshme në çdo moment që i shkrini?
Po. 5-10 vite është koha perfekte. Sidoqoftë, ka raste kur janë përdorur pa asnjë problem edhe vezë të ngrira para 15 vitesh.
E zëmë se një grua ka ngrirë vezët kur ishte më e re dhe dëshiron të mbesë shtatzënë gjatë menopauzës. A mund ta bëjë këtë?
Po, sigurisht. Edhe nëse s’ka më cikël, mund të mbesë shtatzënë me vezët e saj.
A ka rreziqe në shtatzëni të tilla, apo është njësoj si çdo shtatzëni tjetër?
Ka dy lloje rreziqesh: të nënës dhe të fëmijës. Për fëmijën s’ka asnjë lloj rreziku sepse është ngjizur me vezë të reja. Ndërsa për nënën, me kalimin e viteve, rreziqet vijnë e shtohen. Pas moshës 35-vjeçare nëna mund të ketë probleme me tensionin, me diabetin, etj. Për fëmijën, s’ka asnjë lloj rreziku jashtë normales.
A mund t’i analizoni vezët për të parë nëse mbartin sëmundje degjenerative apo gjenetike?
Jo, kjo mund të bëhet vetëm për embrionët e ngrirë. Veza do të shkatërrohej.
A rekomandoni ngrirjen e vezëve dhe spermës, apo ngrirjen e embrionëve?
Varet. Nëse bëhet fjalë për një çift që do fëmijë më vonë, është më mirë të ngrijnë embrionë, pasi është më e lehtë dhe më e sigurt. Çdo embrion i ngrirë mund të përdoret, ndërsa 85-90% e vezëve mund të fertilizohen pas ngrirjes. Nëse gruaja nuk ka partner për momentin, por do fëmijë më vonë, më mirë të ngrijë vezët.
Pse janë më të sigurt embrionët?
Embrionëve të ngrirë mund t’u analizojmë çdo kromozom dhe një numër të caktuar gjenesh. Kështu shmangim foshnjet me sëmundje gjenetike apo sindroma të ndryshme. Mund të zgjidhet edhe seksi i fëmijës, por në Shqipëri nuk është e ligjshme.
Ka njerëz që kanë probleme morale me ngrirjen e embrionëve. Pse ndodh kjo?
Kam një paciente që është dëshmitare e Jehovait. Ajo kërkoi që të formohen dhe të ngrihen vetëm dy embrione, pasi ajo beson se jeta nis që në ngjizje. Nëse do të formoheshin më shumë embrionë dhe do të përdoreshin vetëm dy, për të do të ishte vrasje e gjithë të tjerëve.
Sa kushton procedura, mesatarisht?
Duke përfshirë injeksionet, mjekimin, ultratingujt dhe nxjerrjen e vezëve, shkon diku tek 2000-3000 euro.
A keni ngrirë vezë në Shqipëri?
Kam bërë shumë në Stamboll, por asnjë në Shqipëri. Është procedurë aq e re, sa në Turqi ligji u miratua para pesë vitesh.
Nëse dikush e kryen procedurën në spitalin tuaj, vezët ruhen këtu apo tjetërkund?
Po, patjetër që ruhen këtu. Laboratori ynë ka kapacitetin për të bërë çdo gjë që bëhet në botë, përveç eksperimenteve. Çdo gjë që bëhet në klinikat e Amerikës, Britanisë, Suedisë, mund të bëhet në International Turkish Hospital.
A ka ndonjë dallim mes embrionëve të formuar me vezë të ngrira dhe embrionëve të formuar në mënyrë tradicionale?
Asnjë lloj dallimi. Kjo procedurë është legjitimuar pas vitesh të tëra provash dhe foshnjet e lindura me vezë të ngrira janë analizuar dhe studiuar në çdo moshë. Nuk ka asnjë lloj problemi.
Një këngëtare e njohur shqiptare, Rita Ora, ngriu vezët e saj kur ishte në të njëzetat. A është kjo e rekomandueshme?
Për mendimin tim, ka qenë shumë e re. Nëse ajo do t’i përdorë kur të jetë 30 vjeçe, s’ka asnjë lloj problemi. Por nëse do t’i përdorë kur të jetë 35, ose 40, vezët s’do të jenë të cilësisë së parë. S’është mirë të ruhen për 20 vite. Mosha 25-30 vjeçe është koha perfekte për të ngrirë vezët sepse është mosha më fertile dhe lë aq vite sa duhen për të pasur shtatzëni të shëndetshme.
Një tjetër emër i njohur shqiptar, Bleona, ngriu vezët e saj dhe hasi kritika negative nga publiku. Sipas mendimit tuaj, pse reaguan keq njerëzit?
Nuk mund të flas për mendësinë e komentuesve, por duhet që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e kësaj procedure dhe sa e nevojshme është në ditët e sotme. Gratë kanë mundësinë të ruajnë vezët e tyre, të ndjekin karrierën e të bëjnë fëmijë kur të ndjejnë dëshirën me kë të duan, me shans më të lartë mbijetese.
Nëse nuk keni ndërmend të bëni fëmijë pak pasi të mbushni tridhjetë, ngrirja e vezëve është zgjedhja më e zgjuar. Qoftë për karrierë, apo sepse nuk keni ende partner, nëse e kuptoni se do të ngelni shtatzënë pas moshës 35 vjeçare, është më mirë të ngrini vezët. Është investimi më me mend që mund të bëni në jetë.