Prerje të shkurtra nën vesh dhe onde të gjata si sirenë. Të dyja i gjeje në koleksionet e Pranverë 2018-s. Në dallim nga gjithë koleksionet e tjera, në të gjitha kohërat, këtë vit trendet s’kishin një përgjigje të prerë për modelin më in të flokëve. Kështu që do të na duhet ta vendosim vetë.
James Pecis, i cili është stilisti i flokëve për Off White dhe Simone Rocha në këshillon t’i bëjmë një pyetje vetes: A dua të bie në sy? Nëse po, kapni gërshërët. Një prerje e shkurtër lë tërësisht tjetër përshtypje, bën më shumë impakt dhe sikur të rishpik. Nëse i prisni ama, kini parasysh se vizitat përmujore te parukieri nuk i shmangni dot. Floku rritet dhe s’ke ç’i bën.
Ose, nëse e keni bezdi të lini orar çdo muaj, frymëzohuni nga Rapunzel. Një model i ngjashëm me ato të Stella von Senger është perfekt për ju. Një flok i patrajtuar s’ka nevojë për asgjë, ndërsa një i trajtuar ndoshta lyerjen e zakontë, një prerje tek tuk. Për t’i dhënë dimension flokëve të gjatë të pambajtur, shtoni vëthë të mëdhenj ose vishni bluza me mëngë të fryra.
Sigurisht, stili juaj personal është shumë i rëndësishëm në këtë vendim. Për shembull, nëse jeni njeri aksesorësh, një prerje e shkurtër shkon më së miri me varëse dy ngjyrëse ose vëthë elegantë. Ndërsa për të tjerët, që janë më tepër të orientuar ndaj stilit sensual apo shumë vajzëror, flokët e gjatë deri në bel janë një kombinim perfekt me penjuarët boudoir apo fustanet me pupla.
Nëse e gjeni veten mes dy ekstremeve, zgjedhja është e thjeshtë fare. Shikoni flokët tuaj siç i keni tani dhe pyesni veten: A më bëjnë të lumtur? Nëse po, mbajini. Ç’është më e rëndësishme se lumturia juaj.
Burimi: Vogue