Alban Skënderaj mori dje një tjetër çmim. Në ndarjen e çmimeve “Kult”, kënga e tij “Unë dhe Ti” triumfoi mbi këngët e tjera të nominuara, mes tyre edhe ‘Nëntori’ i Arilena Arës, duke u vlerësuar me çmimin Kënga e Vitit. Në fakt, sa herë e kujtojmë Albanin në një event të tillë apo festival, e kujtojmë gjithnjë me çmime.
Ndonëse ishte ende në fillim, konkurrimi në “Top Fest 2” ishte një nga objektivat e këngëtarit, që në fakt rezultoi si festivali fatsjellës për të. Në 2005-ën Albani provoi për herë të parë ndjesinë e çmimit të parë, në Top Fest me këngën “Vetëm Ty”, që asokohe u kthye në këngën simbol për gjithë të dashuruarit.
Këngëtari i ri, që kryefjalë të muzikës së tij ka romanticitetin, sigurisht që nuk e la me aq. Vitin pasues, ai konkurron sërish në Top Fest 3, me këngën “Diçka”, bashkëpunim mes tij dhe grupit ‘Kthjellu’. Kënga sërish fiton vendin e parë, duke e bërë Albanin fitues të 2 edicione radhazi të festivalit të muzikës moderne, ndër më të ndjekurit nga të rinjtë asokohe.
Duket sikur Skënderaj e di mirë kur është koha dhe vendi i duhur për të marrë pjesë në një festival muzikor. Në vitin 2012-të, Albani zgjedh të konkurrojë me këngën “Refuzoj” tek “Kënga Magjike”, ku gjithashtu rrëmbeu çmimin e parë, përveç çmimit të publikut.
Albani përforcoi edhe më shumë idenë se është pioneri i çmimeve të para, kur në edicionin e parë të “Top Awards” të zhvilluar pranverën e vitit 2016-të, mori sërish 2 çmime të rëndësishme. Ai u vlerësua me çmimin “Mashkulli i vitit” dhe “Çmimi i arritjes”.
Jehona e muzikës së tij, ishte po kaq e famshme edhe Kosovë, ku emri i këngëtarit lexohej më shumë në listat e artistëve. Për 2 vite radhazi, 2007-2008 ai fiton çmimin “Best Male” në Video Fest Awards me këngët “Ky Ritëm” dhe “Eklips”, për ta mbyllur në 2014-ën me “Best Pop” me “Mrekullia e tetë”.
Viti 2010-të në fakt, shënon festivalin e vetëm në të cilin këngëtari mori çmimin e dytë. Vendin e parë, këngës “Ende Ka Shpresë” të cilën Albani e këndoi bashkë me partneren e tij Miriam Cani në Festivalin e Këngës në RTSH e mori Aurela Gaçe me “Kënga Ime”. Gjithsesi, të tilla prova të çojnë vetëm në një përfundim. Alban Skënderaj është këngëtari me të cilin s'do të doje të konkurroje.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.