Top Channel bëri me dije sot se Sokol Balla është shkarkuar nga posti i drejtorit të informacionit, por do të vazhdojë të drejtojë emisionin “Top Story”. Në vend të tij është emëruar gazetari Endri Xhafo, që vetëm pak muaj më parë është transferuar nga ABC News.
Gazeta Shqiptare shkruan bazuar në burime pranë “TCH” se ishte Vjollca Hoxha ajo që ka kërkuar që televizioni të mos jetë më i njëanshëm, në mbrojtje të hapur të qeverisë dhe kjo nuk është pranuar nga Balla. Kjo linjë e re e Top Channel, kritike ndaj qeverisë përforcohet edhe me faktin se Endri Xhafo, drejtori i ri i informacionit është një “prurje opozitare”, që ka dalë shpeshherë hapur kundër partisë në pushtet.
Javët e fundit Top Channel ka mbajtur qëndrime kritike ndaj qeverisë, reflektuar kjo edhe në edicionet informative, madje pati dhe një ‘përplasje’ me kryeministrin Rama, pasi ai e quajti publikisht nëpërmjet një statusi në Facebook-un e tij ‘media të pabesueshme’.