Askush nuk e ka dominuar botën e modës dhe bukurisë në 2017-n si Rihanna. As Kylie Jenner nëse këtë po mendonit.
Përpos bashkëpunimit me Puma-n dhe lançimit të linjës së saj të bukurisë, Fenty Beauty, që gjeneroi më shumë se 72 milion dollarë në shitje, Riri la gojëhapur industrinë me disa editoriale fantastike dhe momente të papërsëritshme në tapetet e kuqe, nga dalja në kopertinën e Paper dhe Vogue Arabia, e deri tek performanca e pametë në Met Gala.
Dhe sikur këto të mos mjaftonin ylli i muzikës pop po e mbyll këtë vit fuqishëm: tre kopertina në numrin e dhjetorit në revistën Vogue. Dhe të treja flisnin për Rihanna-n.
Secili nga numrat që pritet të dalin në treg muajin e ardhshëm është realizuar nga fotografë të ndryshëm, Juergen Teller, Inez dhe Vinoodh dhe Jean-Paul Goude, të tre realizuan foto sipas këndvështrimeve të tyre dhe sigurisht atyre të Riri-t në bashkëpunim me stilisten Mel Ottenberg.
Në të trija kopertinat Rihanna shfaqet plot vetëbesim para kamerës siç i ka hije dikujt që ka krijuar një perandori të tërë nga hiçi dhe vazhdon ta mbajë fronin me gjithë pompozitetin e saj.