Anabelizim > Original

7 seriale që me siguri i ke parë kur ishe fëmijë por rrezik s’i mban mend

Përveç “Tom & Jerry”, “Flintstones” ; “Goku” apo “Scooby Doo”, ka patur plot seriale që na shoqëronin pasditeve dhe na bënin t’i mbaronim mësimet me vrap!

“Pingu”

Pingu nuk flet, Pingu praktikisht dërdëllit. Është aq i ngadaltë sa shkuarja e tij deri në shtëpi kushton gjysmën e serisë. Por ka qenë një ndër serialet më të bukur të fëmijërisë së hershme. Thjesht të bënte të ëndërroje të kishe një shtëpi prej akulli si pinguini Pingu dhe familja e tij e dashur, aq e dashur.

“2 prindër magjikë” (The Fairly OddParents)

Timmy Turner është një fëmijë i vogël i lënë pas dore nga prindërit dhe të gjithë, sigurisht përveç dados së tij Vicky-t, e cila është shumë e përkushtuar ta torturojë. Prandaj, një planet i largët dërgon dy prindër magjikë, dy zana që i rrinë Timmy-t kurdoherë pranë dhe bëjnë realitet dëshirat e tij.

Mund të duket disi dramatik, por “The Fairly OddParents” është gjithçka përveçse i trishtë. Ky serial që transmetohej në kanalin italian “Jetix” kishte aq shumë situata humori sa nuk të mund të shkuleshe prej tij.

“Marco & Gina”

Marco dhe Gina janë dy pëllumba të dashuruar në Venecia, ose “në Venecian e sipërme”, siç thoshte spoti i serialit të animuar në “TV Klan”. Nëse mbani mend nga fëmijëria një shpend që përgatiste brioshë, ai ka qenë pikërisht kuzhinieri Marko, që bënte brioshët më të mirë në botë, që gati-gati mund t’i shijoje nga ekrani.

Seriali nuk kishte ndonjë subjekt të veçantë, përveçse një i keq me emrin konti Jago përpiqej t’u prishte punë dy pëllumbave të pafajshëm.

“Totalisht spiune!”

Ky serial francezo-kanadez ishte krejtësisht ndryshe nga shumë të tjerë që janë transmetuar për fëmijë. Tre heroina gra shpëtonin botën në çdo seri dhe e bënin në mënyrën më gjeniale. Në ka patur diçka që ka ndikuar që vajzat e vogla shqiptare të mos e shikonin veten thjesht si “seksi i brishtë” ka qenë pikërisht ky serial. Gjithashtu “Mulan”. Në fakt, edhe “Pokahontas”. Por nejse.

E kemi fjalën, që këto seri mund t’i shikosh edhe kur të rritesh sepse ishin plot me aksion dhe mjaft mendjehapura dhe ia dimë për nder “Italia 1-shit” që i transmetoi që nga 2003-shi.

“Le superchicche” (The Powerpuff Girls)

Nga pothuajse të njëjtët që krijuan “Tom & Jerry”, erdhën edhe “The Powerpuff Girls” ose për fëmijët që shikonin “Totally Spies” një variant i tyre në miniaturë. Edhe këto tre vajza ishin në shpëtim të vazhdueshëm të botës, vetëm se dizenjot e animacionit ishin shumë më të thjeshtësuara, sepse kompania Hanna-Barbera ka në thelb prakticitetin. E pamë tek “Cartoon Network”.

“Ed,  Edd & Eddy”

Tre djem me të njëjtin emër, që janë në luftë (dhe humbje) të vazhdueshme për të mbledhur para që të blejnë bonbonet e tyre të preferuara, mesa duket mund të bëjnë një serial të suksesshëm. “Ed, Edd dhe Eddy” mund të kenë qenë ndoshta personzhet më absurde që mbajmë mend të kemi parë tek “Cartoon Network”.

“Sandokan”

“Sandokan” transmetohej çdo pasdite në “Klan”. Duke qenë se filmi me të njëjtin titull na ishte trashëguar prej prindërve, ishte e natyrshme që heroi i piratëve të kthehej dhe në një serial për fëmijë, ku e dashura e tij quhej: “Merieeenn” me theks anglez.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .