Showbiz dhe TV > TV Mania

TV shqiptare i vënë gjasat tek fëmijët: Spektaklet e reja, plot me vogëlushë!

"Chi ha incastrato Peter Pan?"

Pasi kanë eksperimentuar me çdo lloj formati që përmban VIP-a dhe të rritur, televizionet shqiptare po i kthejnë sytë nga spektaklet që kanë në qendër fëmijët.

Gjatë viteve të fundit, fëmijët kanë qenë të pranishëm sporadikisht në 2-3 spektakle; si spektakël që do të zgjaste dy sezone, “1001 Pse” me Arbana Osmanin në “Top Channel” apo si pjesë e një spektakli talentesh si “Gjeniu i Vogël”.

Sidoqoftë, së shpejti pritet të fillojnë jo 1, por 3 emisione të reja vetëm me fëmijë që do të kenë orare prime time në televizionet shqiptare.

Ndërkaq prej disa sezonesh, fëmijët janë protagonistët e rubrikës "Power Kids" tek "E Diela Shqiptare", ku u dedikohet më shumë se 1 orë çdo të dielë. Këtu fëmijët konkurrojnë në lojëra të ndryshme, si edhe tregojnë veten në këndim, kërcim dhe fusha të tjera. Çdo javë ka një sfidë të ndryshme dhe në fund zgjidhet një fitues.

"Power Kids" do të kthehet në sezonin e ardhshëm të "E Diela Shqiptare".

Dje, Alketa Vejsiu njoftoi se me producenten Vera Grabocka kanë marrë patentën e një prej emisioneve italiane më të njohura, “Chi ha incastrato Peter Pan”. Emisioni përmban lojëra, kamera të fshehta por edhe një intervistë që fëmijët i bëjnë një personazhi të famshëm, pak a shumë si tek “1001 pse”. (shiko këtu)

Por edhe një tjetër spektakël me protagonistë fëmijët po përgatitet të vijë në “Klan”.

“Virtuozët” (Prodigies) pritet të sjellë në Shqipëri sopranon Inva Mula, për herë të parë në një spektakël televiziv shqiptar.

Spektakli i talenteve do të përzgjedhë fëmijë që janë virtuozë jo më në këngë apo kërcim modern, por në instrumente, balet dhe kanto klasike. (Shiko këtu)

Ndërkaq, ndërsa vitin e shkuar “Top Channel” në këtë kohë angazhohej me “The Voice”, këtë sezon vendosi të rikthejë “The Voice Kids”- The Voice-in për fëmijë, që do të nisë në janar.

Trajnerët Eneda Tarifa, Miriam Cani dhe Aleksandër e Renis Gjoka po bëhen gati për audicionet e para dhe kanë frikë se do t’u thyejnë zemrat vogëlushëve.

Të ekspozuar dhe në pritje të gjykimit (në mos të jurisë, të publikut), fëmijëve u duhet të mbledhin veten, të mësojnë mirë reshtat (sepse çdo gjë në ekran ka skenar) dhe të mos gabojnë. Po sikur të gabojnë?

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .