Të ndash ashensorin me njerëz është kaq e mërzitshme, por fatkeqësisht nuk e kemi luksin të zotërojmë ashensore private, t’i arredojmë sipas dëshirës, t’i rregullojmë ndriçimin e mallkuar dhe t’i kalojmë ditët duke hipur e zbritur ndërtesa.
Prandaj momenti kur jemi vetëm brenda në ashensor, ndonëse është i shkurtër, është një parajsë e vërtetë. Është ai momenti kur je lyer dhe rregulluar dhe ashensori të thotë fjalën e fundit se si dukesh, apo kur kthehesh në shtëpi pas një dite të tmerrshme dhe ashensori sërish të thotë se dukesh sikur sapo je çuar nga varri dhe ti je ok me këtë, sepse është mes ju të dyve.
Pasi pyetëm të gjitha vajzat në redaksinë e Anabelit se çfarë bëjnë kur mbyllen vetëm në ashensor, përgjigjet që morëm ishin në fakt të pritshme. Ja ç’bëjmë.
Rregullojmë flokët
Kjo është gjëja më normale që mund të bëjmë. Është ai kontrolli i fundit para se të përballemi me njerëzimin. Gjithmonë është një qime e pabindur që s’e ndan mendjen cilën anë do mbajë, të majtën apo të djathtën aka qimja ‘LSI’.
Shtypim puçrat
E dimë që s’është aspak higjienike, por s’mund ta shmangësh cimbitjen e puçkurrizave të vogla mbi lëkurë kur drita e ashensorit i bën të duken si gogolë. O Zot me këtë gjënë në fytyrë kam qarkulluar gjithë ditën? Dhe pastaj përfundojmë duke ndjerë keqardhje për këdo që hyn në ashensor pas nesh dhe na sheh me mëshirë, sepse është thuajse i sigurt që kemi një formë të ashpër psorias-i që na ka veshur gjithë fytyrën.
Kërcejmë
Pse ju nuk jeni ndonjëherë në qejf kur jeni në ashensor? Ndodh të dalësh nga shtëpia me kufje në vesh apo të të jetë ngulitur një këngë në mendje dhe s’ndalon dot së e kërcyeri. Pastaj je bërë dhe shumë e mirë. Oh Zot kush është kjo bukuroshja në pasqyrë?
Selfie
Foto, video, kushdo që ka thënë se vajzat bëjnë në banjo më shumë foto se ç’bëjnë astronautët në hënë është gabuar, sepse në ashensor mund të bësh sete të tëra fotografike, video duke kërcyer, duke nxjerrë barkun, pak të pasmet dhe ja e mbyllëm qokën me Instagramin për sot.
Heq reçipetat/mbathjet
Ok nuk e dimë nëse këtë e bëjnë të gjithë, por ka ndodhur. Sapo hyn në ashensor kujtohesh se reçipetat të shtrëngojnë shumë dhe busti do dukej më bukur nëse s’do vishje asgjë. Pastaj një fustan që nuk pranon mbathje fare, po pse gjyshe je ti? Infeksione mirësetëvini, ja ku ikën dhe mbathjet.
Një prekje të fundit të tualetit
Grimi nuk fillon dhe përfundon kurrë në shtëpi. Ka gjithmonë diçka për të rregulluar. Pak buzëkuq, maskara dhe kështu shmangim ndonjë pakujdesi të vogël në trafik.