Për dy muaj, Anxhela Peristeri, e vendosur për të rënë në peshë, frekuentoi çdo ditë palestrën. Këngëtarja shkonte çdo mëngjes, madje e ka treguar vullnetin e hekurt edhe në fotot dhe videot e publikuara në Instagram.
“Kam rënë 12 kg dhe në mënyrë të shëndetshme,” tregoi me krenari këngëtarja në studion e Rudina Magjistarit. “Nuk pata probleme me dietën, marrje mendsh...Kur kam provuar të mbaj dietë më ka dhembur koka, nuk ngrihesha dot nga krevati.”
Duke qenë në lëvizje të vazhdueshme, koncerte apo në provat e ‘C’est la vie’ me të cilën po angazhohet momentalisht, Anxhela e ka të nevojshme të hajë për t’u furnizuar me energji. Ndaj 12 kilogramët i rrëzoi kryesisht falë ushtrimeve intensive në palestër. Me keqardhje Peristeri tha se e ka ndërprerë momentalisht palestrën për shkak të pjesëmarrjes në spektaklin në Klan, por do t’i rikthehet sërish.
“Kur shkoja në palestër isha më energjike, më e lumtur, më e gëzuar dhe më mungon kjo,” përfundon ajo. Kur u prezantua pak ditë më parë në skenën e Këngës Magjike veshur me një kostum të ngushtë që i nxirrte në pah të gjitha format, jo pak u befasuan nga ndryshimi në fizikun e Anxhelës që këngëtarja e ‘E çmendur’ është e vendosur ta ruajë.