Anabelizim > Original

‘Ndonjëherë duhen rrahur gratë’: Autorja që nxit dhunë dhe del kundër vetes

Nga Alberta Kamenica ~
Gerina Mullaj

Në një nga mediat online më popullore në vend, në seksionin op-ed, ishte postuar një shkrim nën titullin “Ndonjëherë duhen rrahur gratë”. Në vështrim të parë, ia mbart peshën kontekstit, mendon se është ironi, ose se do të përcjellë një mesazh më gjithëpërfshirës me psikologjinë e së kundërtës. Jo. Në dy rreshta lexim, Gerina Mullaj e bën të qartë që e ka seriozisht.

Fillimisht u njoh si vajza e shkrimtarit Artan Mullaj, një student aktiv i lëvizjes së dhjetorit, piktor ikonograf, anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, shkrimtar i vlerësuar nga Kadare, Agolli dhe Blushi. Gerina nga ana tjetër, shkruan statuse në Facebook që botohen nga portalet online.

Artan Mullaj

Në leximin e parë të një shkrimi nga Gerina, lind një dyjëzim i thellë se mos ajo që ka shkruar është një ironi aq e arrirë sa vetëm ajo e kupton. Pasi nxit burrat dhe bashkëshortët të ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe bashkëshortet e tyre, autorja e justifikon me idenë se grave nuk mund t’ua ndrydhësh ndryshe dëshirën për të bërë karrierë:

“Nuk ka burrë që më pak se një herë, përgjatë jetës së tij, të mos ketë dashur me gjithë shpirt të rrahë një grua. I thotë mendjes se ajo duhet rrahur jo me qëllimin që të dalë e tija, se ai e ka të qartë që nëse do të bëjë për vete një femër duhet të lerë mënjanë shpresën se do jetë i aftë ndonjëherë të zotërojë mendjen e saj, por me qëllimin që edhe ajo të bindet për fuqinë e tij më të madhe, përmes së cilës zë fill burrëria, dhe kjo është dora.

Megjithëkëtë gratë e meritojnë të rrihen edhe për shkak të natyrës së tyre të djallëzuar.[...]

Edhe për shkak se ato nuk mund ti nënshtrosh ndryshe, nuk mund t’ia u ndrydhësh fuqinë qëkurse ato u kujtuan se duhet të bëjnë karrierë, pavarësisht se kjo dukuri e kohëve moderne të shtin në mendje dyshimin se kjo ambicie mund të mos i shkojë aspak ndjeshmërisë së femrës.[...]”

Gerina Mullaj e ftuar në Pasdite në Top Channel për librin e të atit

Pra, një grua duhet rrahur sepse mund t’i shkojë ndërmend të bëjë karrierë dhe kjo ambicie nuk u shkon përshtat me ndjeshmërinë që mbartin vetiu. Thënë kjo, nga një vajzë e re që po çon aktualisht karrierën e saj përpara. Gerina ka botuar një libër, ka të tjerë të pabotuar ende dhe është aktive vazhdimisht në shtypin online dhe në faqen e saj të Facebook. Lind pyetja: Po ambicien e Gerinës kush po e ndrydh me dhunë?

Gerina ka thuajse 52 mijë ndjekës në faqen e saj në Facebook dhe kjo nuk është një platformë dhe aq e vogël kur përcjell mesazhe të tilla seksiste dhe që nxisin dhunë. Aq më tepër, kur këto tekste i marrin media me audiencë më të gjerë duke e përhapur akoma më shumë mesazhin se gratë duhen rrahur ngaqë “ambicia është një rrobë e ngushtë që nuk u rri mirë”.

Për të dalë tek gjërat që kanë vërtetë rëndësi. Fare mirë, këtij shkrimi mund t’i mbyllet goja me një “ekziston liria e fjalës dhe Gerina mund të thotë ç’të dojë”. Deri diku. Nëse ajo aspiron vërtetë të jetë si babai që admiron, duhet të paktën të ndjekë rregullat e etikës që federata e gazetarëve në të cilën ai është anëtar, imponon. Liria e Gerinës shkon deri aty ku nuk cënon lirinë e dikujt tjetër dhe me këtë op-ed, vuajtjet e çdo gruaje të dhunuar përtej çdo justifikimi, po hidhen poshtë paturpësisht. Çdo burrë që ka vënë dorë mbi një grua ndihet i validuar dhe i frymëzuar ta bëjë sërish. Është në paragrafin e tretë të Kodit Etik të Medias Shqiptare: “Shtypi njeh diversitetin e mendimeve dhe kundërshton çdo diskriminim të nisur nga seksi...” Para Niçes e Bismarkut, sytë duhen hedhur nga këto literatura që rregullojnë median në të cilën ajo do kaq shumë të marrë pjesë.

Gerina Mullaj e ftuar në Aktualitet në Shijak Tv

Për t’i bërë gjërat akoma më keq për reputacionin e saj, Mullaj dha një intervistë për Shijak Tv në korrik të këtij viti. Aty u shfaq një partizane e tradhëtisë duke u fshehur pas idesë së diskredituar se:

“Ne si qenie instiktive do ta përqafojmë gjithmonë tradhëtinë pavarësisht idealeve dhe kauzave. Tradhëtia është e bukur sepse nuk kërkon logjikë. [...] Gjaku yt të thotë të tradhëtosh jo vetëm partnerin, por edhe kauzën dhe idealin.”

Si fillim, njerëzit nuk janë qenie instiktive dhe kjo i dallon, fjalë për fjalë, nga çdo gjallesë tjetër mbi tokë. I vetmi instinkt që kanë qeniet njerëzore është ndërgjegjja dhe me anë të saj kuptojnë të drejtën nga e gabuara dhe bëjnë veprime të qëllimta. Tradhëtia nuk është e palogjikshme dhe as rrjedh në gjak. Është një vendim i marrë me mendje të kthjellët. Duket si diçka që e mëson në klasë të gjashtë (dhe është), por duhet shpjeguar për këdo që mund të bjerë gabimisht dakort me Mullajn.

Pastaj, për punë 10 minutash, autorja thotë që “nëna është përfaqësimi i qiellit dhe Zotit në tokë”, duke e pikturuar kështu në dritë pozitive a thua se nëna e saj apo kujtdo nuk është një nga gratë që ajo uron të rrihen. Për më tepër, Mullaj nuk e konsideron emancipim ndërrimin e shpeshtë të partnerëve, por vetëm nga ana e grave. Ajo nuk i adhuron gratë “me shumë përvojë [seksuale]”.

Kritikë e drejtë ose jo, Gerina nuk e vret mendjen. Siç e tha dhe vetë: “S’mund ta bindësh shpendin që qershitë janë më të mira se krimbat."

Nga: Alberta Kamenica

Artikuj të ngjashëm

. .