Showbiz dhe TV > TV Mania

Krasta, Kuke dhe këngëtarët: Këtë vit, Festivali i Këngës kërkon lavdi me çdo kusht

Kastro Zizo është emri i parë që lakohet këtë vit në lidhje me festivalin e fundvitit të organizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar.

Kënga e tij “I huaj” nuk u pranua nga juria e përzgjedhjes së këngëve pjesëmarrëse dhe kompozitori u ankua tek Berisha, duke e quajtur mospranimin e këngës një çështje censure politike (lexoje këtu).

Por kë ka pranuar Festivali i Këngës? Lista doli disa ditë më parë dhe ndër emrat më të njohur të këngëtarëve që do të marrin pjesë në këtë festival janë Bojken Lako, Elton Deda, Eugent Bushpepa, rikthehen “Akullthyesit”, grupi “Na”, grupi “LYNX”, Manjola Nallbani, Mariza Ikonomi, Orgesa Zaimi, Redon Makashi, rikthehet Luis Ejlli në duet me Rezarta Smajën, bëhen prapë bashkë Endri dhe Stefi Prifti. Gjithashtu, do të vijnë për herë të parë në një duet dy vëllezërit David dhe Genc Tukiqi.

Duke i hedhur një vështrim të cekët përzgjedhjes së këtij viti, diçka të bie në sy: shumë, shumë rok! Festivali i Këngës sundohet nga këngëtarë të zhanrit rok dhe të tjerët janë këngëtarë baladash klasike, si Nallbani apo vëllezërit Tukiqi. Së paku, këto janë pritshmëritë tona vetëm prej emrave.

Mos Festivali i Këngës po përpiqet të rikthejë lavdinë e dikurshme?

Flasim për kohën e grupeve si “Akullthyesit” dhe “3 Musketerëve”- siç njihet treshja Redon Makashi, Elton Deda dhe Aleksandër Gjoka. Vitet e fundit të arta të Festivalit të Këngës kanë qenë ’90-at, kur këngëtarë dhe grupe rok nxorën hite nga pjesëmarrjet në këtë festival.

Kush mund ta harrojë “Na lini të jetojmë” nga grupi “Tingulli i Zjarrtë”, apo “Ëndërroj” nga grupi “Ritfolk”?

Gjatë viteve ‘90 ka patur një sërë prezantuesish, që nga emra shumë të njohur si Ardit Gjebrea, Rudina Magjistari, aktore si Ema Andrea apo vajza të momentit si Inis Gjoni apo Valbona Çoba. Por për ndonjë arsye të pashpjegueshme, nga ato vite e kujtojmë si festivali i Krastës dhe Pali Kukes, edhe pse bashkë u kryqëzuan vetëm në 2002-shin dhe në 2006-ën.

Këtë vit, pas shumë eksperimentesh me prezantuesit që qenë aktorë, modele, folëse lajmesh apo këngëtare (si Ledina Çelo vjet), Festivali i Këngës kthen pas 11 vitesh Adi Krastën në skenë dhe sipas burimeve për Anabel.al, deri më tani fjalët janë që do të jetë vetëm. RTSH-ja nuk do të rrezikojë me prezantues të tjerë!

Po pas 11 vitesh kthehet edhe Pali Kuke në regji dhe kështu, dyshja Kuke- Krasta pritet të lëshojë prapë shkëndijat që ka patur për vite me radhë në festival por edhe tek “Ethet e së premtes mbrëma”. Por a do ta kenë akoma Krasta dhe Kuke kiminë që kanë patur dikur?

Këtë vit, RTSH-ja me Thoma Gëllçin në krye dhe Festivali i Këngës, me Sokol Marsin në drejtimin artistik të tij qartësisht nuk duan të shkelin në dërrasë të kalbur. S’ka përzgjedhje të guximshme, vetëm këngëtarë që njihen se dinë të këndojnë live apo muzikantë me përvojë, si vëllezërit Tukiqi.

Do ta nxjerrë apo jo faqebardhë festivalin kjo lojë e provuar, është një gjë. Të pranosh këngën e Kastros, që nuk njihet për interpretimin sa për guximin që bën ç’bën i kthen këngët në hite, është gjë tjetër.

Për vite me radhë, Festivali i Këngës ka zgjedhur këngë fituese dhe që nga 2004-a, i ka çuar të na përfaqësojnë në Eurosong. Megjithatë, të pakta janë ato që kanë mbetur hite që dëgjohen ende sot. Një pjesë të mirë të “fajit” për këtë e ka gjykimi i shkurtuar i shqiptarëve Eurovision-filë, që përdor si kriter vlerësimin që merr kënga në natën finale të Eurosong-ut.

Nga ana tjetër, është në dorën e festivalit të gjejë karremin e duhur për të tërhequr “të madh e të vogël” ta shikojnë. Pavarësisht shpërfilljes që mund të kenë muzikantët e mirëfilltë për shijen e publikut tallava-dashës kanë, deri në një farë pike, edhe detyrimin të na edukojnë ne të pashkolluarve.

Nëse një libër pa ndonjë vlerë të madhe artistike si “Twilight” arriti ta bënte popullor Claude Debussy-në gati 1 shekull pas vdekjes, kjo qe pikërisht sepse u lexua nga miliona njerëz, edhe ata që s’kishin lexuar ndonjë libër më parë.

Nëse Festivali i Këngës do të bënte të njëjtën gjë- të përzgjidhte tek-tuk ndonjë këngë nga ato që konsiderohen komerciale- ndoshta më në fund, edhe këngët e kompozitorëve që konkurrojnë aty prej vitesh dhe madje kanë fituar (Klodian Qafoku, Endri Sina, Sokol Marsi) nuk do të mbeteshin më vetëm në arkivë.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .