Single apo me familje, gjithçka është më e thjeshtë kur ke një shok ose shoqe që të shikon siç shikon Arbana Xhemin dhe Xhemi Arbanën.
Dy mikeshat e ngushta të “Top Channel” tani s’ndajnë vetëm vendin e punës: prej 6 vitesh jetojnë në një lagje.
Shehu, prezantuese e “Portokalli” dhe Osmani, që së fundmi moderoi “Big Brother 9”, kanë treguar se e ndjekin njëra-tjetrën vazhdimisht. Të dielën, Arbana po ndiqte Xhemin teksa luante rolin e Khalees-it tek parodia e “Game of Thrones” në “Portokalli” dhe ndau me ndjekësit në Instagram ose, siç mund të themi ndryshe, shpalli botërisht admirimin për shoqen e ngushtë duke shkruar:
“Supertalent”.
Askush s’mund ta hedhë poshtë Xhemin përpara Arbanës apo Arbanën përpara Xhemit, e cila në një intervistë për “IN Tv” në janar të vitit të shkuar, sqaroi për publikun se mes tyre nuk ka patur ndonjëherë konkurrencë. Gjithashtu tregoi se, duke qenë me më shumë përvojë në këtë fushë, kur Arbana u bë nënë përpara 2 vitesh, i jepte këshilla për rritjen e fëmijëve, si nënë e dy djemve: Martini dhe Gabrieli.
Ndoshta s’ishte në dijeni për marrëdhënien e tyre, sepse konkurrentja Fiorentina bëri gjatë finales së “Big Brother” një koment për Xhemin që e bëri Arbanën t’i kthehej menjëherë.
Teksa Fiorentina grimonte Xhemin, që ishte e ftuar speciale, Arbana e pyeti si ndihej që po grimonte një prej prezantueseve më të njohura në “Top Channel”, dhe Fiorentina u përgjigj:
“Në stil, në veshje dhe në grim, gjithmonë më ka pëlqyer, pastaj pa dashur ta fyej, ti Arbana në prezantim ke qenë e para.”
Arbana s’e priti aspak mirë. Teksa ulte kokën dhe përpiqej të gjente fjalët e duhura, i tha Fiorentinës:
“Bobo, Fiorentina. Bëre shumë gabim që e the këtë.”
Deklarata e Fiorentinës u prit me ironi nga ana e Xhemit, që në fund i tha:
“Më pëlqen shumë si më ke lyer, të lumshin duart. Tani grimo Arbanën, që është e preferuara jote.”
Xhemi dhe Arbana e kanë parë njëra-tjetrën pa grim fare, madje edhe në gjendje jo shumë estetike, si gjatë kësaj bisede në Facetime në korrik, që përfundoi në të gjitha mediat.
Arbana publikoi në Instagram foton e Xhemit me maskë në fytyrë duke shkruar: “Thjesht një moment i zakonshëm Facetime-i me Xhemin.”, që u pasua me dhjetëra komente të njerëzve që shkruanin se Xhemi është shumë e bukur në çfarëdolloj gjendjeje.
S’do të ishte hera e fundit që Arbana Osmani bën diçka të tillë, madje mund të themi se postimet pa leje të fotove private të Xhemit janë kthyer në stilin e Arbanës, e cila në gusht postoi një foto të Xhemit në krevat, pa grim, pasi ishte zgjuar me vonesë:
“Ai momenti kur e ke marrë në telefon 63773 herë dhe të thotë “Mjesi” në 11:29.”, shkroi Arbana.
Në një vend pune, në një profesion; zakonisht nuk janë kushte të përshtatshme për të krijuar një shoqëri jetëgjatë por mesa duket, Arbana dhe Xhemi kanë gjetur çelësin për të lënë menjanë konfliktet për vëmendje apo vlerësim dhe ne duam ta dimë patjetër.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.