Anabelizim > Për mendimin tonë

Pse revoltohet Elgiti? Lajmet e portaleve janë si këngët e tij komerciale

Elgit Doda postoi sot një status plot mllef ku i vë fajin medias për keqedukimin e publikut me lajme që nuk kanë vlerë.

Ka të drejtë. Ne gazetarët e portaleve u japim lexuesve fast food, sidomos kur shterrojnë burimet “bio dhe organike” të Saimir Pirgut dhe Ermonela Jahos, kur bëjnë namin me koncerte në teatrot si “Bolshoi” në Moskë apo “La Scala” në Milano, ku interpretojnë vepra madhore si ato të Puccini-t apo  të Verdi-t.

Ndoshta nga inati i momentit, Elgit Doda përgjithëson duke futur në një thes portalet, diçka që ka ndodhur, ndodh dhe me siguri do të vazhdojë të ndodhë. Edhe ne priremi që t’i gjykojmë shpesh kompozitorët e muzikës komerciale shqiptare, pse bëjnë këngë që s’kanë kurrfarë vlere artistike.

Në një intervistë për Anabel.al në 2012-ën, kur s’kishte fare Klea në horizont (të paktën nuk e dinim), Elgit Doda tregoi se ishte rritur nga një baba adhurues i muzikës dhe se studionte për dirigjim në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pavarësisht kulturës muzikore që supozohet të japë kjo degë, bënte këngë si “Malagata”, “Nelës” dhe këngë të tjera me sukses komercial, që e bënë të njohur mes këngëtarëve.

Pak muaj më vonë, Elgit Doda do të konkurronte tek “Dance With Me”, një spektakël që njihet për debatet që krijohen mes jurisë dhe këngëtarëve, të cilat sigurisht rezultojnë në lajme portalesh. Ai u bë dyshe me Xhensila Myrtezajn dhe mund ta merrni me mend se dolën nëpër media për një sherr me Robert Aliajn.

Megjithatë kjo pjesëmarrje, bashkë me disa këngë që krijoi Elgiti atëherë, janë harruar. Gjithçka mbajnë mend njerëzit tani dhe gjithçka flasin mediat, është lidhja me Klea Hutën. Sepse publiku ka kujtesë shumë të shkurtër, por mbi të gjitha sepse të gjithë do të josheshin nga loja “tërhiq e mos e këput” që kanë luajtur të dy që në korrik.

Askush s’ia nxori me grep Kleas deklaratën tek Çani se ka një partner, apo “Pjo-në” që dha Elgiti kur “Prive” e pyeti nëse ka një lidhje mes tyre. Përgjigjet e tyre evazive sa herë pyeteshin për lidhjen, të bënin të besoje se po e luanin këtë lojë qëllimisht, për të sjellë portalet pas gishtit duke e ditur efektin që krijohet.

Nga ana tjetër, edhe ne e dinim se po silleshim pas gishtit. Por e ndiqnim lojën me vetëdije të plotë, sepse në fakt, lajmet i shkruajmë ne dhe sepse kjo është puna jonë.

Në të njëjtën mënyrë, edhe Elgit Doda është mëse i vetëdijshëm që në laptop-in e tij nuk po krijon asnjë nga ariet e Puccini-t që ka mësuar në shkollë. Edhe ai, si shumë kompozitorë të tjerë, i përshtatet tregut që të kërkon të punosh edhe me këngëtarë që nuk janë këngëtarë dhe pastaj, shpërthen me postime në media si këta të dy që ka bërë kohëve të fundit.

Prandaj, lirisht mund të themi se mllefin Elgiti nuk e ka as me portalet, as me ne personalisht, madje as me këngëtarët, por e ka ose me mënyrën si funksionojnë gjërat në botën e konsumerizmit, ose me veten që pranon t’i përshtatet e të sigurojë të ardhura për të jetuar.

Genta Hodo
Gazetare

Artikuj të ngjashëm

. .