Mbrëmjen e e së premtes (17 nëntor 2017) Tirana Esthetics & Style School (TESS) hapi dyert për të ftuarit në ceremoninë e inaugurimit. Eventi u mbajt në ambientet e shkollës, në një atmosferë entuziaste me njerëzit më glamorozë të jetës publike. Të veshur me të zeza dhe me grimin më spektakolar që mund t’ju zënë sytë, si të ftuarit dhe organizatorët ishin shpirti i festës.
Maltina Braho, ose thjesht Tina, themeluesja e TESS dhe New Look Tina, solli në Tiranë bashkëpunëtorët e saj në këtë nismë të guximshme e të suksesshme. Gabrielle Brunelli, drejtori artistik i “Make Up Forever Italia” ishte prezent së bashku me Davide Manzoni-n, drejtorin e përgjithshëm të “Comfort Zone”. Përpjekjet dhe puna e palodhur e këtyre tre njerëzve solli pranë studentit shqiptar të parën shkollë estetike dhe stili në Shqipëri. Kjo e premte ishte i vetmi moment i përshtatshëm për të mbajtur një ceremoni inaugurimi ku të gjithë partnerët të ishin prezentë.
I mëshojmë vazhdimisht përdorimit të fjalës “shkollë” pasi është realisht e tillë. Semestri i parë nisi në fillim të nëntorit dhe studentët e rinj që duan të bëhen pjesë e TESS duhet të synojnë për semestrin e janarit. Nevojitet vetëm të jeni mbi 18 vjeç dhe të keni diplomën e shkollës së mesme. Si dhe dëshirë për të mësuar e pasion për të bukurën, këto janë tepër të rëndësishme.
Një nga artistet e ardhshme të TESS tregon për Anabel arsyet pas aplikimit të saj dhe si është të studiosh aty. “Aplikova sepse doja mësimdhënie serioze, doja njerëz që punonin mirë dhe me pasion. Doja të ardhme. TESS është vendi perfekt, jam shumë e lumtur që e zgjodha .”
Mësimi funksionon si çdo shkollë tjetër në vend. Mungesa, provime mes sezoni, projekte dhe provime përfundimtare, të gjitha këto janë pjesë e të qënit student i TESS. Pas çdo seance mësimore studentët marrin në email informacionin e ditës. Literatura është italiane dhe e shqipëruar mjeshtërisht. Për t’u siguruar se në botë po dalin profesionistë të mirëfillte nevojitet medoemos kjo lloj korrektese e kulture pune.
“Jemi shumë të lumtur që po inaugurojmë shkollën e parë jashtë Italisë. S’po e bëjmë as në New York, as në Paris, as në Londër, por në Tiranë,” tha Davide Manzoni për kamerat. E gjithë kjo, në fjalët e Gabrielle Brunelli-t, një realizim falë “pasionit që e çon biznesin para.” Ndërsa Tina premtoi më shumë projekte me “Comfort Zone” dhe “Make Up Forever” që janë ende në zhvillim.
Tirana është gati të marrë atë që meriton prej kohësh: arsimim të mirëfilltë për profesionistët e së ardhmes. Fusha e makeup-it, stilimit e estetikës është gjithnjë e në zgjerim dhe nevojiten njerëz të rinj me potencial për të plotësuar boshllëqet në treg. Rrugëtimi i TESS drejt sukesit nisi këtë nëntor. I juaji mund të nisë kur të doni ju. TESS i ka dyert e hapura!