Momentalisht, Shqipëria është një ndër vendet që mund të udhëtojë në zonën Schengen pa vizë, për 90 ditë konsekutive. Nevojiten pak për të mos thënë aspak dokumenta dhe të udhëtuarit është një fakt i kryer. Kjo do të ndryshojë me implementimin e sistemit të ri, të quajtur ETIAS (Europian Travel Information and Authorisation System).
ETIAS ka nisur punën dhe do të jetë tërësisht funksional në 2020. Është një sistem elektronik i cili lejon dhe ruan të dhënat e gjithë vizitorëve të zonës Schengen që nuk kanë nevojë për një vizë.
Kjo do të thotë që, para se të udhëtojmë në një shtet të zonës Schengen, duhet të plotësojmë formularin online, i cili kërkon jo më shumë se 20 minuta kohë. Nevojiten të dhëna të përgjithshme si gjeneralitetet, adresa, historiku i punës dhe arsimit, të dhëna mbi gjendjen shëndetësore, etj.
Pas plotësimit të formularit, nëse nuk shfaqni asnjë rrezik, do të aprovoheni brenda pak minutash. Nëse jo, aplikimi juaj do të rishikohet manualisht, procedurë kjo që zgjat 4 ditë deri në 2 javë. Gjatë këtij rishikimi, do të kontrollohet informacioni i dhënë, faktorët e riskut dhe e drejta juaj për t’u zgjedhur.
Aplikimi do të kushtojë 5 euro dhe do të jetë i vlefshëm për pesë vite, ose në momentin më të hershëm që do të skadojë pasaporta e aplikantit. Nëse ETIAS ju mohohet, ju mund të apeloni vendimin, ose të ndryshoni aplikimin. Nëse sërish nuk aprovoheni, nuk mund të udhëtoni në Schengen.