Dashur pa dashur, gjyshërit po bëjnë gafën më të madhe duke llastuar të vegjëlit me shumë ushqime dhe ëmbëlsira. Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se në këtë mënyrë ata i ekspozojnë drejt sëmundjeve të rënda vdekjeprurëse.
Sipas një studimi të publikuar në The Telegraph, gjyshërit po i ‘vrisnin’ padashur të vegjëlit duke i dhënë ëmbëlsira dhe ushqime të shpejta më shumë seç duhet, duke rritur shanset për obezitet dhe sëmundje të tjera që do të shfaqen më vonë në jetë.
Të konsumosh duhan para tyre apo t’i edukosh me ëmbëlsira vetëm që të binden, është e rrezikshme. Të tilla sjellje rrisin shanset për sëmundje të rënda si kanceri, sidomos gjatë kohës që ata janë në rritje e sipër.
Ndonëse gjithë këtë e bëjnë për të kënaqur të vegjëlit, ndikimi që lënë në shëndetin e tyre është shumë negativ. Ekspertët ngrenë alarmin duke thënë se një stil i shëndetshëm jete në fillim të fëmijërisë është shumë i rëndësishëm dhe përcaktues për vitet e ardhshme.
Gjithsesi, gjyshërit duan më të mirën për nipërit dhe sa më shumë të jenë të informuar aq më pozitiv do të jetë roli i tyre në shëndetin e fëmijëve.